Një tjetër divorc ka sjellë vrasje në mes të Tiranës, pranë gjykatës. Mexhit Picari ka vrarë në mes të lokalit, bashkëshortin e vajzës në proces divorci, Kudret Saliaj, në përfundim të seancës së 5. I plagosur, jashtë rrezikut për jetën, mbeti dhe avokati i viktimës, Adriatik Cama.
Kudret Saliaj është qëlluar me 8 plumba, nga vjehrri Mexhit Picari. Në trup e kanë kapur 5 plumba. Viktima në momentin që është vrarë nga ish-vjehrri, ndodhej pranë gjykatës duke konsumuar një kafe me avokatin et tij në këtë proces divorci, Adriatik Camaj i cili po ashtu ka mbetur i plagosur.
Nuk dihet nëse plumbat e kanë kapur rastësisht Camajn, i cili është avokati i Nevaldo Hajdarajt, policit që vrau Klodian Rashën. Avokatin e ka prekur një plumb dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën duke iu nënshtruar një operacioni për nxjerrjen e plumbit. Kanë qenë problemet familjare që kanë çuar deri në vrasje. Padia për divorc është paraqitur me 24 dhjetor 2020 nga viktima, ndërsa gjyqtare ishte Irena Plaku. Janë zhvilluar 4 seanca ndërsa sot ka qenë seanca e pestë.
Si lindi konflikti mes çiftit Kudret (Viktima) dhe Dhurata Saliajt (Vajza e autorit)
Zanafilla e konfliktit mes çiftit Kudret (viktima) dhe Dhurata Saliaj janë akuzat për tradhti. Viktima ka akuzuar ish-gruan e tij për tradhti dhe dhunë fizike e psikologjike ndaj 3 fëmijëve të saj, ndonëse kjo e fundit i ka mohuar akuzat. 3 fëmijët qëndronin me babanë e tyre duke mos lënë nënë e tyre, Dhuratën që t’i takonte. Sipas saj, burri i ka manipuluar fëmijët duke i gënjyer. Mirëpo teksa nga njëra anë gruaja ka mohuar akuzat, në muajin Tetor në 2020 dhe është hetuar në arrest shtëpie për dhunë fizike e psikologjike ndaj fëmijëve dhe kërcënime ndaj vjehrrës. Më datë 2 Tetor, 32-vjeçarja mori leje nga puna për të shkuar në spital pasi nuk ndihej në gjendje të mirë shëndetësore. Në këtë momenti shpërtheu konflikti me burrin, që sipas saj, e akuzoi se kishte shkuar me të dashurin.