Kreu i Kadastrës, Artan Lame, deklaroi se deri në fund të këtij viti pritet që të mbyllet procesi i regjistrimit të tokave në bregdetin e Jugut.
I ftuar në rubrikën “News 24”, Lame tha se kjo gjë do të ndodh pas 107 vitesh, që nga koha e pavarësisë së Shqipërisë.
“Nuk ka akuza për një rast të vetëm të tjetërsimit të regjistrimit. Këtë e them me krenari. Pardje u afishuan 2 zona të reja në Lukovë. Nxirret harta e Lukovës, e përfunduar, nxirret lista e përfituesve dhe për 45 ditë kanë afat që të kontrollojnë të dhënat për pronën dhe pas këtij afati përpunohen dhe lëshohen certifikatat. Kjo po vazhdon në të gjithë bregdetin e jugut. Besoj që nga fundi i vitit mbaron pas 107 vitesh pavarësi, regjistrimi i pronave në bregdetin e Jugut”, tha Lame.
Duke u ndalur te ligji 7501, kreu i Kadastrës shtoi se, “ligji 2020 zgjidhi një pjesë të mirë të të gjitha problematikave që kishte mbartur legjislacioni tjetër. Vjet u dhanë 18700 certifikata të tokës bujqësore. Ky ritëm duhet të vazhdojë që të mbyllet masa e regjistrimit të tokës bujqësore”.
LEGALIZIMET
Veç të tjerash, kreu i Kadastrës tha se qendrat e qyteteve kanë ndjeshmëri më të madhe dhe duhet të verifikohen nëse ka edhe disa raste kur nuk duhet të legalizohen.
“Mesi i Tiranës, apo mesi i Durrësit, apo i Fierit, i Korçës, nuk janë vende ku duhet të legalizojmë, por janë vende ku duhet pastruar. Kadastra prodhon 2 mijë e 500 leje legalizimi në muaj. Ne qendrat e qyteteve duhet të vijojmë të spastrojmë shtesat që bllokojnë një trotuar apo një kalim. Ndaj ecet me ngadalë në pjesën tradicionale të qytetit. Çështja e pallateve është më siklet.
Në çdo javë legalizohen 2-3 pallate. Këtë javë të jap 2 pallate në Dajt dhe dy objekte në njësinë 6. Pra, çdo javë ka pallate që vijon legalizimi. Procesi i pallateve është proces i shtuar për Kadastrën. Ka ende shumë pallate pa legalizuar, ku disa objekte kanë shkelje në leje. Me ndërtimet pa hipoteka ka dy probleme, aftësia e shqiptarëve për të krijuar probleme tejkalon mundësinë e administratave në mbarë botën. Nëse do të flasim për probleme, për dhimbje koke, në Kadastër, nuk janë këto”, pohoi ai.
REFORMA
Kreu i Kadastrës, ka zbuluar edhe nevojën emergjente që ka institucioni që ai drejton për inxhinierë, topografë e gjeodetë, duke vënë në dukje se institucioni ka nevojë të përmirësohet.
“Nëse do bënim një skemë si funksionon viti i punës, jo vetëm Kadastra.në shtator fillon sezoni i ri i punës pas pushimeve. Duhet ta gjejë shtatori të përfunduar reformën. Nëse do të jenë të gjithë drejtuesit e rinj të vendosur. Në këtë moment duhet të bëjmë konkurrimin, duket moment i çuditshëm prej sezonit veror, në këtë moment duhet hapur gara për drejtuesit e rinj në drejtori.
Kemi parasysh edhe faktorin tjetër, reforma në fushën e pronës dhe në veçanti tek institucioni ka komponentë ligjorë, janë 26 vendime qeverie të miratuara në bazë të legjislacionit të ri dhe baza organizative që ka ende nevojë për tu përmirësuar. Pika më e dobët është materiali njerëzor. Ka probleme sa të duash, por kryesorja janë njerëzit”, theksoi Lame.