MENU
klinika

Liderët më të këqij në botë gjatë pandemisë

Pesë liderët që e menaxhuan shumë keq situatën

19.05.2021 - 11:33

The Conversation

Pandemia e Covid-19 është shumë e vështirë për t’u kontrolluar, dhe udhëheqësit politikë janë vetëm pjesë e atyre që mbajnë përgjegjësi kur bëhet fjalë për menaxhimin e pandemisë.

Por disa udhëheqës aktualë dhe ish-udhëheqës,bënë pak përpjekje për t’i ndalur në kohë shpërthimet epidemike në vendin e tyre, qoftë duke e minimizuar ashpërsinë e pandemisë, duke mos marrë parasysh këshillat e ekspertëve apo duke injoruar masat shëndetësore si distancimi shoqëror dhe mbajtja e maskave. Të gjithë liderët e renditur në këtë listë bënë të paktën një nga këto gabime, ndërsa disa i bënë që të gjitha me pasoja vdekjeprurëse për shumë njerëz.

Narendra Modi në Indi (Sumit Ganguly, Universiteti i Indianës):

India është epiqendra e re e pandemisë globale, duke regjistruar këtë muaj rreth 400.000 raste të reja në ditë. Por kjo e dhënë zyrtare, nuk arrin që të përshkruajë tamam tragjedinë e madhe që po ndodh në këtë vend.

Pacientët e sëmurë me Covid-19 po vdesin nëpër spitale, pasi mjekët nuk kanë oksigjen dhe as ilaçe jetë shpëtuese si remdesivir. Shumë indianë fajësojnë një njeri për tragjedinë e vendit:kryeministrin Narendra Modi.

Në janar të këtij viti, Modi tha në një forum global se India e kishte “shpëtuar njerëzimin…duke e mbajtur në mënyrë efektive nën kontroll koronavirusin”. Në mars, ministri i tij i Shëndetësisë, deklaroi se pandemia ishte “në fazat e saj të fundit”.

Në fakt,Covid-19vetëm sa po kishte nisur të përhapej më me forcë në Indi dhe në mbarë botën. Por qeveria e tij nuk bëri asnjë përgatitje për raste të mundshme, siç ishte edhe shfaqja e një varianti më vdekjeprurës dhe më ngjitës të Covid-19.

Për më tepër, Modi dhe anëtarët e tjerë të partisë së tij zhvilluan tubime elektorale përpara zgjedhjeve të prillit. Pak nga të pranishmit mbanin maska. Ai lejoi gjithashtu një festival fetar që zgjati nga janari në mars, ku morën pjesë miliona njerëz. Tani, zyrtarët e shëndetit publik besojnë se ai festivali mund të ketë qenë ngjarja që e përhapi më shumë virusin.

Jair Bolsonaro në Brazil (Elize Massard da Fonseca, Fundação Getulio Vargas, dhe Scott L.Greer, Universiteti i Miçiganit)

Presidenti brazilian jo vetëm që dështoi të reagonte si duhej ndaj Covid-19, të cilin e konsideron si një “grip të vogël”, por e përkeqësoi vazhdimisht krizën në Brazil. Bolsonaro përdori kompetencat e tij kushtetuese për të ndërhyrë në çështjet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si protokollet klinike, zbulimi i të dhënave dhe blerja e vaksinave.

Ai kundërshtoi përdorimin e maskave në vendet fetare, dhe nuk shpërbleu profesionistët e shëndetit të dëmtuar përgjithmonë nga pandemia. Ndërkohë, ai pengoi përpjekjet e qeverive lokale për të promovuar distancimin social,dhe e përdori fuqinë e tij të dekretit për të lejuar qëndrimin hapur të shumë bizneseve, përfshirë llixhat dhe palestrat.

Ndërkohë, presidenti brazilian promovoi ilaçe të paprovuara, si hidroksiklorokina, për të trajtuar pacientët e sëmurë me Covid-19. Në dhjetor 2020, Bolsonaro deklaroi se nuk do ta merrte vaksinën anti-Covid për shkak të efekteve anësore.

