MENU
klinika

"Reforma ndodh vetëm nëse Rama sheh një ëndërr të keqe"

Analiza e Zhejit: Shkarkimet në Policinë e Shtetit, në dorën e një njeriu

28.06.2021 - 15:14

Gazetari Artur Zheji ka komentuar vendimin e qeverisë për kryerjen e një reforme në Policinë e Shtetit pas dy ngjarjeve tronditëse gjatë ditëve të fundit.

Në një intervistë për News24, ai thotë se emërimet dhe shkarkimet nga kjo strukturë janë vetëm në dorën e një personi.

Sipas tij, reforma do të ndodhë vetëm nëse kryeministri Edi Rama ka parë një ëndërr të keqe dhe “zgjohet nga gjumi”.

“Po bëhet e qartë që shteti shqiptar është e ndërtuar në mënyrë piramidale që do të thotë njëshi, i ka në dorë të gjitha. Sa më shumë që kryeministri emëron dhe shkarkon të gjithë, aq më shumë që ata që kanë përgjegjësi, përderisa ai nuk i ka në optikën e shkarkimit. Kemi një negociatë të heshtur mes personave që janë përgjegjës për krimet dhe atij që vendos t’i mbajë ose jo. Nëse kryeministri Rama fle gjumë, nuk ka reformë, nëse zgjohet dhe ka parë një ëndërr të keqe, ndodh reforma. Kur nuk ka një përgjegjësi të përshkallëzuar, kështu ndodh.

Këtu emergjencën kombëtare e vendos kryeministri. Analiza e ngjarjes së sotme dhe të djeshme, centralizimit i të gjithë ngjarjeve në dorën e një personi, është paralajmërimi që do ndodhë diçka dhe nesër. Populli e do policinë. Asnjë polic nuk shpërblehet për sa drogë kap. Nuk ruhen nga ata që kapin drogën. Polici është familjar, ai e di dhe mundohet të jetë sa më në rregull me ligjin që nuk ekziston. Nuk e ndryshon dot një polic sistemin, nuk është nga ato filmat me Rambon që një polic i pastër të ndryshojë sistemin” – tha Zheji.

Por sipas Zhejit, reforma në policinë e shtetit nuk mund të kryhet pa u plotësuar disa kushte në fillim.

“Nuk bëhet dot reformimi i policisë së shtetit. Pa filluar një fushatë për mbledhjen e armëve, pandëshkueshmëria, pa u çliruar një pjesë e bandave në këtë vend nuk do ketë reformim. Vrasja për një shezlong është një ngjarje banale. Kjo është një trokitje në derë. Ka një indiferencë të qëllimshme. Unë nuk di të jetë zbardhur deri në fund ngjarja e Elbasanit” – tha Zheji.