MENU
klinika

COVID-19

“Varianti indian në Shqipëri?”, Rakacolli: S’kemi dërguar mostra për verifikim

27.05.2021 - 20:25

Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve Mira Rakacolli, e ftuar në Radari Informativ në “ABC” foli për vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve për lehtësimin e masave kundër Covid.

Rakacolli u shpreh se masat lehtësohen në bazë të indikatorëve, duke shtuar se Komiteti Teknik është treguar gjithmonë i kujdesshëm në lehtësimin dhe shtrëngimin e masave.

Ndërsa u ndal tek varianti indian i Covid, Rakacolli u shpreh se është paraqitur shqetësues ne Indi.

Kujtojmë se më herët në vendin tonë një 50-vjeçar nga Cërriku i cili ndërroi jetë nga Covid, sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik të Elbasanit kishte simptoma të ngjashme me mutacionin indian të koronavirusit.

Por Rakacolli sqaroi se nuk janë kryer analiza laboratorike për të vërtetuar nëse ka apo jo variant të virusit indian në Shqipëri.

 “Ne akoma nuk mund të bëjmë analizën genetike në Shqipëri. ISHP po punon edhe për të realizuar analizën e një sekuence genetike në Shqipëri. Kjo është ende në program. Për momentin për virusin indian nuk janë dërguar mostra për verifikim”, tha ajo.

Gjatë bisedës në studio me gazetaren Jonida Shehu, Rakacolli tha se Komiteti Teknik nuk doli në një vendim një datën 20 maj pasi duhej më shumë kohë  që anëtarët të arrinin në një konkluzion të saktë.

“Nuk mund të quhet pa kufizime ligjore. Sepse në vlerësime situatash nuk mund të ketë ditë fikse. E kam thënë edhe herë të tjera që ne diskutojmë çdo ditë. Pra na u desh pak më shumë kohë që të arrinim në konkluzion pasi çdo masë ka pasojat e saj”, tha Rakacolli.