MENU
klinika

“Vota shkoi deri 300 euro”

Basha në Shkodër: Dora e Ramës që shtrihet për “bashkëpunim”…

07.06.2021 - 12:25

Kryetari në detyrë i PD-së Lulzim Basha zhvilloi sot takime në qarkun e Shkodrës nga ku hodhi akuza për kryeministrin Edi Rama, kreun e PSD Doshi dhe eksponentë të tjerë të PS, duke theksuar se përmes një rrjeti kriminal vota shkoi deri në 300 euro.

Kryedemokrati tha se dora e shtrirë e Edi Ramës sipas tij për gjoja bashkëpunim me PD-në është e mbushur me helm.

“Kapja e asaj dore do të thotë asgjësim i kauzës dhe demokracisë, do të thotë të bëhesh palë me masakrën zgjedhore, do të thotë të pranosh vjedhjen dhe tjetërsimin e zgjedhjeve, do të thotë të bëhesh njish me të keqen, ndaj Jo-ja ime është e prerë dhe finale”, u shpreh ai.

Deklarata e plotë

Shkodra

Zoti drejtues politik, zonja kryetare e bashkisë, kandidat për deputet, drejtues të Partisë Demokratike të degës Shkodër, themelues, qëndrestarë, drejtues të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, të Lidhjes Demokratike të Gruas, falemindeit nga zemra për pjesëmarrjen tuaj dhe mikrpitjen sot në Shkodër.

Vij sot me kënqësinë e përhershme që ndodhem në mesin tuaj. Kënaqësi e cila vjen jo vetëm për shkak të dashamirësisë, besimit dhe miqësisë që keni demonstruar jo me fjalë, por me vepra ndaj meje dhe lideshipit tim gjatë këtyre viteve, por po kështu sepse jeni dhe mbeteni njerëzit që i keni prirë sakrificave të Partisë Demokratike, i keni prirë betejave tona, i keni prirë kauzave tona dhe e keni bërë këtë me moralin më të lartë.

E keni bërë këtë me parimet më të shenjta, e keni paguar këtë me çmimin më të shtrenjtë pavarësisht se këtu në Shkodër ka zanafillën jo vetëm masakra zgjedhore, por dhe mekanizmi më i shëmtuar i aleancës dhe regjimit të Edi Ramës dhe Tom Doshit.

Fatkeqësisht 25 prilli jo vetëm nuk shënoi momentin e shumëpritur të ndryshimit për Shkodrën dhe për Shqipërinë, por shënoi një arrest kardiak për demokracinë duke asgjësuar përkohësisht të vetmin mekanizëm që një shoqëri e civilizuar dhe pluraliste ka: vullnetin e shumicës.

Vëllezër dhe motra, ndodhem sot para jush në radhë të parë për t’ju shprehur mirënjohjen më të thellë gjithsecilit prej jush dhe të gjithë demokratëve të Shkodrës për betejën e jashtëzakonshme dhe sakrificat tuaja dhe për t’ju thënë se në këtë betejë keni marrë me vete jo thjesht dhe vetëm zotimin dhe misionin tuaj individual dhe të familjes tonë politike, por edhe shpresën dhe bekimin e çdo shkodraneje dhe e çdo shkodrani që kërkonte, priste, dëshironte dhe sot akoma më shumë është i përgjëruar për ndryshimin.

Vij këtu pas një turi nga jugu në veri, në një periudhë kohore që tashmë po mbush dy javë dhe ku kam parë me sytë e mi jo vetëm tek demokratët, por tek të gjithë shqiptarët se si tronditjes, zhgënjimit, mosbesimit, hidhërimit për masakrën zgjedhore të 25 prillit i ka lënë vend zemërata, por i ka lënë vend po kështu vendosmëria për mos ta lënë Shqipërinë, shqiptarët dhe demokracinë në udhëkryqin e rrezikshëm që ka ekspozuar për herë të tretë brenda 30 viteve e keqja dhe shtëpia e të keqes.

Jo më kot kam hequr një paralele midis 31 marsit të 1991-shit dhe 25 prillit 2021-shit. E ku tjetër më mirë se në Shkodër mund të shpjegohet kjo paralele jo thjesht në kuptimin mendor, racional e të arsyetimit, por në kuptimin shpirtëror të fjalës.

Kush prej atyre që ishin në moshë për të kujtuar, të rinj, gjimnazistë, studentë apo prindër nuk e mban mend pritshmërinë e datës 31. Kush nuk e mban mend zemrat e ngritura peshë nga emocioni dhe përligja e pritshmërisë se dita e fundit e komunizmit kishte ardhur, se dita e parë e demokracisë po çelte.

E ku më mirë se në Shkodër mund të shpjegohet zhgënjimi, ndjenja e pabesueshmërisë, e tronditjes së thellë që solli 31 marsi, zgjedhjet pa zgjidhje të 31 marsit e që çuan më pas në një tjetër shok dhe tronditje pas revoltës së gjimnazistëve të “Jordan Misjes” dhe shkodranëve me 2 prill që përfundoi me masakrën e 2 prillit.

