Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se pas fitores së mandatit të tretë, tashmë ata duhet të përgatiten për riorganizimin e strukturave.
Këto ndryshime sipas tij, do të sigurojnë fitoren e PS-së në zgjedhjet vendore të 2023 si dhe të mandatit të katërt në zgjedhjet e përgjithshme.
Në mënyrë që këto objektiva të plotësohen, Balla u shpreh me batutë se për të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste nuk do ketë pushime vere këtë vit.
“Populli na dha 78 mandate nëse nuk do ishte numri i papritur i fletëve të pavlefshme. PS me Edi Ramën e thyen rekordin në 25 prill, rekordin e vendosur në 2017-ën. Tërmeti dhe pandemia na vunë në sprovë. Çdo familje të prekur nga tërmeti nuk i kemi lënë vetëm.
Ne morëm masat e duhura në çdo etapë të pandemisë. Sot jemi bashkë me Islandën, dy vendet me numrin më të ulët të viktimave dhe të infektuarve nga COVID. Edi Rama ka meritën kryesore. Merita e madhe është për anëtarësinë tonë, patronazhistët.
Sot Shqipëria po fillon bisedimet për anëtarësimin në BE. Vlerat e socialistëve kanë spikatur dhe në momentet më delikate. Ky kongres u thirr me propozim të kryetarit të partisë, për të startuar një riorganizim të strukturës tonë. Kemi mësuar nga e shkuara që lënia në harresë e strukturës, ka qenë negative.
Ne duhet të bëhemi gati për fitoren e zgjedhjeve vendore 2023. Në të gjitha qarqet duhet të riorganizojmë në strukturën organizative. Duhet një punë si asnjëherë më parë. Ky kongres është moment i rëndësishëm që PS të jetë më e mirë për të gjithë të tjerët.
Kohë për pushime vere këtë vit nuk ka. Partia është baza e këtij procesi. Një parti e fortë në territor është garancia e mosharresës. Kundërshtarët tanë kanë kryetarë por jo liderë. E gjithë struktura duhet të ketë një komunikim digjital. Beteja jonë për mandatin e katërt, varet nga puna jonë sot.
Asambleja kombëtare i ka kërkuar kongresit një fushatë hapje për 1 vit që do jetë më e madhja për të gjithë ata që duan t’i bashkohen strukturave tona. Na duhet të fillojmë nga puna, ta gëzojmë ditëlindjen e 30 të PS” – tha Balla.