Mijëra tifozë të Milanit i janë përgjigjur thirrjes nga Curva Sud dhe janë të pranishëm në Milanello për të mbështetur ekipin kuqezi në sfidën vendimtare për Ligën e Kampioneve kundër Atalantas.
Kore, flamuj e tymuese nga tifozët, që presin kalimin e autobusit të ekipit që do të niset për në Bergamo.
E njëjta si në rastin e ndeshjes kundër Juves, të fituar 3-0 nga Milan, ku tifozët ishin mbledhur në Milanello për një kënaqësi të vërtetë për lojtarët.
Serie A do të luajë sot (20:45) javën e fundit, çka do të zbulojë edhe dy skuadrat që do të marrin pjesë në Champions, përveç Interit dhe Atalantës. Napoli-Verona, Atalanta-Milan dhe Bologna-Juventus marrin vëmendjen.
Si kualifikohet Milan – Fiton kundër Atalantës, pavarësisht rezultateve të Napolit e Juves. Barazon me Atalantën dhe të paktën njëra mes Napolit e Juves nuk fiton në duelet respektive. Humb me Atalantën dhe Juventusi nuk fiton në Bologna. Humb me Atalantën dhe Napoli humb me Verona-n.
Si kualifikohet Napoli – Fiton me Veronën, pavarësisht rezultateve të Milanit e Juves. Barazon me Veronën dhe Juventus nuk fiton në Bologna. Barazon me Veronën dhe Milani humb me Atalantën. Humb me Veronën me 9 gola diferencë dhe Juventus nuk fiton me Bologna-n të paktën 10-0 (10 gola diferencë), për të futur në lojë golavarazhin e përgjithshëm, duke qenë se pikët dhe golat në duelet direkte Napoli e Juvja i kanë në baraspeshë totale.
Si kualifikohet Juventus – Fiton në Bologna, ndërsa njëra mes Napolit e Milanit nuk fiton. Barazon kundër Bologna-s dhe Napoli humb me të paktën 10 gola diferencë kundër Veronës. Ndërkohë, ekziston edhe mundësia e një arritjeje të këtyre tri skuadrave me pikë të barabarta në fund, në kuotën 76 pikë nëse: Milani humb me Atalantën; Napoli humb me Veronën dhe Juventusi barazon në Bolonja.
Nëse kjo situatë ndodh, atëherë ekipet që kalonin në Champions janë Napoli e Milani, pasi Juventus i ka në disfavor duelet e golat në ndeshjet direkte, por edhe golavarazhin e përgjithshëm ndaj të kaltërve.