Përhapja e pakontrolluar e virusit në Brazil, krijoi disa variante të reja të koronavirusit, përfshirë variantin P.1, që duket të jetë më infektiv. Shkalla e transmetimit të Covid-19 ka nisur më në fund të bjerë, por situata është ende shqetësuese.

Alexander Lukashenko në Bjellorusi (Elizabeth J. King dhe Scott L. Greer, Universiteti i Miçiganit)

Lukashenko, udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, nuk e ka pranuar asnjëherë kërcënimin e Covid-19. Në fillim të pandemisë, ndërsa vendet e tjera po futeshin nën bllokime, Lukashenko vendosi të mos marrë asnjë masë kufizuese për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Madje, ai pretendoi se virusi mund të parandalohej duke pirë vodka, duke shkuar për sauna dhe duke punuar nëpër ara. Gjatë verës së vitit 2020, Lukashenko deklaroi se ai ishte diagnostikuar me Covid-19 por ishte asimptomatik, gjë që i dha mundësi të vazhdonte të këmbëngulte se virusi nuk ishte një kërcënim serioz.

Thuhet se ai vizitonte pa maskë spitalet Covid-19, për të promovuar imazhin e tij të dëshiruar të një lideri të fortë. Bjellorusia sapo ka filluar fushatën e vaksinimit, por Lukashenko thotë se nuk do të vaksinohet. Aktualisht, më pak se 3 për qind e bjellorusëve janë vaksinuar kundër Covid-19.

Donald Trump në Shtetet e Bashkuara (Dorothy Chin, Universiteti i Kalifornisë, Los Angeles)

Trump nuk është më president, por keq-menaxhimi i pandemisë prej tij vazhdon qëtë ketë pasoja shkatërruese afatgjata në Shtetet e Bashkuara, sidomos në shëndetin dhe mirëqenien e komuniteteve me ngjyrë. Edhe pse afro-amerikanët dhe hispanikët përbëjnë vetëm 31 për qind të popullsisë amerikane, ata përbëjnë mbi 55 për qind të rasteve me Covid-19.

Edhe shkalla e papunësisë është jo-proporcionale.

Gjatë periudhës më të keqe të pandemisë, papunësia u rrit në 17.6 për qind për hispanikët, 16.8 për qind për afro-amerikanët, dhe 15 për qind për aziatiko-amerikanët, krahasuar me vetëm 12.4 për qind për amerikanët e bardhë.

Këto hendeqe i përforcuan pabarazitë ekzistuese si varfëria, paqëndrueshmëria e banesave dhe cilësia e shkollimit. Administrata Trump mbështeti zhvillimin fillestar të vaksinë. Por retorika e dezinformimit dhe anti-shkencës që ai transmetoi, vazhdon të kompromentojë rrugën e daljes së SHBA-së nga pandemia.

Andrés Obrador në Meksikë (Salvador Vázquez del Mercado, Centro de Investigación y Docencia Económicas)

Me 9.2 për qind të pacientëve të saj me Covid-19 që vdesin nga kjo sëmundje, Meksika ka shkallën më të lartë të fatalitetit në botë. Vlerësimet e fundit tregojnë se ky vend ka gjasa të ketë pësuar 617.000 vdekje, në të njëjtin nivel me SHBA-në dhe Indinë, që të dyja vende me popullsi shumë më të madhe.

Gjatë gjithë pandemisë, presidenti meksikan Obrador u përpoq të minimizonte seriozitetin e  situatës. Në fillim ai u rezistoi thirrjeve për të miratuar një bllokim mbarëkombëtar, dhe vazhdoi mbajtjen e tubimeve në të gjithë vendin para se Meksika të mbyllej për 2 muaj më 23 mars 2020.

Shpesh ai refuzonte të mbante maskë. Obrador rriti shumë pak shpenzimet për sektorin shëndetësor. Meksika u mbyll sërish për pak javë më dhjetor 2020. Sot mbajtja e maskave është rritur, dhe Meksika ka vaksinuar plotësisht 10 për qind të popullsisë së saj, krahasuar me vetëm 1 për qind në Guatemalën fqinje. Gjërat po përmirësohen, por rruga e daljes së Meksikës nga pandemia është e gjatë.