Kuvendi i Shqipërisë pritet të ngrejë një komision të ri hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Por duket se periudha e mbetur deri në përfundim të mandatit të këtij Parlamenti nuk i jep kohën e mjaftueshme për të hetuar dhe shkarkuar Presidentin e Republikës. Ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” përcakton qartë se katër muaj nga mbarimi i mandatit të këtij Kuvendi nuk mund të ngrihen komisione hetimore. “Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit”, thuhet në pikën 6 të nenit 4 të këtij ligji.
Kuvendi aktual ka nisur punën më 9 shtator 2017 dhe e përfundon mandatin e tij 4-vjeçar në 9 shtator 2021, që do të thotë se maxhoranca duhet ta përmbyllë hetimin e saj bashkë me votimin për shkarkimin e Presidentit brenda datës 9 maj, pra katër muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Nëse ky afat tejkalohet, i lind e drejta Gjykatës Kushtetuese që ta cilësojë komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta dhe produktin e tij, raportin që do të votojë Kuvendi, në shkelje të procedurës parlamentare dhe ligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore.
KUSHTETUTA
Konstitucionalistja e njohur, zonja Aurela Anastasi, e kontaktuar nga gazeta “Panorama.al”, tha dje se “procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës duhet të kalojë domosdoshmërisht në dy faza. Faza e parë zhvillohet nga Kuvendi, i cili në bazë të nenit 90, pika 2 të Kushtetutës, vendos miratimin ose jo të propozimit për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Përmes këtij vendimi, Kuvendi vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese”. E pyetur se sa vota i duhen Gjykatës Kushtetuese për ta kaluar në seancë plenare kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, zonja Anastasi tha se kërkohet shumica e anëtarëve të saj.
“Faza e dytë është gjykimi nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit e shqyrton çështjen paraprakisht dhe për kalimin e saj në seancën plenare vendos me shumicën e anëtarëve të saj (pra 5 vota). Nëse gjatë shqyrtimit në seancë plenare ajo arrin në përfundimin se Presidenti i Republikës ka shkelur rëndë Kushtetutën, deklaron shkarkimin e tij nga detyra. Ky vendim hyn në fuqi nga dita e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh zonja Anastasi.
Sipas saj, nga vendimi i Kuvendit deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, statusi i Presidentit nuk ndryshon. “Nga dita e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese vendi i Presidentit të shkarkuar mbetet vakant dhe kompetencat e tij ushtrohen nga Kryetari i Kuvendit (neni 91/1 e Kushtetutës), deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Në këtë rast mendoj se brenda 10 ditëve nga deklarimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit të Republikës, duhet të fillojë procedurën për zgjedhjen e Presidentit të ri”, u shpreh zonja Anasatasi. Konstitucionalistja e njohur shprehet se nuk ka një afat kohor për Gjykatën Kushtetuese për të vendosur për kërkesën e Kuvendit.
“Nuk ka parashikime ligjore nga Ligji për organizimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kohëzgjatjen e gjykimit të saj. Në disa gjykime të posaçme ligji ka parashikuar afate, por jo në këtë rast. Ndërkohë, Rregullorja e Kuvendit ka vendosur disa afate për procedurat parlamentare”, u shpreh për “Panorama.al” zonja Anastasi.
CFARE THOTE KUSHTETUTA
Neni 90
1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.
2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Neni 91
1. Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij.
2. Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.
Ligji për organizimin e komisioneve hetimore të Kuvendit Neni 4
Parime të përgjithshme
5. Komisionet hetimore të Kuvendit paraqesin rekomandime në seancë plenare dhe, kur këto miratohen, i dërgohen Prokurorit të Përgjithshëm për marrjen e masave të mëtejshme. 6. Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit.