Lulzim Basha as dha dorëheqje të parevokueshme, as iku të paktën disa ditë nga zyra, derisa të rizgjidhet formalisht në mes të qershorit. Tregoi se nuk i beson as atyre që prej javësh “bëjnë be” për kokë të tij dhe etiketojnë çdo njeri që del kundër kryetarit, si të shitur tek Edi Rama. As ky tabor zyrtarësh të sapozgjedhur që po mbushin studiot televizive me një pathos qesharak prej humbësi që e shet 25 prillin si fitore, nuk i japin vetëbesim tek rizgjedhja, kryetarit aktual të PD.
Është një situatë kaq groteske, sa humbja e rëndë politike në zgjedhjet e fundit po fillon të përjetohet si një normalitet tashmë i “konsoliduar”. Pse reagoni, kemi marrë shumë vota, thonë servilët e Lulzim Bashës, a thua se ky i fundit e ka marrë zyrën e kryetarit për të përmirësuar rezultatet e tij personale, e jo të mundë palën që ka përballë.
Me këtë proces fals, të inicuar paradokalisht nga një politikan që akuzon nga mëngjesi në darkë qeverinë për vjedhje votash, Partia Demokratike po shkon drejt një mpirjeje afatgjatë. Po projektohet një katërvjeçar tjetër i lehtë për Edi Ramën, i cili më së pari do të marrë legjitimimin e zgjedhjeve me fillimin e sezonit politik në shtator, e më pas do të shohë drejt votimeve të tjera në horizont me qetësinë e atij që e njeh mirë kundërshtarin e dobët që ka përballë.
Nga ana e vet, PD do të ketë makthin që do t’i dorëzojë edhe një herë frenat e punëve dhe të drejtimit të saj, në duart e dridhura dhe krejt të pabesueshme të Lulzim Bashës. Mund të tingëllojë e pakuptimtë, por opozita e djathtë po vendoset në pozitën që të urojë që zgjedhjet e rradhës të vijnë sa më rrallë dhe të jenë sa më larg, pasi personi që ka në pultin e drejtimit nuk di ta navigojë anijen drejt pushtetit. Dhe ky vetëdorëzim tek fati gri i opozitës së përjetshme është faji më i madh i Lulzim Bashës ndaj partisë së vet.