Ndërsa shpreh keqardhje për vendimin e sekretarit amerikan të Shtetit që shpall Sali Berishën dhe familjen e tij person ‘non grata’, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bën thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim.
Ndërsa vlerëson si të çmuar kontributin e Berishës për Shqipërinë, Basha shprehet se vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cenon arritjet madhore të vendin tonë.
Ai thotë më tej se Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar.
Lulzim Basha: U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish Presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha.
Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim.
Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta.
Gjatë kohës që z. Berisha ishte Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte. Në të gjitha këto arritje partner kyç i Qeverisë Shqiptare ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për fat të keq, ndryshe ka ndodhur në këto 8 vite, ku për shkak të korrupsionit masiv në çdo sektor dhe lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro në zbatimin e reformave që i duhen vendit, si anëtar i NATO-s dhe aspirant për vend anëtar i Bashkimit Europian.
Vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cënon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar.
Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar