NGA MUSTAFA NANO
Edi Rama është kthyer sot nga një vizitë në Turqi, dhe është kthyer me “duart plotë”.
Thonjëzat, në fakt, edhe mund të hiqen, sepse është kthyer me një numër projektesh e marrëveshjesh që janë nënshkruar.
Dhe duhet thënë se këto nuk janë as ta parat e as të fundit. Marrëdhëniet me Turqinë, në epokën e Ramës, janë intensifikuar. Nuk kanë qenë kurrë të tilla. Java shtatë e Rama tetë që shkon e takohet me Erdoganin. Dhe është ky fakt që tek-tuk ka ngjallur, ka mbjellë ndonjë shqetësim apo ndonjë diskutim. Unë jam pjesë e këtij shqetësimi.
Unë mendoj se marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe turqve, midis Shqipërisë dhe Turqisë, nëse janë shumë të ndezura, nëse janë shumë të forta, nëse janë shumë të thukëta, nëse janë vëllazërore, krahas anëve pozitive dhe avantazheve që mbartin, ato bartin edhe ndonjë problem.
Ne të gjithë e dimë se Turqia është një aleat i yni shumë i rëndësishëm; është një aleat i yni strategjik. Është i tillë me hir a me pahir. Është i tillë pavarësisht nga fakti se çfarë ndodh në Turqi; pavarësisht nga fakti se kush i ka atje çelësat e pushtetit në dorë; pavarësisht nga fakti se atje është një regjim autokratik apo demokratik; pavarësisht nga forcat që kanë fuqinë atje; pavarësisht se cilat janë këto forca, nëse janë islamikë, apo nëse janë laikë. Ne shqiptarët, megjithatë, nuk mund dhe nuk duhet t’i lejojmë vetes të prishemi me, apo të bëjmë pa, Turqinë. Arsyet dihen.
Në ndryshim nga kombet e tjera të Ballkanit, ne jemi një komb i vogël, i veçantë, unik, me një gjuhë tonën, me një rrugëtim tonin, të vetin, individual në histori. E në të njëjtën kohë, ne jemi një komb me ca vese e me dobësi kongjenitale.
Unë e di që ky pohim im mund të trazojë shumë njerëz, por unë nuk mund të bëj dot ndryshe.
Është një gjë që unë e mendoj. Po thoja se jemi një komb me vese e dobësi të lindura. Jemi një komb me një histori të koklavitur, me një strukturë shumëfetare. Jemi gjithashtu me një rizgjim të vonuar kombëtar dhe politik. Dhe në fund, jemi me një traditë të munguar të bashkimit në një shtet të vetëm të drejtuar nga shqiptarët.
Përveç, kësaj, në konjekturën ballkanike, ne jemi në një pozicion sandwich, duke pasur në jug grekët, e në veri serbët. Më të dy këto shtete ne kemi një marrëdhënie shumë të vështirë. Të tillë e kemi pasur tradicionalisht, vazhdojmë ta kemi edhe sot.
Ne nuk kemi miq në Ballkan. Dhe për sa kohë që është kështu, në këto rrethana, aleanca jonë me Turqinë (i cili është një vend i rëndësishëm, shumë i rëndësishëm, me një ndikim të madh në botë, dhe sidomos në këtë pjesë, në këtë cep të botës, në Ballkan) na ndihmon të mos vuajmë prej kompleksesh që vijnë prej dobësisë dhe inferioritetit. Na bën të mos na duket vetja si qyqar.
Por… e keni vënë re që monologët e mi kanë gjithmonë një “por”? …Por Turqit kanë motive të ndryshme nga tonat sa herë që përpiqen ta forcojnë dhe ta këndellin këtë marrëdhënie midis nesh dhe atyre.
Ne jemi të sigurt, e dimë të gjithë se turqit do të na ndodhen pranë, do t’i kemi gjithmonë pranë, do të na bëhen krah në momente të vështira të historisë, siç kanë bërë dhe kanë dhënë prova për këtë.
Por synimi i tyre është që në një mënyrë a në një tjetër, të ringjallin ndikimin perandorak të osmanëve në Ballkan. Dhe Shqipëria është vendi më i parë dhe më i lehtë për ta arritur këtë objektiv. Me Erdoganin pastaj, otomanizim shpeshherë do të thotë islamizim.
Dhe në këtë pikë unë mendoj se ne shqiptarët, dua të them diplomatët dhe diplomacia jonë duhet të jenë më inteligjentë dhe më të guximshëm. Ata duhet të gjejnë mënyrën me përulësi, kuptohet (me turqit ne duhet të sillemi gjithmonë mirë, sepse janë aleati ynë i rëndësishëm), që t’ua bëjnë të qartë turqve se për ne shqiptarët Islami nuk ka atë rëndësi që ka për ata.
Jo thjesht dhe vetëm prej frikës së një dominimi fetar, dominim i të një feje të vetme, jo thjesht dhe vetëm prej faktit që kjo gjë, nëse ndodh, do të korruptonte, komprometonte, dëmtonte dhe dhunonte një pakt të lidhur mes vedit, të lidhur mes shqiptarëve qysh në krye të herës, dhe që bazohet te një lajtmotiv, te një devizë që është e njohur për të gjithë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Por edhe faktit tjetër, që ne shqiptarët kështu kemi qenë gjithmonë lidhur me fenë.
Të parët tanë na kanë përcjellë si trashëgimi të tyre, dhe ne duhet t’u përcjellim fëmijëve tanë si trashëgimi tonën, një mësim të rëndësishëm: Me fenë nuk kemi pse të fiksohemi për shkak të natyrës shumëfetare të shoqërisë sonë, të kombit tonë. Me fenë ne nuk kemi pse të fiksohemi.
Ne duhet ta relativizojmë rëndësinë e saj. Me besimet fetare, ne duhet të ndërtojmë një marrëdhënie të shkujdesur, sportive, të shpenguar.
Gjithashtu, ne duhet t’u bëjmë të qartë miqve tanë të dashur turq se ne sytë i kemi nga Europa megjithatë, nga Perëndimi. Dhe ky është një amanet që na e kanë lënë të parët tanë. Një amanet shumë i rëndësishëm.
Për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon. Ne nuk është se jemi perëndimorë. Të kuptohemi. Nuk jemi. Ose të paktën nuk jemi aq sa duhet të dukemi dhe shtiremi. Por ne Perëndimin e duam. E duam pa kushte. E duam në mënyrë instiktive.
Ne e adhurojmë Perëndimin. Mua më kujtohet se në vitet e lëvizjes studentore, më shumë se tridhjetë vite më parë, ishte një thirrje që u bë si mantra e atyre kohëve.
Dhe ajo thirrje nuk ishte: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Turqia!”, por ajo thirrje ishte: “Ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Europa!”. Dhe kjo thirrje nuk ishte një slogan i shpikur nga marifetçinjtë politikë, për një konveniencë të çastit. Përkundrazi, ishte një thirrje që u dilte atyre njerëzve, atyre mijëra të rinjve e studentëve nga thellësia e shpirtit të tyre.
Prandaj, unë mendoj se çdo tentativë e brendshme, apo e jashtme, për të na bërë që të ndryshojmë këtë kurs tonin historik, për të na bërë që ta heqim mendjen dhe sytë nga Perëndimi e t’i drejtojmë nga Lindja, do të ishte baras me një tentativë për të na përdhunuar. Turqit duhet ta dinë një gjë të tillë. Dhe nëse nuk e dinë, ne shqiptarët duhet t’ua themi këtë gjë. Gjithnjë, me përulësi.
Monologu në emisionin “Arnautistan” në MCN TV*