Misioni i SHBA-ve në OSBE përmes një deklarate përgëzon popullin e Shqipërisë, për angazhimin aktiv në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Në deklaratë theksohet se mbetet problem blerja e votës, rrjedhja e të dhënave personale të qytetarëve dhe përdorimi i administratës.
“Ne përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbajtjen e një procesi zgjedhor të mirë-organizuar dhe në mënyrë të përshtatshme transparente, pavarësisht nga sfidat e paraqitura nga pandemia dhe zbatimi i teknologjive të reja”, thuhet në deklaratë.
“Vëmë re se në këto zgjedhje patëm një zbatim të suksesshëm të Kodit të ri Zgjedhor, rezultat i një kompromisi të mundësuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Për më tepër, siç u përmend në raportin paraprak të ODIHR, shumica e ndërmjetësuesve të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (IEOM) përgëzuan sistemin e ri elektronik të identifikimit të votuesve dhe e vlerësuan sistemin si një mënyrë për të lehtësuar rrezikun e votimit të dyfishtë, votimit familjar dhe falsifikimit të zgjedhësve. Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të kënaqura të shohin të gjitha partitë përkatëse të marrin pjesë në zgjedhje, hera e parë që ndodh që nga viti 2017”, vijon deklarata.
“Ndërsa kishte shumë aspekte pozitive të zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara vërejnë në konstatimin e misionit vëzhgues të OSBE-së se partia në pushtet pati avantazh nga keqpërdorimi i burimeve administrative. Ne gjithashtu vërejmë konstatimin e tyre se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbetën një problem dhe ne përforcojmë shqetësimet mbi rrjedhjet e të dhënave personale, duke përfshirë preferencat politike të votuesve”, thuhet në deklaratë.
“Ne mirëpresim njoftimin e Gjykatës e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) për hetimet e krimeve zgjedhore”, vijon deklarata.