MENU
klinika

Videot në “Tik-Tok” të gjyqtares

Ministrja Gjonaj: Të pakomentueshme! Të merret masë ndaj saj dhe t’i hetohet pasuria!

31.05.2021 - 13:24

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, reagon pas videove të publikuara në rrjetin social “Tik-Tok” nga kryetarja në detyrë e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, të zhvilluara brenda ambienteve të institucionit.

Ministrja Gjonaj shkruan në “Twitter” se shfaqjet e gjyqtares Kapedani janë të pakomentueshme, ndërsa thekson se i ka kërkuar KLGJ që prej dhjetorit të 2019 që të verifikojë dhe marrë masë për të, pas lirimit të një subjekti kriminal.

Pas publikimit të videove, Gjonaj kërkon që të merret masa e duhur ndaj gjyqtares, si dhe t’i  hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore.

“Të pakomentueshme shfaqjet e gjyqtares së Elbasanit dhe për të ardhur keq që qysh prej dhjetorit 2019, i kam kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrje mase për të pas lirimit të një subjekti kriminal.
Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por edhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje. Tipike për një pjesë të atyre që nuk kanë kaluar ende Vetingun dhe vijojnë të gërryejnë drejtësinë nga brenda!
ReformaNukDoNdalet dhe kush e ka turpëruar drejtësinë do të përballet me të deri në fund!”, shkruan ministrja Gjonaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN