“Unum Festival 2021”, shpreson shumë që të rikthehet me koncertet e saj në brigjet shqiptare, më konkretisht në Shëngjin.
Ashtu sikurse ndodhi në vitin 2019-ë, ky festival, ka shprehur dëshirën që të ripërsëritet sërish këtë sezon veror.
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, i cili ishte ftuar në konferencën e prezantimit të festivalit, tha se është aventureske të parashikohet ecuria e COVID-19 deri në muajin qershor, ndërkohë që shtoi se duhet të diskutohet me Komitetin Teknik dhe koordinohet me Ministrinë e Shëndetësisë për realizmin e këtij koncerti.
Ndërkohë, organizatori i këtij festivali, një shqiptar nga Kosova, u shpreh se deri më tani kërkesat kanë qenë të mëdha e janë shitur rreth 6 mijë bileta.
Premtohet nga ana e tyre që pjesëmarrësit do të jenë duhet të kenë bërë një test COVID, e pas koncertit do të aplikohen për të gjithë teste rapide, ose të shpejta.
“Nuk di kë të falenderoj më përpara. Do të doja të të falenderoja shpirtin e festivalit Unum që po na fut të gjithëve në një aventurë. Të programosh si do të jetë situata e COVID në qershor është pak aventuriere.
Duam ta kemi në kontroll pandeminë dhe të kemi mundësinë që Komiteti i Ekspertëve të marri parasysh kërkesën e kahershme të festivalit, që të mbërrijnë në Shëngjin një numër të konsiderueshëm të rinjsh dhe të kemi një festë post-COVID. Kur shikon videon e festivalit para dy vitesh, shikohet se sa jemi stresuar këto dy vite dhe sa larg kemi qenë jetës sociale. Shpresojmë që festivali Unum të jetë një shenjë e fortë që ne ia dolëm, e menaxhuam këtë situatë të vështirë dhe jemi të gatshëm të hapim një sezon turistik të fortë.
Ne duam të jemi kampionë të turizmit në Ballkan, e për të qenë në krye, duhet të kemi festivale si kjo e Unum-it. Ky bregdet është i gjithë shqiptarëve. Ky bregdet është i shqiptarëve të Vlorës, Lezghës, Tiranës, Shkodrës, ashtu sic është njëlloj i shqiptarëve të Prizrenit, Pejës, Prishtinës, sepse jemi të gjithë shqiptarë. Do të doja shumë që festivali të ishte brenda rregullave që duhet të përcaktojmë me Ministrinë e Shëndetësisë për këtë festival. Organizatorët na kanë premtuar që do të bëhet një testim për pjesëmarrësit.
Po ashtu me Ministrinë e Shëndetësisë po punojmë për të vaksinuar personelin e rrjeteve hoteliere. Është shumë aventurë ta themi këtë, por shpresoj t’ia dalim dhe të kemi rregulla të forta. Janë fjalë të trishta, por të jemi të kujdesshëm dhe të shërbejë që të kemi ën Shqipëri një sezon turistik fantastik. Do ia dalim të jemi kampionë turistikë në Rajon. Faleminderit organizatorëve”, u shpreh Klosi.