MENU
klinika

"Partneriteti ynë po forcohet dhe thellohet"

Ambasadorja amerikane poston foton e Ramës me Blinken

14.06.2021 - 09:00

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim ka postuar një foto të kryeministrit Edi Rama dhe Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken gjatë konferencës së përbashkët, ku u firmos marrëveshja për rrjetin 5G.

Teksa thotë se Rama dhe Blinken riafirmuan bashkëpunimin e SHBA dhe Shqipërisë, diplomatja amerikane thekson se partneriteti mes dy vendeve po forcohet dhe thellohet.

“Në takimin e tyre, Sekretari i Shtetit Blinken & Edi Rama riafirmuan bashkëpunimin në të gjithë bordin, përfshirë mbrojtjen dhe ruajtjen e infrastrukturës së telekomunikacionit. Ne gjithashtu shpresojmë tek Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të Kombet e Bashkuara. Siç tha Blinken, partneriteti ynë po forcohet dhe thellohet.” shkruan Yuri Kim.

MARREVESHJA PER 5G

Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kanë nënshkruar dje marrëveshjen për koordinimin e teknologjisë 5G mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Marrëveshja u nënshkrua gjatë takimit të tyre në Bruksel, një ditë përpara mbajtjes së Samitit të NATO-s, ku do marrë pjesë edhe Presidenti Amerikan Joe Biden. Për Sekretarin Amerikan, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje për teknologjinë 5G është një shembull i fortë për shtetet e tjera për sigurimin e rrjeteve teknologjike, si dhe një mesazh për vendet e tjera. Teksa e vlerësoi si të përmbushur me sukses stërvitjen e përbashkët “Defender 21”, Blinken u shpreh mirënjohës që ka një partner dhe aleat si Shqipëria.

Sekretari Amerikan i kujtoi kreut të qeverisë se shumë punë dhe bashkëpunime të tjera i presin bashkë, sapo Shqipëria të ulet në Këshillin e Sigurisë në OKB. Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama tha gjatë takimit me Sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, se krijimi i një korridori komunikimi mes dy vendeve është shumë i rëndësishëm.

Rama u bën ftesë dhe vendeve të tjera të Europës që t’i bashkohen një nisme të tillë teksa shprehet më tej se këto shërbime duhet të vihen në duart e qytetarëve dhe të mos preken nga palët e treta dashakeqëse. Për kreun e qeverisë Shqiptare miqësia me SHBA-në është përherë krenari dhe do të jetë gjithmonë e tillë.

ANTONI BLINKEN

“Faleminderit shumë që jeni këtu. Faleminderit për punën që kemi bërë së bashku. Mendoj që po vendosni një shembull të fortë për të tjerët sot, për nevojën për të siguruar se kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të teknologjisë që kemi ne, të punojmë me shitës të besuar. Kjo është shumë e rëndësishme dhe një mesazh për t’i dërguar të tjerëve. Ajo që është më e rëndësishme, jemi mirënjohës për punën që SHBA-ja dhe Shqipëria kanë bërë së bashku në shumë fusha të ndryshme përfshi edhe stërvitjen “Defender21” që është përmbushur me kaq shumë sukses. Presim me padurim që të merrni vendin tuaj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kemi shumë punë për të bërë edhe atje dhe në të gjitha aspektet ky partneritet po behët më i fortë dhe më i thellë dhe ne e vlerësojmë shumë lidershipin tuaj për ta bërë këtë. Ju po vendosni një shembull mjaft të mirë, jemi mirënjohës që ju kemi si partnerë dhe aleatë”.

EDI RAMA

“Për mua dhe ne në Shqipëri është një moment shumë i rëndësishëm, sepse siç besoj, ju e dini kemi marrë nismë prej disa vitesh dhe i kemi kërkuar dhe vendeve të tjera në rajon që të gjithë së bashku të bëjmë përpjekje për një korridor së bashku komunikimi dhe për ta vënë këtë korridor të shërbimeve shumë kritike në duart e qytetarëve të Shqipërisë dhe institucioneve të sigurisë dhe të mos komprometohet nga palët e treta që ndonjëherë që janë aktorë dashakeq. Ndaj është përherë krenari për Shqipërinë që të jetë krah jush, që të jetë është krah SHBA-së dhe do jetë përherë. Shpresoj që së bashku të bindim dhe palët e tjera në rajon për të na u bashkuar në këtë nismë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Blinken dhe Rama firmosin marrëveshjen për 5G

Rama: Krijuam një korridor të rëndësishëm komunikimi