MENU
klinika

Rama: Do jetë si një qendër e transferimit të dijes edhe për spitalet e tjera në vend

Nis faza e parë e shërbimeve në Spitalin Rajonal të Fierit

31.05.2021 - 15:58

Spitali Rajonal i Fierit ka nisur fazën e parë të shërbimeve. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, inspektuan sot ambientet e spitalit, ndërsa komunikuan edhe me pacientët e shtruar, të cilët u shprehen të kënaqur për kushtet dhe cilësinë e shërbimit nga stafi mjekësor, i përbërë nga mjekë turq dhe shqiptarë.

Duke iu drejtuar mjekëve turq, Rama tha se misioni i tyre në Spitalin Rajonal të Fierit do të jetë i dyfishtë pasi, përveç shërbimit, ata do t’i përcjellin kolegëve shqiptarë edhe dijet e tyre. Sipas Ramës, ky spital do të shërbejë edhe si qendër transferimi i dijes për spitalet e tjera në vend.

“Misioni juaj është i dyfishtë, edhe për të shërbyer , por edhe për t’i përcjellë kolegëve shqiptar të gjithë dijen. Ne duam që ky spital të jetë si një qendër për transferimi e dijes edhe për spitalet e tjera dhe për personelin shëndetësor në spitalet e tjera”, u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot ambiente e spitalit, ndërsa nuk i kurseu batutat me një pacient që e priti me duartrokitje.

Ai iu drejtua kryeministrit duke i thënë ‘punëtori më i madh i Shqipërisë’, ndërsa Rama iu përgjigj me shaka: “Po këtë pse e mbani se ky qenka në superformë”.

Dialogu mes Ramës dhe pacientit:

Pacienti: Zoti kryeministër, punëtori i madhi Shqipërisë, ke bërë edhe Ministren e Shëndetësisë shumë punëtore

Rama: Po këtë pse e mbani se ky qenka në superformë

Pacienti: Unë jam i sëmurë, po do shërohem, ti të na rrosh

Rama: Mirë këtu?

Pacienti: Këtu qenka fantastike, punonjësit qenkan florinj.