Në muajt e fundit vrasjet mafioze në mes të ditës brenda qyteteve kanë tronditur Vlorën dhe Elbasanin.
Tre nga ekzekutimet, vrasja e Everest Çakës në Elbasan dhe Bledar Birçajt e Delion Troqes në Vlorë kanë një të përbashkët, shënjestrat kishin vetëm pak kohë që ishin kthyer nga Spanja.
Në 10 Maj u vra Bledar Birçaj në mes të ditës me kallashnikov. Ai ka qenë i arrestuar në vitin 2011 për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë, por është liruar për mungesë provash dhe sapo ishte kthyer nga Spanja.
Në 11 Maj, pra një ditë më pas në Elbasan u ekzekutua Everest Çaka në sy të gruas, ndërsa çifti kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Spanja.
Edhe Delion Troqe që u vra mbrëmë në Vlorë kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer po nga Spanja.
Për të tre rastet, një nga pistat e hetimit është përfshirja e mundshme në aktivitete kriminale në këtë vend, arsye që mund të ketë sjellë larjen e hesapeve në Shqipëri.