MENU
klinika

Eduard Zaloshnja

Një premtim që duhet ta bëjnë kandidatët për kreun e PD-së

30.05.2021 - 12:42

Më 13 qershor, njëri nga katër kandidatët për kreun e PD-së do të zgjidhet nga antarësia e partisë, për ta udhëhequar atë në katër vitet e ardhshme. Por historia e derisotme me udhëheqjen e PD-së nuk duhet të përsëritet. Nuk ka më kuptim që kryetari ta çojë partinë në zgjedhje parlamentare, dhe pas tyre, të justifikohet me “masakra zgjedhore” apo “blerje/vjedhje zgjedhjesh”.

Çdo vendim e veprim gjatë katër vjetëve para zgjedhjeve duhet të jetë i peshuar e i studiuar mirë, për ta çuar partinë drejt pushtetit. Çdo taktike të kundërshtarit, partia duhet t’i përgjigjet me kundërtaktikën më efikase për marrjen e e pushtetit. Dhe mbi të gjitha, nën udhëheqjen e kryetarit, partia dyhet të frymëzojë sa më shumë votues, në mënyrë që dallga e tyre e votave ta përmbysë murin elektoral të partisë në pushtet.

PD-nuk është një parti e dorës së dytë. Kur ka qenë në pushtet, ose i ka patur e vetme votat në Kuvend për ta zgjedhur e mbështetur qeverinë, ose ka patur nevojë për fare pak vota të një partie të dorës së dytë. Gjithashtu, edhe kur ka qenë në opozitë, ka qenë absolutisht partia më e madhe opozitare. Sidoqoftë, nuk ka kuptim të mbetet pafundësisht partia më e madhe në opozitë, apo largqoftë, violinë e dytë në një qeveri koalicioni të madh me PS-në…

Duke patur parasysh këtë histori të PD-së, të katër kandidatët, përveç premtimeve të ndryshme që po bëjnë këto ditë, duhet të bëjnë një premtim të veçantë, që ndoshta është më i rëndësishmi për të ardhmen e partisë. Ata duhet të premtojnë se në mbledhjen më të parë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, do të bëjnë një ndryshim në statutin e partisë, ku të shohet ky nen thelbësor: “Në qoftë se pas zgjedhjeve parlamentare, PD-ja nuk arrin të krijojë qeverinë si forcë e parë e saj, kryetari largohet automatikisht nga çdo post e organ partiak, duke mbetur vetëm një anëtar i thjeshtë i partisë (në qoftë se dëshiron)”.

Një nen i tillë pa ekuivoke do ta vinte në përgjegjësi të plotë këdo që do të zgjedhin në krye të tyre demokratët e thjeshtë më 13 qershor. Dhe ata nuk duan një kryetar/kryetare që t’i udhëheqë nga disfata në disfatë. Ata duan dikë që t’i udhëheqë drejt fitores. Dhe fitore për ta është vetëm kur PD-ja vjen në pushtet – ose e vetme, ose si partia më e madhe e një koalicioni qeveritar…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin