Pajisja e identifikimit elektronik të zgjedhësve duket se ka justifikuar besimin.
Nga kryqëzimi i të dhënave të pajisjeve elektronike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezulton se në qarkun e Beratit 21 persona kanë vendosur gishtin 57 herë për të nënshkruar procesin e votimit. Sipas Kodit Zgjedhor një gjë e tillë është e ndaluar ligjërisht dhe është e dënueshme me burg. Hipotetikisht mund të konsiderohet se 21 personat mund të kenë hedhur në kutinë e votimit gjithsej 57 vota. Përdorimi i pajisjes PEI në zgjedhjet e 25 prillit u bë për qëllimin e shmangies së votimit të shumëfishtë, votimit familjar apo votimit për një person tjetër.
PROCESI I VOTIMIT
Më 25 prill çdo votues duhet të kishte me vete pajisjen e identifikimit biometrik për të votuar. Në momentin që ai paraqitej në qendrën e votimit paraqiste kartën e identitetit. Operatori përgjegjës për pajisjen, kalonte kartën te pajisja. Në këtë moment në ekranin e komisionerëve shfaqej fotografia e votuesit të paraqitur. Nëse fotografia në monitorin e komisionerëve korrespondonte me personin që paraqitej në qendrën e votimit, atëherë votuesi duhet të vendoste gishtin te pajisja elektronike për të nënshkruar se ka kryer procesin e votimit. Në atë moment pajisja printonte një kupon, e cila mbahej nga operatori si material zgjedhor.
Pas këtij procesi, votuesi merrte fletën e votimit dhe në dhomën sekrete shënjonte subjektin e preferuar dhe më pas largohej. Ndërkohë, kryqëzimi i të dhënave për qarkun e Beratit ka treguar se të paktën 21 persona të ndryshëm kanë përdorur shenjën e gishtit të tyre tri herë. Kjo mund të ketë ndodhur siç u pretendua në seancën e parë të KAS-it nga operatori që mund të ketë vendosur gishtin për një zgjedhës që nuk i njihte pajisja shenjën e gishtit, por mund të jetë përdorur edhe siç dha shembull anëtari i KAS-it që një person të ketë mbledhur karta identiteti dhe të ketë votuar për ta në mënyrë ilegale. Megjithatë, kjo mbetet për t’u vërtetuar nga KAS-i nga shqyrtimi edhe i materialeve të tjera zgjedhore.
Ajo që dihet me saktësi është fakti se përdorimi i shenjës së gishtit dy herë është e dënueshme, pasi konsiderohet krim zgjedhor. Ndërkohë, në rast se nuk punonte pajisja elektronike procedura parashikonte kontrollin e saj dhe të kërkohej asistencë dhe vetëm pas dy orësh nëse nuk do të ishte rregulluar atëherë Komisioni i Votimit në qendrën e votimit të vendoste unanimisht vazhdimin e procesit manualisht. Ndërkohë, një tjetër pretendim nga LSI-ja për qarkun e Beratit ishte edhe mungesa e raportit përfundimtar të PEI-së në një nga kutitë e votimit. Sipas LSIsë, dje ajo u fut dorazi nga administrata e KQZ-së. Ndërkohë, pretendimi i përfaqësuesit të maxhorancës ishte se raporti ishte futur gabimisht nga operatori në valixhen e pajisjes elektronike të identifikimit.
GJIROKASTRA
Ndërkohë ,juristi i PD-së Marsha Logu publikoi dje edhe kryqëzimin e të dhënave të pajisjes elektronike për qarkun Gjirokastër. Nga të dhënat rezultoi se fenomeni i votimit më shumë se një herë në atë qark ishte më i shpeshtë. Sipas të dhënave të kryqëzuara nga PEI në Gjirokastër 14 persona potencialisht mund të kenë votuar 74 herë. Megjithatë, e vërteta e këtyre te dhënave paraprake mbetet për t’u verifikuar nga kamerat që kanë qenë në qendrat e votimit.
Ndërsa një tjetër parregullsi e evidentuar dhe e denoncuar dje nga Partia Demokratike është fakti se një person, i cili kishte hyrë në Shqipëri vetëm një javë para zgjedhjeve dhe ishte caktuar numërues i PS-së në Gjirokastër, ndërkohë që sipas vendimit të komitetit teknik duhet të ishte në karantinë. “Në foton e tretë kemi vendimin e KZAZ-së Nr. 82, qarku Gjirokastër për emërimin e anëtarëve të Grupit të Numërimit Nr. 4. Numërues i parë është shtetasi Thanos Andrea Karameno (PS). Ky shtetas rezulton se është futur në Shqipëri nga Greqia, pas datës 19 prill kur u vendos karantinimi 2-javor i personave që vinin nga Greqia dhe Maqedonia.
Vetëm me tri prova të thjeshta, faktohen mbi 100 shkelje flagrante të ligjit. Merreni me mend se sa shkelje të rënda do të zbardheshin, nëse KASi, nuk do të sillej si shërbëtor i Edi Ramës dy herë radhazi, por do të pranonte 19 kërkesat tona për marrje provash. Sepse ata e dinë që po i morën provat, do të faktohet para të gjithë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë masakra zgjedhore e 25 prillit”, tha Logu në reagimin e tij.