Turistët e parë ukrainas mbërritën në vend më 25 prill. Frekuenca e charter-ave që sjell këtë grup të organizuar pritet të rritet në vazhdim, duke dhënë optimizëm se vera e këtij viti do të jetë më e mirë. Në rang global për COVID-19 ka më shumë informacion, paniku është ulur disi, ka një plan të gjerë vaksinimi dhe një alarm të kuq të sektorit të turizmit i cili kërkon hapjen me çdo kusht. Janë të gjithë këta tregues që e bëjnë më premtues sezonin veror në përgjithësi.
Por kur analiza kalon në vende të veçanta, ecuria do të varet nga zhvillimet e brendshme. Operatorët turistikë bien dakord se tregje të tillë si Ukraina dhe Bjellorusia, ku nuk ka masa që imponohen nga Bashkimi Europian, mund të kenë prani të gjerë në bregdetin tonë, që tashmë e kanë nisur. Ndërsa për Rusinë, një treg i madh dhe i rëndësishëm, vendimi është politik dhe do të varet shumë nga lobimet që bëhen mes qeverive. Vendimet e Bashkimit Europian për hapjen do të jenë gjithashtu vendimtare për turistët potencialë që mund të na vizitojnë ku zviceranët, polakët dhe çekët kanë dhënë një miratim paraprak, ndërkohë që gjermanët dhe nordikët mbeten skeptikë.
Kosova gjallëron bregdetin në Shëngjin, por me qëndrime të shkurtra
Mbyllja që zbatoi Kosova si masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19, në jo pak raste bëri që në dogana të krijoheshin radhë të gjata me shtetas që i drejtoheshin Shqipërisë, e cila nuk aplikoi mbyllje në asnjë moment. Operatorët turistikë vendas shprehen se pandemia i ktheu sytë nga Kosova duke i dhënë një rëndësi më të madhe dhe duke përshtatur paketa të dedikuara për këtë treg. Bledar Shima nga resorti “Rafaelo” në Shëngjin shprehet se lëvizjet në zonën e bregdetit kanë nisur prej disa javësh. Sipas tij, këtë vit organizmi ka qenë më i mirë me agjencitë në Kosovë.
“Kemi bërë paketa të dedikuara dhe jemi organizuar me agjenci në Kosovë. Promovimi dhe shpërndarja nëpërmjet tyre ka rezultuar e suksesshme. Është hera e parë që e aplikojmë, pasi na duket më e kanalizuar. Kjo na mundëson që të mos bëhen rezervime të shpejta dhe jo të kontrolluara, të cilat krijojnë amulli por gjithçka bëhet me transferta bankare dhe me transparencë të plotë dhe për në është më mirë. Viti 2020 dhe 2021 na kanë bërë të mendojmë gjithmonë e më shumë se cilat do të ishin lëvizjet më të mira që të siguronim qëndrimin në treg në kohë pandemie” – shprehet ai.
Në lidhje me tregun mbarëshqiptar, Shima vlerëson se agjencitë e Kosovës janë të organizuara më mirë se ato të Maqedonisë së Veriut. Kryesisht Maqedonia e Veriut, nëse ka interes, telefonon 2-3 ditë para për ardhjet, por numri i turistëve është i ulët. Edhe pse ka një frekuentim nga Kosova, përfaqësuesi i “Rafaelo Resort” shprehet se tregu mbarëshqiptar është i pamjaftueshëm për kapacitetet që ka vendi.
“Në kemi 2000 shtretër kapacitet dhe pavarësisht se kemi pasur prani të vazhdueshme të tregut të Kosovës, nëse do të mbetemi vetëm me të edhe gjatë këtij viti, mendoj se nuk do të jetë e mjaftueshme për të siguruar një vit të mirë turistik.
Jemi bërë elastikë gjatë kësaj kohe, duke u përshtatur për çdo kërkesë të turistëve sa u takon paketave. Kemi bërë si paketa me të gjitha të përfshira, ashtu edhe me fjetje dhe dy vakte apo fjetje dhe mëngjes. Tregu të dikton që të kesh këtë lloj përshtatjeje. Kostot e paketave janë rritur në njërën anë, por ne kemi ulur çmimet duke hequr nga marzhi ynë i fitimit, sepse e kuptojmë që po jetojmë në kohë jo normale” – thotë ai.
Sipas Shimës, shumica e turistëve nga Kosova të cilët kanë vizituar Shëngjinin këto kohë kanë qenë familjarë në 95 për qind të rasteve dhe maksimumi i qëndrimit është 1-2 net, vetëm në fundjavë.
Në Durrës, frekuentimi më i lartë në fundjavë, si po funksionojnë paketat
Zona e Golemit në Durrës ka qenë gjithashtu e preferuar nga turistët e Kosovës. Strukturat hoteliere të zonës raportojnë se frekuentimi ka qenë kryesisht në fundjava, kur edhe moti ka qenë i mirë. Fatos Çerenishti, administrator i “FAFA Group”, tha se pavarësisht turistëve nga Kosova, koha e qëndrimit nuk është e gjatë.
“Qëndrojnë një ose dy net dhe kjo për ne si struktura është shumë pak për të bërë diferencë. Ne jemi orientuar drejt paketave 1-2-ditore. Kemi bërë edhe treditore në disa raste, por nuk para ecën. Tregu i Kosovës na ndihmon, por nëse e shohim si sektor nuk mund të plotësojë gjithë nevojën që ka turizmi në Shqipëri. Është pozitive, por nuk na ndryshon. Shqipëria ka 100 mijë shtretër dhe për të plotësuar për të gjithë sezonin këtë nivel, tregu i Kosovës është i vogël” – pohon ai.
