MENU
klinika

Skënder Minxhozi

Analiza/ Rruspa dhe bikini

30.06.2021 - 14:35

Ka nisur një krehje e rradhës e plazheve të Shqipërisë, në kërkim të abuzimeve të biznesit turistik përgjatë vijës bregdetare. Një aksion, siç quhet prej kohësh kur kemi qenë në diktaturë, për të sekuestruar çadra e shezlonge, në mesin e një hapësire ku tashmë pushojnë dhjetra mijë njerëz të ardhur nga të gjitha anët dhe drejtimet e imagjinueshme. Shqiptarë të të gjitha pasaportave, polakë e çekë, por edhe italianë, gjermanë e skandinavë në plazhet e Durrësit e Kavajës, po habiten e po shtyhen këto orë që t’i bëjnë vend skuadrave të rruspave, punonjësve bashkiakë e policive shumëngjyrëshe, të cilat po përpiqen të ndryshojnë menunë e dasmës nëpër pjata, pasi dasma ka filluar…

Nuk është e para herë që një gabim i hershëm dhe i përsëritur me vite, as korrigjohet dhe as vihet në vend në kohën e duhur. Nuk është e para herë që shkeljet e ligjit i shohim dhe lëvizim vendit t’i dënojmë, vetëm pasi kanë ndodhur.

Prej ditës 1 të demokracisë, në vitin e largët 1992, kemi parë sesi shteti ynë vendosi të vijojë të sillet në mënyrë identike me sistemin komunist, teksa ju dha me mish e me shpirt modës së “aksioneve”. Pra, nuk ka zbatim ligji në 24 orë dhe shtatë ditë të javës, por me aksione. Bëni çfarë të doni gjatë gjithë vitit, por ama në javën apo muajin e aksionit do vijmë t’ju shembim, sekuestrojmë a rrënojmë atë që keni ndërtuar apo investuar në mënyrë abuzive “në kohë paqeje”.

Aksion për evazionin fiskal, aksion për prerjen e pyjeve, aksion për ndërtimet pa leje (të cilat nëpër fushata kthehemi dhe i legalizojmë!), aksion për zaptimin e pronës publike, aksion për ndotjen e lumenjve, aksion për kapjen e trafikantëve të hashashit, aksion për vjedhësit e biçikletave etjetj. Logjika e shtetit që funksionon me ngecje dhe me periudha kohore të shkurtra e të përcaktuara në kohë, na klasifikon si një demokraci false, e cila ligjin e zbaton tamam si ai njeriu që e ze lemza, një a dy herë në muaj!

Kjo mënyrë funksionimi e vendos rregullisht qeverisjen qëndrore e lokale, përballë një zullumi të trashë abuzivizmi. Nëse refuzon të shohësh e të godasësh shkeljen e ligjit gjatë një viti, sa mund ta bësh këtë në javën e fundit të tij?! Është objektivisht e pamundur dhe jorealiste.

Ministri i turizmit, i cili pëlqen të na shesë për sukses të menaxhimit të ministrisë së vet edhe hedhjet me parashutë nga Llogaraja për kënaqësi personale, duhet të japë një shpjegim për katrahurën e çadrave e abuzimit me hapësirën e plazheve, e cila ka kushtuar jetë njerëzore. E kemi parë Blendi Klosin të pozojë rregullisht me pronarë hotelesh, në panele takimesh e eventesh gjithfarësh. Eshtë koha të kuptojmë se e gjitha kjo fasadë, ka pak produkt brenda. Defekti i kohës që jetojmë: forma triumfon mbi përmbajtjen!

Është diçka e njohur që industria e turzimit ka tërhequr prej vitesh qindra miliona euro, bashkë interesat, bërrylat, korrupsionin e të fortët që i shoqërojnë nga pas. Është obvjektivisht një sektor i vështirë për t’u menaxhuar e vënë në disiplinë, pasi nga prapa qëndrojnë disa prej njerëzve më të fuqishëm të këtij vendi.

Por të fusësh rruspat në mes të pushuesve, është edhe më e pavend dhe më e rëndë. Sepse është dashur që veshët e abuzuesve nga Velipoja në Ksamil të tërhiqen kur ishim të veshur me pallto, e jo tani që plazhet janë mbushur me bikini. Duheshin prerë duart e atyre që zaptojnë plazhet pa u vrarë njerëz, sepse tani ato s’i kthen dot më askush.

Kjo qeverisje ka harxhuar shumë energji për të shndërruar faqen e bregut shqiptar nga Saranda në Qeparo, Vlorë e Himarë. Ashtu siç përgatitet të bëjë në Durrës me projektin që do ta transformojë një herë e mirë faqen e turizmit në këtë vend. Është koha që ky shpenzim  i madh e pozitiv energjish të mos ekplipsohet nga mikromenaxhimi defektoz që industria shqiptare e turzimit vazhdon të vuajë. Djalli fshihet tek detajet. Dhe të fortët, zaptuesit e abuzuesit në përgjithësi janë një e keqe ose një “detaj” që sot bëjnë të rrudhin buzët polakë e maqedonë, italianë e gjermanë. Është sukses që këta turistë të largët zgjedhin Shqipërinë, por do ishte shumë më mirë të mos vijnë fare, sesa të vijnë e të ikin të tmerruar me plaçka në krah, nga kallashnikovi i fshehur në syndyk i pronarit të hotelit, që luan luftash me komshiun në mes të natës!