MENU
klinika

“Ditë historike”

Antarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, reagojnë ambasadorët Kim dhe Soreca: SHBA e gatshme për të bashkëpunuar për…

11.06.2021 - 19:51

Pas reagimeve nga politika shqiptare, për përzgjedhjen e Shqipërisë si vend anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit në OKB, kanë ardhur dhe reagimet nga ambasadorët e huaj.

Duke uruar Shqipërinë për këtë hap, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca e cilëson si një ditë historike teksa shkruan se tashmë pritet bashkëpunimi i ngushtë për të adresuar çështjet globale.

“Ditë historike për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Urime për përzgjedhjen si anëtarë jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit në OKB për vitet 2022-2023! Presim të punojmë edhe më ngushtë së bashku në adresimin e çështjeve globale” – shkruan Soreca.

Ndërsa ambasadorja e amerikane, Yuri Kim shkruan se me anëtarësimin e Shqipërisë, SHBA është e gatshme për bashkëpunim të mëtejshëm për çështjet e rajonit dhe të botës.

“Historia u shkrua. Urime Shqipërisë për përzgjedhjen për herë të parë në Këshillin e Sigurimit në OKB. SHBA pret bashkëpunim më të ngushtë me Shqipërinë për çështjet e rajonit si dhe në botë” – shkruan Kim.

REAGIMET E PRESIDENTIT ILIR META DHE KRYEMINISTRIT EDI RAMA

Për këtë zhvillim kanë reaguar dhe Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama. Kreu i shtetit thotë se vendi ynë do të përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë dhe mision për dy vitet e ardhshme.

Ndërsa Rama ka publikuar dokumentin me rezultatet e votimit për Shqipërinë ku nga 190 shtete pjesëmarrëse, vendi ynë mori 175 të votave. Numri total nevojshëm për tu përzgjedhur ishte 117 vota ose dy e treta e totalit.

REAGIMI I AMBASADORES SHQIPTARE NË OKB

Më herët për këtë zhvillim reagoi dhe ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare ku përmes një postimi në Twitter ajo shpreh gatishmërinë për bashkëpunim mes të gjithë vendeve të tjera anëtare.

SI U PËRZGJODH SHQIPËRIA?

Me 175 vota nga 190 shtete pjesëmarrëse, Shqipëria u zgjodh si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë në OKB. Për vendin tonë kjo është hera e parë e përzgjedhjes si anëtare në një ndër organet më të rëdësishme të OKB-së.