MENU
klinika

Mesazhet e Ramës, Metës e Ruçit

Sot 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Kombit!

05.05.2021 - 08:55

Sot, është Dita e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Në nderim të kësaj dite kanë ardhur dhe mesazhet e para nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta, të cilët shprehin mirënjohje dhe respekt për dëshmorët.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar çdo vit. Edhe sot pritet të ketë homazhe në nder të tyre.

Ruçi, mesazh për Ditën e Dëshmorëve: Përulem me respekt para patriotëve që dhanë jetën për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së atdheut

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në Ditën e Dëshmorëve të Atdheut ka një mesazh.

Përmes rreshtave të dedikuara për këtë ditë të rëndësishme, Ruçi shpreh respektin dhe nderimin për dëshmorët.

Kryetari i Kuvendit shkruan se ndihet krenar që kontribuoi që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësonte ligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, veprën, vlerat, familjet dhe pasardhësit e tyre..

Mesazhi i Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi:

 “Çdo 5 maj, Shqipëria, si të gjithë kombet e qytetëruar nderon dëshmorët e saj. Respekti dhe nderimi për dëshmorët është shenjë e pjekurisë dhe fuqisë së një kombi. Respekti për të kaluarën është një investim për të ardhmen.

Sot përulem me respekt para dëshmorëve që ranë për pavarësinë e Shqipërisë.

Para patriotëve që kanë dhënë jetën për mbrojtjen e integritetit territorial, trojeve, lirisë e pavarësisë së atdheut.

Para 28 mijë dëshmorëve partizanë që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë. Sot kujtoj vizitën në familjen e pasardhësve të njerit prej tyre, i cili me kursimet e fituara nga jeta në mërgim bleu një maliher dhe doli malit partizan. 

Përulem para kujtimit të luftëtarëve partizanë të huaj që ranë për çlirimin e Shqipërisë.

Para dëshmorëve të Shqipërisë që dhanë jetën duke luftuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Para oficerëve e policëve dëshmorë të rënë në krye të detyrës, të cilët i kujtojmë e nderojmë bashkë me fëmijët dhe familjet e tyre.  

Para vajzave e djemve të Shqipërisë që kanë dhënë jetën gjatë misioneve paqeruajtëse të NATO-s, në mbrojtje të lirisë së popujve të tjerë dhe të mbrojtjes së paqes e sigurisë nga terroristët.

Para dëshmorëve të kohës sonë që kanë rënë në krye të detyrës për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga krimi dhe mbrojtjen e pronës publike nga fatkeqësitë natyrore. 

Çdo kohë ka dëshmorët e saj dhe ne i nderojmë ata duke punuar çdo ditë për idealet e tyre, për Shqipërinë.

Dëshmorët nuk janë më fizikisht.  Por me ne janë idealet dhe vepra e tyre. Nuk janë më nënat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por janë mbesat, nipat e stërnipat e tyre. Janë fëmijët e oficerëve dhe policëve të rënë në krye të detyrës. Janë fëmijët, nënat, motrat e vëllezërit e vajzave e djemve të rënë për lirinë e kombeve të tjera, të rënë në luftën kundër terrorizmit e krimit, në luftën për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës publike.

Unë ndjehem krenar që kontribuova që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësojë ligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, veprën, vlerat, familjet dhe pasardhësit e tyre.”, 

Edi Rama uron 5 Majin me foto të monumentit për ‘Dëshmorët e Atdheut’: Respekt përjetësisht

Kryeministri Rama e nis ditën me një urim për 5 Majin, ditën e “Dëshmorëve të Atdheut” duke publikuar foto të monumentit “Nëna Shqipëri”.

“Mirëmëngjes Shqipëri. Respekt përjetësisht”, shkruan kryeministri Rama.

Meta: Sot është dita e Qemal Stafës, lavdi e përjetshme dëshmorëve të Atdheut
1620195657_ilirmeta.jpeg

Presidenti Ilir Meta, me rasatin e Ditës së Dëshmorëve nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, shpreh mirënjohjen dhe respektin për Dëshmorët e Atdheut të çdo epoke.

“Sot është dita e Qemal Stafës dhe e mijëra të rinjve dhe të rejave, që dhanë jetën për Lirinë e Shqipërisë. Lavdi e përjetshme, nderim, respekt dhe mirënjohjen më të thellë Dëshmorëve të paharruar të Atdheut, të çdo epoke”, shkruan Meta.