MENU
klinika

thirrjet dëshpëruese të nënës dhe lutja për policët

Si u arrestua në varrimin e të vëllait 26-vjeçari?

01.05.2021 - 09:23

Dhjetëra banorë të fshatit Allebegi në Maqellarë të Dibrës janë vënë në ndjekje të Florian Tonuzit, 26-vjeçarit që i shkaktoi vdekjen vëllait të tij Benard Tonuzi.

Ngjarja e rëndë kriminale ndodhi dy ditë më parë, teksa vëllai i vogël i kërkonte Florianit të kthehej në shtëpi.

Por dje, në momentin kur të afërmit e familjes Tonuzi po i jepnin lamtumirën 23- vjeçarit, pak metra larg banesës kanë pikasur Florian Tonuzin. Mendohet se ai kërkonte të merrte pjesë në ceremoninë mortore të vëllait.

Mirëpo sapo ka parë fqinjët dhe banorët e fshatit që iu vunë pas, ai është larguar me shpejtësi. Në një video të siguruar nga gazeta të momentit kur kërkohej i dyshuari, dëgjohen thirrjet dëshpëruese të nënës së tij.

E tronditur nga humbja e djalit të vogël dhe e shqetësuar për shëndetin e djalit të madh, ajo dëgjohet teksa i thotë: “Shihe mamin djali im, hajde”. Ndërkohë i kërkon një prej oficerëve të Policisë që kishte pranë që t’i japin ushqim dhe ta çojnë në spital, teksa ai i siguron që nga Policia nuk e prek kush me dorë.

OPERACIONI

Në fshat ishin dje të dislokuara edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, të armatosur dhe me jelekë antiplumb. Banorët bashkë me forcat policore janë vënë në ndjekje të autorit të ngjarjes së rëndë.

Mësohet se Tonuzi ka lënë këpucët në një banesë të braktisur dhe është larguar nga dritarja e pasme, duke iu shmangur për disa minuta arrestimit. Kur Policia ka hyrë në banesë për ta kurorëzuar aksionin, autori ia kishte mbathur. Me drunj e mjete rrethanore banorët e fshatit dhe Policia kanë vijuar kërkimet në fshat.

Të frikësuar se Florian Tonuzi mund të kryente tjetër akt kriminal, ata kanë vijuar kërkimet në çdo banesë të braktisur të fshatit. Në pamundësi për t’u larguar, ai është izoluar dhe prangosur. Në momentin e ndalimit banorët janë qetësuar, sepse kontribuuan në arrestimin e një personi me rrezikshmëri të lartë.

“Autori u kap rreth dy kilometra larg shtëpisë së tij. Mësohet se ai kishte shkuar të merrte pjesë në varrimin e vëllait të tij, por familjarët e kanë diktuar, duke lajmëruar më pas Policinë.

Pasi ka parë forcat e Policisë, autori i dyshuar ka tentuar të largohet duke ikur me vrap. Ai u fsheh fillimisht në një banesë të vjetër, ndërsa u arrestua më pas në një nga rrugët e lagjes, pranë zonës ku ndodhi edhe krimi në familje”, bënë me dije zyrtarë të Policisë Dibër.

POLICIA

“Vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në fshatin Allabegi, ku humbi jetën një 23- vjeçar”, njoftoi dje Policia e Dibrës. Sipas Policisë, operacioni ishte finalizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, në bashkëpunim me DVP Dibër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në mesnatën e datës 29.04.2021, në Maqellarë, kanë ushtruar kontrolle në zonë dhe si rezultat u bë e mundur gjetja e vendndodhjes dhe kapja e shtetasit F. T., 26 vjeç, i cili ishte fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Kurbeg, Maqellarë. Ky shtetas, për motive të dobëta dyshohet se ka plagosur me mjet prerës vëllanë e tij, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme”, tha Policia.

Babai i 26-vjeçarit që vrau vëllanë: Dorëzohu bir, të paktën të të kem ty!

Krimet e kryera nga persona që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor janë raportime të përsëritura në median shqiptare. Janë të shumta raste të tilla tronditëse, ku madje krimi ndodh brenda familjes.

Një 26- vjeçar nga Maqellara, i cili vuan nga depresioni, dyshohet se goditi për vdekje të vëllanë dy ditë më parë. Babai i dy djemve rrëfen për “Shqipëria live” në “Top Channel” momentin kur pa djalin e vogël të plagosur.

“Ishte i vetëdijshëm, por kishte shumë gjakderdhje. Bernardin e çova vetë në spital, rrugës më tha: ‘Ma bëj hallall!’”, u shpreh dje babai i viktimës e autorit. Ai kishte edhe një apel për djalin, në arrati: “I them djalit tjetër, dorëzohu, do të lehtësohen gjërat. Të lutem babi dorëzohu, të paktën të jesh ti në shtëpi”. Ai konfirmon se 26- vjeçari vuan nga depresioni.

“Ishin shumë mirë. Ai i madhi ishte pak me depresion. Depresioni e mori në qafë. Djali i vogël punonte me delet, i madhi në lokal”, shprehet i ati.

I riu kishte vajtur dënimin për dhunë në familje, konkretisht ndaj të atit dhe pasi ka dalë, është bërë përdorues i lëndëve narkotike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN