Shefi i kabinetit në Presidencë, Edmond Panariti ka reaguar pas helmimit të tre anëtarëve të të njëjtës familje në Gjirin e Lalzit një ditë më parë, ku u tregon qytetarëve si të dallojnë kërpudhat para se ti konsumojnë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Panariti shkruan se në zonat pyjore të Shqipërisë rriten kërpudha helmuese që njihen si “Kësula e Vdekjes”, e cila përmban lëndë toksike amatoksinë, që i reziston nxehtësisë dhe nuk shkatërrohet gjatë gatimit.
Sipas tij e vetmja rrugë për të zbuluar lëndën helmuese është me anë të Wieland, ku nëse pikon një sasie acidi klorhidrik të përqendruar në tulin e kërpudhës, e cila përmban helm merr ngjyrë blu në të gjelbër, ndërsa te kërpudhat normale nuk merr ngjyrë.
Ai u bën thirrje AKU-së, se të gjithë prodhimet e kërpudhave, industriale dhe artizanale nuk duhet të përdoret pa kaluar këtë test, pavarësisht garancive të origjinës.
Panariti theksoi se ky test duhet të përdoret edhe nga mjekësia ligjore, për çertifikim përfundimtar të shkakut të vdekjes në rastet e helmimeve.
Postimi i plotë
Trishtim për humbjen e jetës nga helmimi i dyshuar nga konsumi i këpurdhave i familjes Kosovare, nga Gjilani.
Toksikologjia analitike ligjore duhet të thotë fjalën e fundit.
Megjithatë, është thuajse e pamundur të dallosh me sy të lirë llojet normale nga ato helmuese të këpurdhave.
Dy këpurdhat e para në foto janë shumë helmuese ndërsa e treta aspak. Por dallimi me sy të lirë është shumë i vështirë.
Kur them shumë helmuese, do të thotë se mjafton gjysëm këpurdhe për të shkaktuar vdekjen pas ngrënies.
Te ne, kudo në pyje dhe terrene me hije dhe me lagështi, rritet këpurdha helmuese “Kësula e Vdekjes”..
Kjo këpurdhë përmban lëndën toksike amatoksinë e cila i reziston dhe nuk shkatërrohet nga gatimi, zjerja, pjekja, skuqja.
Prandaj pas konsumit helmimi me të është i sigurtë.
E vetmja mënyrë për të zbuluar lëndën helmuese në këpurdha, eshtë me anë të provës Wieland, pra pikimi i një sasie acidi klorhidrik të përqëndruar në tulin e këpurdhës, e cila nëse përmban helm merr ngjyrë blu në të gjelbër.
Për fat të keq, nuk njihet ndonjë antihelm (antidot) specifik ndaj këtij helmi.
Por mënyra më e mirë e trajtimit pas helmimit është ajo me karbon aktiv nga goja, provokimi i të vjellave dhe pastrim sa më i shpejtë i zorrëve me klizëm, në mënyrë që të reduktohet sa më parë dhe sa më shumë sasia e helmit.Edhe trajtimi me atropine ndihmon..
Ky më poshtë është testi Wieland Meixner, për zbulimin në kohë të këpurdhave helmuese para se ato të na shkaktojnë tragjedi.
Eshtë përdorur për herë të parë në vitin 1979, dhe mban emrin e autorëve.Është i thjeshtë, praktik dhe i lirë. Mund të kryhet edhe nga laboratorët rajonalë.
Prova mbështetet në përdorimin e një cope letre filtri nga një letër të zakonshme me përmbajtje linjine, të zhytur në acid klorhidrik të përqëndruar, e cila më pas thahet dhe është e gatshme për përdorim.
Kjo copë letër në kontakt me këpurdhën helmuese merr ngjyrë blu në të gjelbër, ndërsa te këpurdhat normale nuk merr ngjyrë.
Të gjithë prodhimet e këpurdhave, industriale dhe artizanale nuk duhet të përdoren pa kaluar këtë test, pavarësisht garancive të origjinës.
Prandaj AKU, mbaj shënim dhe vepro sa nuk është vonë.
Ky test duhet të përdoret edhe nga mjekësia ligjore, për çertifikim përfundimtar të shkakut të vdekjes në rastet e helmimeve.