MENU
klinika

Seanca e parë pas 25 prillit

Nga kërkesat e Gjuzit që mori vetëm 3 vota në zgjedhje, te “lamtumira” e Murrizit, çfarë ndodhi dje në Kuvend

05.05.2021 - 08:44

Dje u zhvillua seanca e parë parlamentare pas zgjedhjeve të 25 prillit me deputetët aktualë. Një pjesë e madhe e deputetëve të maxhorancës do të jenë përsëri me përjashtim të Pandeli Majkos dhe Ervin Bushatit, të cilët nuk ia dolën të fitojnë mandatin, por edhe të tjerë të cilët nuk u kandiduan fare nga PS-ja.

Opozita parlamentare, që erdhi pas djegies së mandateve të PD-së e LSI-së, ishte dje për të dhënë “lamtumirën” e saj, ndonëse ka edhe tri seanca deri në përfundim të mandatit të kësaj legjislature. Deputetët e opozitës të cilët garuan më 25 prill nën siglën e partive të vogla pretenduan që iu është vjedhur vota, ndërsa të tjerë ironizuan ata që do të vijnë pas tyre. Kujtim Gjuzi ka hedhur akuza se këto zgjedhje janë vjedhur. Nga ana tjetër, deputeti Myslim Murrizi ka ironizuar zgjedhjet dhe rezultatin që ato prodhuan. Kuvendi dje miratoi gjashtë akte normative dhe rrëzoi dy dekrete të Presidentit Ilir Meta.

Deputeti Kujtim Gjuzi u shfaq i revoltuar në seancën e parë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku deklaroi se koalicioni ku garonte nuk i njeh këto zgjedhje. Gjuzi ishte një nga kandidatët për deputet që në zgjedhjet e 25 prillit mori vetëm 2 vota dhe sot nga Kuvendi ka hedhur akuza se këto zgjedhje janë vjedhur, ndërsa thotë se deputetët e opozitës aktuale parlamentare janë më të mirët.

Ai gjithashtu thotë se Rama tashmë kërkon të shkarkojë Presidentin Meta, pasi do të bëhet vetë President i Republikës. “Parti kriminale. Një komisioner që nuk lejon emigrantët të votojnë. Prandaj ne jemi këtu, ishim këtu, jemi më të mirët e më të mirëve nga ata që kanë qenë në Parlament. I themi Ramës se ne nuk i njohim zgjedhjet. U bëj ftesë 3 kolegëve të mi deputetë që ishim në koalicion, 7 shoqatave, të mos njohin këto zgjedhje. Ju vodhët zgjedhjet dhe turp t’iu vijë. Rama do të bëhet President, prandaj kërkon të shkarkojë Metën. Nëse Presidenti ka bërë shkelje, i ka bërë në 2017-ën. Tani ka shkelur të drejtën, sepse ka ofenduar apo ka thënë diçka për Ambasadën amerikane. Nëse Presidenti është i sëmurë, e ftoj të shkojmë në spitalin psikiatrik dhe të shohim është në rregull Presidenti apo Kujtim Gjuzi”, tha Gjuzi.

MYLSIM MURRIZI

Deputeti në detyrë i Kuvendit, Myslim Murrizi, duket sikur kishte përgatitur një “fjalim lamtumire”, në të cilin ironizoi rezultatin e zgjedhjeve dhe ftesën e Kryeministrit Rama për kreun e PD-së, Lulzim Basha, për bashkëpunim dhe deputetët që do të ulen në Parlamentin e ri në shtator. “Ajo që është prezent këto ditë në politikë, në media, në portale, është teatri i radhës i betejës para plazhit të ortakut tuaj ndër vite, që të dielën shpalli fitoren, të hënën gjeti armiqtë, të martën filloi betejën, kur i pari juaj u bën thirrje: hajde të qeverisim së bashku.

Zoti Balla, që je superdeputeti më i votuar në fushatë. Para zgjedhjeve kisha dëgjuar të parin tuaj që thoshte që këtë mandat e dua për Zahon e jo për vete, tani i bën ftesë Lulit për të qeverisur. A e ka dashur për Zahon apo për Lulin? Apo njësoj i konsideron. Kur ankoheni ju që kishit në 92 qendra numërimi, në 460 tavolina, 920 numërues hajdutë tuaj, disa të Lulit dhe të Monës, por ne subjektet e tjera që morëm çfarë na latë ju, ç’të bëjmë, të marrim sfurqet? Hera e parë në 30 vite postkomunizëm që dalin 10 mandate të pavlefshme, 83 mijë vota në të gjithë Shqipërinë, më shumë se 5% e zgjedhësve që morën pjesë. Këto numërues kush jua caktoi? Si nuk artikuluat asnjë fjalë për 5 qershorin?

Kam kërkuar depolitizim të administratës zgjedhore, nuk pranonte Oerdi e Petriti gjallë. Tani shoh rezultatin. Petriti ka marrë vota sikur të jetë kryeplak i Farkës. Oerti gjysmën e votave të Igli Carës, ky paska qenë halli.

Kur Luljeta juaj, që është më e vjetra, do të drejtojë seancën, do të ngrihen në këmbë dhe do të thonë “betohem”, këta që demek as ma hëngsh, as ta hëngsha, as nuk i njohin zgjedhjet. Kërkuam që vota të jetë e barasvlefshme në çdo cep të Shqipërisë. LSI ka marrë 107 mijë vota në gjithë Shqipërinë, katër mandate, PSD ka marrë 3 mandate. Shoh një garë që e shisni si sukses, meritë. Po të shikosh votat tuaja e të PD-së, votuesit janë elitë, shkencëtarë të NASAs, janë akademikë, eee sa larg ishin ata në krahasim me votuesit tanë. Paskan votuar dhe votë preferenciale, ata tanët nuk dinë. Votuesit tanë s’ishin kaq intelektualë sa tuajt.

O pika që s’ju bie, po kujt po ia hidhni ju këto? I thashë Pandit hajde të bashkojmë votat, nuk dëgjoi, s’donte të dilte nga rreshti i partisë. Nuk vjen Kodheli dhe Majko në Parlament që kanë dalë ndër më të votuarit. E kush vjen? Vjen Najada, këta që çojnë anijen kozmike në hënë, homologia e Faucit në Shtëpinë e Bardhë. Hajde akademizëm që do ketë këtu nga data 9 hajde. Edhe pse ishte lojë e stisur. Ju garantoj që kur të mbyllet kjo katrahurë, do të paguaj që të rihap kutitë e qarkut Fier, Durrës, Tiranë dhe Korçë. Do të marr kredi, sepse nuk latë pronarë për t’u na ofruar. Po na përgjoi SPAK-u bizneset e mëdha që kanë marrë tenderë, ju rrini në rresht”, tha Murrizi në dje në Parlament.