Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka përshëndetur sot 9 Majin, Ditën e Europës. Ruçi deklaroi se së shpejti, kufijtë e Europës politike afrohen me ata të Europës kulturore
“9 Maji i sivjetëm është e dyta Ditë e Europës pasi Shqipëria ka merituar vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave. Dita e Europës pason ditën e fitores mbi fashizmin, dhe çlirimin e Europës. Prandaj Dita e Europës është Dita e Lirisë dhe Europa vetë është shtëpia e Lirisë.
Europa si projekt politik është një ndër projektet më frymëzues të njerëzimit. Por projekti europian shkon përtej kufijvë politikë; është një projekt human, moral, pajtues, qytetërues, perëndimor. Europianizimi, Perëndimizimi dhe Modernizimi përkojnë me njeri-tjetrin. Merita e qytetërimit europian dhe perëndimor është se nuk përjashton, por ndërton ura bashkëpunimi me qytetërimet e tjera të kohës sonë.
Sot, në Ditën e Europës, ne, shqiptarët, kemi shumë arsye të gëzojmë. Jo vetëm për rrënjët tona europiane, por edhe për aspiratat tona europaiste. Me kontributin, sakrificat dhe arritjet tona dhe të popujve të tjerë të Ballkanit Perëndimor ne po zgjerojmë projektin europian dhe po afrojmë kufijtë politikë të Europës në kufijtë kulturorë të saj. Nuk do të jetë e largët dita kur kufijtë e Europës politike dhe Europës kulturore do të jenë një dhe do të afrohen me kufijtë natyrorë të saj.
Është merita edhe e popujve tanë që Ballkani Perëndimor ka filluar të perceptohet si një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian. Asimetria e shkallës së demokracisë midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor po ngushtohet ndjeshëm. Jam krenar që integrimi europian është fari që ndriçon Kuvendin e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët dhe që vendimi konsensual i Këshillit Europian për çeljen e negociatave u arrit gjatë shërbimit tim si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.