Një 62-vjeçar ra në prangat e policisë, pasi akuzohet për kultivim droge. Në kuadër të operacionit të koduar “Papafingo” u arrestua shtetasi Prend Çela, banues në Durrës.
Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira (papafingo), në lagjen nr. 13, Durrës, u konstatua se ky shtetas e kishte përshtatur banesën, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike dhe kishte ndërhyrë në matësin e energjisë elektrike.
Gjithashtu u proceduan penalisht, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasit Edmirand Estrefi, 34 vjeç banues në Xhafzotaj dhe Sokol Dalipaj, 38 vjeç, banues në Durrës, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, të cilët nuk kanë përmbushur detyrën sipas ligjit, pasi nuk kanë kontrolluar linjën elektrike dhe matësin e energjisë elektrike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bimë narkotike canabis sativa dhe pajisje që shërbenin për kultivimin e tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.