MENU
klinika

Analiza

Pendesa e Malit të Zi, ilustron rreziqet e investimeve kineze

08.05.2021 - 09:47

Nga Paweł Paszak

Komisioni Evropian, refuzoi muajin e kaluar propozimin e Malit të Zi për ta ndihmuar shtetin e vogël ballkanik në shlyerjen e një huaje prej 1 miliard dollarësh të marrë nga Kina për të financuar ndërtimin e autostradës Bar-Boljare.

Një zëdhënëse e Komisionit Evropian u shpreh se “Bashkimi Evropian nuk paguan huatë e palëve të treta”, duke shtuar se qeveria në Podgoricë ishte e lirë të bënte zgjedhjet e saj në fushën e investimeve.

Historia nisi në vitin 2014, kur kinezja “Exim Bank” lëvroi një hua prej 687 milionë eurosh për qeverinë e Malit të Zi për ndërtimin e 41 km rrugë të autostradës Bar-Boljare, me 2 për qind interes në vit, teksa shlyerja e huasë do të kryhej pjesë-pjesë në 20 vjet.

Banka kineze u zotua të sigurojë 85 për qind të financimit, ndërsa 15 përqindëshi i mbetur (120 milion euro), supozohej të sigurohej nga autoritetet lokale. Kontrata për të përfunduar projektet iu dha kompanisë China Communication Construction Company (CCCC) një degë e China Road and Bridge Corporation (CRBC), dhe punimet filluan zyrtarisht në nëntor 2015.

Duke pasur parasysh terrenin malor të Malit të Zi, ishte e qartë që në fillim se projekti do të ishte shumë i kushtueshëm. Rruga kërkonte 20 ura dhe 16 tunele. Por kostot e papritura shtesë dhe luhatjet e çmimeve, e kanë rritur ndjeshëm barrën financiare të projektit, që tani ka mbërritur në afro 1 miliard dollarë.

Kjo është një sfidë serioze për një vend me një PBB prej pak më shumë se 5.5 miliardë dollarë, dhe që u godit rëndë nga recesioni gjatë vitit të kaluar, për shkak të pandemisë. Sipas Bankës Botërore, rënia ekonomike e rriti borxhin publik në 105 për qind të PBB-së të Malit të Zi.

Autostrada e kushtueshme ka shumë kritikë në radhët e opozitës dhe shoqërisë civile, të cilët vunë në dukje rreziqet e varësisë nga Kina, shpërndarjen e gabuar të burimeve, dhe paqëndrueshmërinë e këtyre investimeve.

Projekti kinez ka ndjekur një model të njohur, ku kontrata për një projekt infrastrukture i jepet një kompanie kineze, me shumë pak informacion në dispozicion të publikut në lidhje me kushtet dhe efektivitetin e projektit. Kontratat negociohen mbi një bazë dypalëshe, ndërqeveritare, e cila përkeqëson rreziqet e mashtrimit dhe korrupsionit.

Prania e Kinës në Ballkan, nuk kufizohet vetëm në Malin e Zi. Në dekadën 2010-2020, Kina

i shumëfishoi përpjekjet e saj për të rritur profilin e vet, në një rajon që vuan nga mungesa e kapitalit dhe investimet në infrastrukturë.

Strukturat e dobëta shtetërore, nivelet e larta të korrupsionit, dhe marrëdhëniet e paqarta me Perëndimin, krijuan një terren pjellor për kompanitë kineze që kanë një mbështetje të fortë diplomatike nga Pekini.

Investimet në zhvillim e sipër përfshijnë ndërtimin e një ure të financuar nga BE në Pelješac të Kroacisë (me kosto 340 milion euro), autostradat Pojate-Preljna dhe Novi Sad-Ruma (Serbi, 850 milion dollarë), autostradën Preljina-Pozega (Serbi, 500 milion euro), autostradën Kërçovë-Ohër (Maqedonia e Veriut, 375 milion euro), dhe autostradën Banja Luka-Prijedor (Bosnjë Hercegovinë, 297 milion euro).

Kompanitë kineze janë gjithashtu përgjegjëse për përfundimin e pjesës serbe të hekurudhës me shpejtësi të lartë Beograd-Budapest (943 milion euro), Metronë e Beogradit (3 miliard euro) dhe termocentralin Kostolac B3 (293 milion dollarë).

Për më tepër, në vitin 2019, filloi ndërtimi i parkut industrial në Borca (330 milion euro), që pritet të bëhet projekti më i madh i këtij lloji në Evropën Qendrore dhe Lindore. Projektet e infrastrukturës të motivuara politikisht në Ballkan, i sigurojnë Kinës kontrata fitimprurëse për kompanitë e saj shtetërore, dhe ndërtojnë lidhje politike dhe ekonomike.

Siç e dëshmon më së miri shembulli i Malit të Zi, në shumë raste mungesa e vlerësimeve të efektivitetit të kostos, i vendos vendet pritëse në një pozitë të brishtë. Megjithatë, problemet e hasura nga autoritetet në Podgoricë, kanë potencialin e rritjes së ndërgjegjësimin në lidhje me disavantazhet e modelit kinez të bashkëpunimit.

Prandaj është thelbësore që BE-ja të sigurojë një financim të mjaftueshëm për infrastrukturën e rajonit, e cila ofron përfitime më të mëdha për kompanitë dhe komunitetet lokale, dhe mund të ofrojnë edhe përfitime më të mira mjedisore dhe në fushën e transparencës.

Brukseli po siguron tashmë grante dhe hua preferenciale nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB), siç është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Edhe për Malin e Zi, ka një farë drite në fund të tunelit, pasi Komisioni Evropian ka ofruar fonde për projekte të tjera të infrastrukturës përmes Planit të tij Ekonomik dhe të Investimeve prej 9 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, të miratuar vitin e kaluar. / “Center for European Policy Analysis” – Bota.al