MENU
klinika

Çfarë rrezikon Britania?

ANALIZA: Marrëveshje të tregtisë së lirë

27.06.2021 - 13:07

Marrëveshjeve tregtare të Britanisë u mungon transparenca. Mosmarrëveshja më e fundit me Australinë tregon pse negociatorët duhet të jenë më të hapur.

Përçarjet e kabinetit gjithmonë rrisin energjinë në Westminster. Kështu u vërtetua pasi Financial Times raportoi një konflikt midis Liz Truss, sekretares së Tregtisë dhe George Eustice, sekretarit të Mjedisit, për një marrëveshje të planifikuar të tregtisë së lirë me Australinë, shkruan The Economist.

Në diskutim ishte dëshira e zonjës Truss për t’u ofruar prodhuesve australianë të mishit të viçit akses pa tarifa dhe pa kuota në tregun britanik, duke shqetësuar fermerët britanikë. Minette Batters, presidentja e Unionit Kombëtar të Fermerëve, tha se marrëveshja në fjalë do të ishte një “goditje pas shpine” për fermat familjare britanike. Si përfundim, Boris Johnson mbajti anën e zonjës Truss.

Kryeministri veproi në mënyrë të drejtë. Brexit ka krijuar një mundësi për të shpëtuar nga sistemi i kushtueshëm i Bashkimit Europian për mbrojtjen e fermave dhe për të arritur marrëveshje tregtare me vende të treta. Australianët këmbëngulën për një qasje shumë më bujare të mishit të qengjit dhe viçit, si çmimi i çdo marrëveshjeje. Dhe, siç pyeti në mënyrë retorike zonja Truss: nëse Britania nuk mund të bëjë një marrëveshje të tregtisë së lirë me një mik të vjetër si Australia, me kë tjetër mund të bëjë marrëveshje?

Me gjithë kundërshtimet e zhurmshme të fermerëve (veçanërisht në Irlandën e Veriut, Skoci dhe Uells), sasitë e përfshira janë të vogla. Departamenti i Tregtisë së zonjës Truss, vlerëson se e gjithë marrëveshja me Australinë do të rriste PBB-në e vendit me një maksimum prej vetëm 0,02% në planin afatgjatë. Vitin e kaluar, Britania importoi rreth 560 tonë mish viçi nga Australia.

Nëse ky numër do të dhjetëfishohet, siç shpresojnë prodhuesit australianë, sërish do të ishte më pak se 3% e sasisë prej 200,000 tonësh të importuar çdo vit nga BE-ja. Zonja Truss premton gjithashtu një tranzicion 15-vjeçar përpara se tarifat dhe kuotat të hiqen plotësisht. Sam Lowe, nga Qendra për Reformën Europiane, thotë se frika më e justifikueshme për fermerët britanikë, është se marrëveshja mund të bëhet një model për marrëveshje më të mëdha në të ardhmen me Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, marrëveshje të tilla janë ende larg dhe të pasigurta.

Argumenti ka nxjerrë në pah mungesën e një strategjie tregtare. Përkrahësit e Brexit thonë se duan tregti të lirë kudo. Megjithatë, ata mbeten të heshtur në lidhje me barrierat e ngritura me partnerin më të madh tregtar të Britanisë, BE-në. Pothuajse të gjitha marrëveshjet tregtare të bëra nga zonja Truss deri tani, kanë qenë zgjatje të atyre të nënshkruara më parë nëpërmjet anëtarësimit të Britanisë në BE. Marrëveshja me Australinë do të ishte e para me rëndësi.

Por pse fokusi i marrëveshjeve të tilla përqendrohet kaq shumë në bujqësi (ose në disa raste në peshkim), të cilat janë veçse një pjesë e vogël e PBB-së së vendit që bazohet 80% në shërbime? Si do të orientohet Britania drejt liberalizimit të tregtisë së shërbimeve në të gjithë botën?

David Henig nga ECIPE, thotë se duket sikur e vetmja strategji pas Brexit është të nënshkruhen marrëveshje të tregtisë së lirë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo reflekton një ndjenjë dëshpërimi, e cila e vendos Britaninë në një pozitë të dobët negocimi kundrejt negociatorëve më të fortë të botës. Marrëveshja e fundit duket se ka përfitime më të mëdha për Australinë, sesa Britaninë. Imagjinoni betejën tregtare me amerikanët, të cilët nuk pranojnë zakonisht lëshime në bisedimet e tregtisë.

Kjo tregon një shqetësim tjetër për marrëveshjen: mungesën e transparencës në negocimin e saj. Mbështetja publike për tregtinë e lirë është shpesh e brishtë, sepse prodhuesit që humbasin, bërtasin më fort sesa konsumatorët që fitojnë. Protestat nga grupet e interesit, të gjelbrit dhe të tjerë shpesh i kanë fundosur negociatat e tregtisë së lirë, duke filluar nga ajo e Seattle në vitin 1999, tek Doha në vitin 2008, dhe partneriteti i planifikuar transatlantik i tregtisë dhe investimeve në vitin 2016. Megjithatë, qeveria britanike i zhvillon negociatat kryesisht në fshehtësi, përfshirë ato që ndikojnë në ushqimin e popullsisë. Kontrolli parlamentar lejohet vetëm pasi të nënshkruhen marrëveshjet tregtare.

Rreziku që kjo të shkaktojë një reagim popullor kundër tregtisë së lirë është edhe më i madh për shkak të reputacionit të qeverisë. Reagimi armiqësor i zonjës Batters ndaj marrëveshjes tregtare australiane ishte tepër i fortë, sepse ajo vuri në dukje se zoti Johnson kishte thënë se preferonte të vdiste, sesa të shiste fermerët e vendit, për hir të një marrëveshjeje tregtare. Ajo nuk është e para dhe nuk do të jetë e fundit që do të vërë në dukje se kryeministri e ka zakon që të bëjë premtime, të cilat nuk ka ndër mend t’i mbajë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


The Guardian/ Më 'elastikë' për një tjetër krizë!?

A po tronditet ekonomia globale në të menduarit afatgjatë?