Ajo që vihet re nga qëndrimet e turistëve është një preferencë e tyre për paketat e gatshme, sidomos te familjet. Kjo do të thotë që nga oferta fjetje me dy vakte të përfshira ose fjetje dhe mëngjes, preferenca ka qenë për të parën.
“Kemi hartuar dy paketa, mëngjes dhe fjetje, ose fjetje dhe dy vakte dhe familjet zakonisht preferojnë këtë të dytën, kurse të rinjtë duan më shumë liri dhe zgjedhin paketën e thjeshtë” – pohon Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”.
Polakët dhe çekët mund të rikthehen, në pikëpyetje nordikët, serbët dhe bullgarët në test
Nordikët, një grup i rëndësishëm i turistëve në zonën e Golemit nuk erdhën gjatë vitit 2020 dhe prania e tyre këtë vit nuk është e sigurt. Kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, shprehet se vendimi i Bashkimit Europian për hapjen i mban pezull disa negociata me partnerët ndërkombëtarë. Aktualisht kemi marrë një konfirmim paraprak, por ende jo të sigurt që pas datës 25 maj do të nisin charter-at nga Polonia dhe më vonë ato nga Çekia. Sigurisht kjo do të varet nga zhvillimet e pandemisë dhe politikat që aplikon secili shtet për kufizimet apo lehtësimet. Për grupin e nordikëve, i rëndësishëm në sektor vitet e kaluara, ende nuk kemi ndonjë datë se kur do të rikthehen në bregdetin shqiptar.
Qeveritë e tyre janë më skeptike dhe mbajnë masa të forta kufizimi për udhëtimet. Gjermanët dhe zviceranët janë gjithashtu të interesuar, por ndërsa për të parët nuk ka ndonjë lëvizje, për të dytët, partnerët tanë kanë bërë rezervime dhe do të punojnë me linjën që vjen dy herë në javë nga Zvicra, e cila nis javët e ardhshme” – shprehet Kasa.
Ndërkohë që kanë vijuar rezervimet nga ukrainasit dhe bjellorusët duket se disa tregje të reja janë afruar për të testuar Shqipërinë. Bëhet fjalë për serbët, të cilët vjet i hasje si turistë individualë si dhe për bullgarët. Është rritur interesi nga Bullgaria.
Për Pashkë, kishim disa grupe bullgarësh. Janë ato agjenci që bashkëpunuar edhe më herët për organizimet e festave të fundvitit. Këtë herë kanë vendosur të testojnë tregun shqiptar në verë, duke futur një charter. Vërej se nga Serbia është rritur interesi. Më parë, turisti serb ka qenë sporadik, ndërsa këtë vit duan të organizohen me chartera dhe ka kompani të cilat po merren seriozisht me këtë pjesë. Përqendrimi dhe gjithë piku këtë vit do të jetë korrik-gusht” – shprehet Blerim Norja.
Hapja e Greqisë mund të sjellë “rrjedhje” të turistëve që i ikin Shqipërisë
Situata e vështirë ku ndodhen ekonomitë e thuajse gjithë globit prej pandemisë ka sjellë një konkurrencë agresive në tërheqjen e turistëve sapo të bëhet hapja. Vaksinimi i ishujve kryesorë turistikë, i punonjësve të sektorit e dhënia e ndihmave financiare për të rindezur motorët e aktivitetit janë parë me përparësi nga vendet që kanë turizmin si sektor kryesor.
Sa i takon mbështetjes që qeveria i ka dhënë sektorit të turizmit, Shqipëria mbetet pas ndërkohë që gara me konkurrentët rajonalë pritet të jetë më agresive. Operatorët turistikë vlerësojnë se hapja e Greqisë pa kushte të një pasaporte vaksinimi dhe mirëpritja e turistëve nga të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kina e Rusia mund të bënin që Shqipëria të humbasë një pjesë të mirë të turistëve dhe bëhet fjalë për ata elitarë.
“Hapja e kufirit me Greqinë do të thotë që pjesa e rëndësishme e turizmit elitar do të kalojë aty dhe do të përdorë Greqinë si trampolinë, gjë që do të ketë ndikim shumë të madh. Flasim për një Shqipëri që mesatarisht siguron, sipas një studimi të fundit, gati 390 USD për turist, ndërkohë që Kosova ka dyfishin e të ardhurave për turist. Ka një turist me potencial pasi ka diasporën që paguan dhe shpenzon. 2.5 herë më shumë për turist. Për të thënë të vërtetën, Greqia është në një moment krize të jashtëzakonshme.
Ka pasur vetëm 23 për qind të numrit të turistëve të vitit 2019, vitin e shkuar, që do të thotë se i mungojnë 26 milionë turistë një vendi me 11 milionë banorë. Është një luftë shumë e madhe për mbijetesë. Greqia ka përgatitur një plan për të dhënë një fond për turizmin gati 300 mln euro, që do të jenë grante për të nisur sezonin turistik. Jemi në një situatë të pabarabartë, ku rajoni po mendon gjerësisht” – shprehet Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit.
Sipas tij, javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë se cila do të jetë situata e turizmit në vend, bazuar në ngjarjet që do të ndodhin me Europën dhe hapjen e fqinjëve. /MONITOR/