Kryetarja në detyrë e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, reagon për “News24” dhe “BalkanWeb”, pas publikimit të videove në rrjetin social “Tik-Tok”, të cilat magjistratja i bënte brenda ambienteve të Gjykatës.
Lidhur me videot e publikuara në “Tik-Tok”, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë urdhëroi nisjen e hetimit disiplinor për kryegjyqtaren, e cila me emërim është nënkryetare e këtij institucioni. E kontaktuar nga “News24” dhe “BalkanWeb”, kryegjyqtarja Kapedani është shprehur se nuk ka “Tik-Tok”, ndërsa kërkon hetim të rastit për zbulimin e të vërtetës.
“Nuk disponoj “Tik-Tok”. Do hetohet rasti qe te zbulohet e vërteta. Ne momentin e duhur do vleresoj rastin dhe do ndjek rrugen ligjore. Nuk publikoj asjehere here ne rrjetet sociale foto apo video ne momentet e punes , por vetem familjen dhe fëmijët. Publikoj rralle foto me familjen dhe fëmijët”, ka thënë kryetarja e Gjykatës së Elbasanit.
Ndërkohë, në një reagim të dytë, kryegjyqtarja Kapedani thekson se “Qëndrimi im në lidhje me shpërndarjen e disa vidiove nëpër media. Si gjyqtare në radhë të parë dhe si nënkryetare e Gjykatës ndjehem keq nga publikimi i këtyre videove vetëm për të më dëmtuar imazhin. Unë si gjyqtare e kam të ndaluar të komentoj, por do pres me qetësi verifikimin e kësaj situate.
As si individ as si gjyqtare nuk jam krenare për vidiot e publikuara. Shpresoj që ky sulm mos të jetë ndaj meje sepse jam grua dhe nene.
Ndërsa kërkoj ndjesë për cilindo që është ndjer keq nga ato video. Dua të theksoj me forcë se asnjë insinuatë apo përbaltje nuk do më influencojnë të jap drejtësi dhe të punoj ndershmërisht si deri më sot”.