Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin e parë me palën serbe, ka bërë katër propozime.
Mes të tjerave, në pikën dy Kurti ka kërkuar që dy vendet Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.
Sipas kryeministrit Kurti, pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet do të ketë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave.
PROPOZIMET E ALBIN KURTIT
Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.
ÇFARE THA VUÇIÇ
Takimi ka zgjatur më pak se dy orë, ndërsa Aleksander Vucic ka thënë se ka pasur “provokime” nga ana e Kosovës.
Ai u shpreh se gjate takimit nuk ka pasur fyerje, por “përgjigje të rrepta”.
“Ai erdhi duke mos u pajtuar për asgjë. Erdhi e më pyeti se kur do ta njohim Kosovën. I kam thënë kurrë. Ka shpërthyer”, ka thënë Vuçiç pas takimit, raportojne mediat ne Kosove.
TAKIMI NE PRANI TE PËRFAQËSUESVE TE BE
Takimi u zhvillua ne prani te Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe Përfaqësuesit i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ky ishte takimi i parë që zhvillohet mes Kurtit dhe Vuçiçit.
Para takimit mes të gjitha palëve, Borrell e Lajçak takuan ndaras fillimisht Kurtin e më pas Vuçiçin.
Në konferencën për media, të mbajtur para të gjitha takimeve, Borrell u shpreh se “e di që dialogu është proces i vështirë, por i domosdoshëm për të dy palët”.
Ai u shpreh i lumtur që dialogu po zhvillohet në një kohë kur Bashkimi Evropian po vizitohet nga presidenti amerikan, Joe Biden.