MENU
klinika

Proces penal ndaj Presidentit?

Balla: Thirrjet e zotit Meta jo vetëm të paligjshme në Kushtetutë, por edhe në…

10.06.2021 - 22:20

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla flet dhe për një proces penal ndaj Presidentit të Republikës Ilir Meta, i shkarkuar të mërkurën nga parlamenti. Balla tha në “Real Story” në News24 se janë disa procese të cilat do të ecin në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, teksa theksoi se për të ka elementë të veprës penale, duke iu referuar thirrjeve të Kreut të Shtetit.

“Në parantezë, kur parlamenti të shkarkon me 2/3 e veta që është shumica kushtetuese, praktikisht çdo president i shkarkuar me 2/3 duhet të ikë nga detyra sepse në fund të fundit kjo është shumica.
Kuvendi ka prodhuar 2 dokumente, një raporti dhe një vendimi për shkarkimin. Të dyja këto dokumente i shkojnë Gjykatës Kushtetuese si institucioni i parë në radhë, vendimi dhe raporti. Ky është një.
Raporti i shkon institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm sepse ligji për komisionet hetimore thotë që kur vihen re elementë të veprës penale raporti i dërgohet Prokurorit të Përgjithshëm. Juridiksioni i kalon prokurorisë. Prokurori i Përgjithshëm ia kalon prokurorisë në juridiksionin e së cilës është vepra penale dhe personi që hetohet.

Aty ka elementë sepse në fund të fundit thirrjet e zotit Meta nuk gjenden vetëm në Kushtetutë si të paligjshme, por këto thirrje gjenden në kodin penal. Thirrja për dhunë dënohet me gjobë deri në X vite burg. Janë vlerësime që duhet t’i bëjnë institucionet e drejtësisë. Ne si Kuvend dhe si grup parlamentar i PS besoj që e kemi përfunduar detyrën tonë në atë vendim të djeshëm të Kuvendit. Prej sot e tutje do duhet të flasin institucionet e Drejtësisë”, deklaroi Balla.

Sipas tij, dy proceset, ai në Gjykatën Kushtetuese dhe në Prokurori, nëse do ketë të tilla janë të ndara.

“Kushtetuesja do të vlerësojë në rast se vendimi plotëson kriteret dhe e dyta në thelbin e çështjes nëse shkeljet janë të rënda ose jo. Nuk besoj se ka shumë dilema këtu për të parë. Çfarë duhet të bëjë më shumë se kaq një president republike për të mos qëndruar më në detyrë?! Duket qartë që jemi në një rrugë të shtruar të konfirmimit të shkarkimit të Presidentit, nisur nga opinioni i Venecias.

Gjykata Kushtetuese është një institucion shumë i pavarur dhe duhet të bëjë detyrën e vet”, deklaroi Balla.