MENU
klinika

“Do bëjmë ca muaj burg, por..."/ Përgjimet e Sokol Sanxhaktarit

Si planifikonin të fshihnin vrasjen e “Flor Qorrit”?

29.05.2021 - 08:45

Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë dosjen për vrasjen e 30-vjeçarit Florian Lamçe, i njohur si “Flor Qorri”, ngjarje për të cilën u arrestuan 4 persona, mes tyre Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini.

Nga dosja e Prokurorisë mësohet se Sokol Sanxhaktari, viktima Florian Lamçe, Adriano Hajdari, Met Muça dhe dy persona të tjerë kishin konsumuar pije alkoolike për një kohë të gjatë në ambientet e lokalit dhe në vijim në orët e mesnatës kishin filluar të konfliktoheshin me njeri-tjetrin.

Ky konflikt është zhvilluar mes shtetasve Sokol Sanxhaktari, Adriano Hajdari dhe viktimës dhe kishte vazhduar me përdorim të dhunës me sende të forta dhe si pasojë shtetasi Florian (Shabani) Lamçe ka humbur jetën. Si Sanxhaktari, ashtu dhe Hajdari, kanë qenë nën efektin e pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike.

NGJARJA

Më 30 qershor të vitit të kaluar, rreth orës 15:30, Sokol Sanxhaktari e ka marrë në telefon viktimën dhe e ka ftuar për kafe te një lokal-kioskë afër Turizmit në pronësi të tij. Viktima ka shkuar menjëherë me shtetasin E.B. në lokalin në fjalë dhe atje kanë gjetur duke pirë birra dhe pije tjera alkoolike shtetasit Sokol Sanxhaktari, Muhamet Muci, Ardiano Hajdari, Bes Nikolla dhe Julian Lamce.

Viktima dhe Sanxhaktari kanë biseduar ne një ambient të veçuar ku dhe kanë marrë lëndë narkotike kokainë. Kanë qëndruar në lokalin në fjalë duke konsumuar alkool deri rreth orës 21:00 dhe Sokoli ka kërkuar që të largohen që andej dhe të shkojnë në një lokal tjetër aty afër, duke marrë dhe pijet me vete.

Gjithë personat që ishin në atë lokal kanë vajtur te një bar kafe jo shumë larg që andej dhe janë ulur në një ambient brenda këtij lokali. Aty viktima dhe Sanxhaktari kanë konsumuar përsëri pije alkoolike dhe lëndë narkotike, të cilën e konsumonin në tualetin e këtij lokali. Pasi ishin larguar disa persona, Sokol Sanxhaktari dhe viktima vazhduan përsëri të konsumonin pije alkoolike dhe kokainë, ndërsa personat e tjerë jo.

Pas kësaj, biseda midis Sanxhaktarit dhe Lamçes u acarua dhe qetësohej vetëm pasi konsumonin kokainën në banjë. Diku rreth orës 1 të natës shtetasi Muhamet Muça ka parë nga ekrani në titra në lidhje me një vrasje në Elbasan. Rreth orës 4 të mëngjesit, sipas dëshmive, ka ndodhur dhe dhunimi deri në vrasjen e 30-vjeçarit Lamçe.