Katër persona që po kryenin ndërtim pa leje në plazhin e Pishë-Poros kanë rënë në prangat e Policisë.
Në flagrancë është arrestuar administratori i një lokali, shtetasi Xhimi Hasanbega 45 vjeç, dhe tre persona që po kryenin punime pa leje në plazh publik. Të arrestuarit janë shtetasit Genci Toska, Edmond Silo, Aleksandër Kopili.
Njoftimi i plotë
Kryenin ndërtim pa leje në plazhin e Pishë-Poros, bien në prangat e Policisë katër shtetas.
Arrestohet në flagrancë administratori i një lokali në plazhin Pishë-Poros dhe 3 shtetas që po kryhenin punimet pa leje në tokë publike plazh.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier gjatë kontrollit të territorit në plazhin e Pishë-Poros në Darzezë, kanë konstatuar një ndërtim që po kryhej pa lejen e autoriteteve kompetente.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” i shtetasit Xh. H., 45 vjeç, banues në Tepelenë (Administratorë i lokalit).
Gjithashtu u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve”, shtetasit G. T., 47 vjeç, A. K., 41 vjeç dhe E. S., 28 vjeç, banues në Fier.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në plazhin e Pishë-Poros në Darzezë, u kapën në flagrancë duke bërë një ndërtim pa leje me derdhje betoni në tokë publike plazh.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.