Komuniteti Mysliman mbërrin në Gjykatën e Lartë. Shkak është bërë mosnjohja nga ana e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për një tokë prej 5300 metra katrorë në zonën e Karpenit në Kavajë.
Çështja është depozituar në gjykatën e lartë në fillim të prillit, pasi institucionet nuk kanë gjetur zgjidhjen për këtë pronë.
Agjencia e Trajtimit të Pronave nuk e ka njohur të drejtën e pronësisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Myftinia Kavajë për pjesën e tokës së pretenduar, por vetëm një pjesë të saj, raporton newsbomb.al.
Komuniteti Mysliman pretendon se ka një vendim të datës 19 dhjetor 2018 që I njeh të drejtën e pronës në Karpen të Kavajës. Por Kadastra, nuk i jep hipotekën për këtë truall, duke pretenduar se nuk është tokë e komunitetit në bazë të dokumenteve të administruara.
E ndërkohë, palët do të presin vendimin e gjykatës së lartë për të vendosur nëse zona prej 5300 metra katrorë në Karpen do të shfrytëzohet për qëllime turistike, apo do ti kalojë Myftinisë së Kavajës.