MENU
klinika

Ja çfarë kërkon kryeministri

Mosdekretimi i Cakajt/ Rama dhe Meta përballen sot në Kushtetuese!

18.05.2021 - 08:22

Kryeministri Rama dhe Presidenti Meta do të përballen sot për herë të parë pas zgjedhjeve në 25 prillit në Gjykatën Kushtetuese. Është ish-ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, i cili edhe pse nuk është më në detyrë, ka çuar në përballjen e Metës dhe Ramës në këtë gjykatë në lidhje me kompetencat e kreut të shtetit për mosdekretimin e ish-ministrit të Jashtëm.

Kryeministri Rama kërkon interpretimin e nenit 98 të Kushtetutës, pika 1, për të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të ministrave. “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi kushtetues i nenit 98, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në objektin e shqyrtimit të kërkesës së Gjykatës Kushtetuese.

Kërkesa e Kryeministrit u fut në shqyrtim vetëm pasi Gjykata Kushtetuese u plotësua me 7 anëtarë, ndërsa priten edhe dy anëtarë nga Gjykata e Lartë për të plotësuar vendet vakante. Në dhjetor të 2018-ës Presidenti i Republikës, Ilir Meta, refuzoi dekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. Presidenti Meta në një përgjigje të gjatë dërguar Kryeministrit të vendit, Edi Rama, shprehet se Cakaj nuk ka besueshmëri dhe ka treguar neglizhencë gjatë ushtrimit të detyrës si zëvendësministër.

Meta thekson se Cakaj ka aplikuar për certifikatë sigurie pranë Ministrisë vetëm më datë 03.01.2019, edhe pse përmbushja e këtij detyrimi fillon nga marrja e detyrës si zëvendësministër i MEPJ. “1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. 2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”, thuhet në nenin 98 të Kushtetutës.

Pika 1 e nenit 98 të Kushtetutës parashikon se ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës brenda 7 ditëve me propozim të Kryeministrit dhe më pas dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi. Në këtë pjesë Kushtetuta nuk përcakton se çfarë ndodh nëse Presidenti nuk shprehet mbi propozimin e Kryeministrit. Për t’i zënë rrugën kësaj, maxhoranca dërgoi në Kuvend disa ndryshime ligjore për kompetencat e Presidentit të Republikës, duke i vendosur atij katër kufizime gjatë ushtrimit të detyrës. Duke u nisur nga precedenti i mosdekretimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm, Kuvendi ka parashikuar që Presidenti duhet të shprehet brenda 7 ditëve në lidhje me dekretimin apo mosdekretimin e një ministri. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ministri emërohet nga Kuvendi.