E pra miqtë e mi këto nuk janë thjesht kujtime apo reminishenca historike, këto janë pjesë e asaj që ne jemi, e asaj që ju jeni. Çdo demokrate e çdo demokrat shkodran, çdo qytetare e qytetar i Shkodrës e përmes jush çdo demokrat shqiptar e njeh fare mirë mekanizmin që i mbivendoset vullnetit të shumicës, e njeh fare mirë se si kjo jo vetëm zapton, nënshtron, shkatërron përkohësisht besimin tek demokracia, por e di po kështu se pas kësaj vjen ngritja, se zemëratës për një padrejtësi si 25 prilli dalëngadalë po i zë vendin vendosmëria për të mos e lënë Shqipërinë, për të mos e lënë Shkodrën peng të Tom Doshit, Ilir Beqës, Edi Ramës dhe bandës së tyre.

Sepse në të vërtetë 25 prilli është ditë e një fatkeqësie kombëtare, është dita e vdekjes klinike të demokracisë; Për ta thënë thjeshtë, shkoqur dhe qartë për këdo, demokraci mbi së gjitha dhe para së gjithash do të thotë vullnet i shumicës dhe me 25 prill shumicës i është mbivendosur një pakicë e pakicës.  25 prilli nuk ka lidhje me demokracinë, nuk ka lidhje me vullnetin e shkodranëve, nuk ka lidhje me vullnetin e shqiptarëve. 25 prilli është gjëma dhe krimi final i regjimit të Edi Ramës dhe Tom Doshit.

Sigurisht edhe unë ndaj njësoj si ju preokupimin dhe synimin që kjo garë e brendshme statutore jo vetëm t’i shërbejë dhe t’i shtojë vlerat tona,  bashkimin tonë dhe fuqinë tonë para qytetarëve dhe  as t’i fryjë frymës së përçarjes dhe as të pakësojë aftësinë tonë për t’u përballur me peshën e dyfishtë që na rëndon në supe pas 25 prillit.

Mesazhi i parë është që vullneti shqiptar i tjetërsuar me 25 prill, masakra zgjedhore e 25 prillit nuk njihet e nuk do të njihet kurrë nga unë, nga pozitat e kryetarit të Partisë Demokratike, nuk e njoh dhe nuk shkel mbi vullnetin e tjetërsuar të shqiptarëve. Gjithçka tjetër na bën pjesëtarë në këtë masaker zgjedhore, na kompromenton në gjënë më të çmuar me të cilën jemi futur në këtë betejë, në vlerat dhe parimet më të cilat jemi themeluar, të cilat i kemi trashëguar nga levizja e dhjetorit si artia trashegimtare e rrëzimit të komunizmit, për të cilin kemi paguar çmimin e lartë të katër martirëve te dy prillit e qindra të tjereve anembanë Shqipërisë. Sakrificën e gjithësecilit prej jush në këtë betejë nga mengjesi e deri në orët e vona të natës, sy për sy, e dhëmb për dhëmb, e fyt per fyt me bandat e Tom Doshit me shokë.

Qëndrimi i dytë është një pergjigje ndaj të vetmit akt që mund të pritej nga një diabolik që pasi ka vjedhur dhe ka tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve permes masakrës më të madhe, më të thellë dhe më voluminoze zgjedhore në 30 vite pluralizëm, nga njëra anë dhe me njeren dorë godet demokratët, godet kedo që ka marrë pjesë në fushatën tonë, i heq nga puna, i vendos gjoba, i kercenon, i transferon, i bën presion kompanive private kontraktore të shtetit për t’i larguar dhe nga ana tjetër gjoja shtrinë dorën e bashkëpunimit. Ajo dorë është e mbushur me helm jo thjesht për mua, jo thjesht për demokratët, jo vetëm për Partinë Demokratike, por për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kapja e asaj dore do të thotë asgjësim i kauzës dhe demokracisë, do të thotë të bëhesh palë me masakren zgjedhore, do të thotë të pranosh vjedhjen dhe tjetërsimin e zgjedhjeve, do të thotë të bëhesh njish me të keqen, ndaj Jo-ja ime është e prerë dhe finale.

Sepse pavarësisht gjithçkaje, pavarësisht prej masakres zgjedhore që çerdhen e ngriti në Shkodër, në çerdhet e krimineleve të Tom Doshit me shokë, në çerdhet e të shiturve, në çerdhet e zyrtarëve të korruptuar si Benet Beci me shokë që e çuan votën nga 100 në 300 euro, nga Puka në Shkodër e kudo tjetër. Pavarësisht të gjitha këtyre dhe qindra e qindra faktorëve të tjerë që gjithsecili nga jush i ka ndjerë në lëkurë e mund të dalë e t’i përmend nga kjo foltore më mirë se unë, fakti është që shqiptarët nuk kanë shpresë tjetër dhe nuk kanë forcë tjetër për t’i nxjerrë nga qorrsokaku i 25 prillit përveç Partisë Demokratike.

Ne jemi shpresa e vetme për demokracinë, ne jemi shpresa e vetme për Shqipërinë. Në 25 prill ne dolëm në betejë njësoj si në marsin e 91 pa asnjë pushtet real. Me pushtetin simbolik të Shkodrës të rrethuar tash 8 vite nga pushteti shtazarak dhe diabolik i Edi Ramës në çdo kuptim por me pushtetin më të fortë që mund të ketë një krijesë njerëzore, me pushtetin më të madh që mund t’i falë Zoti që është pushteti e zemrave të pastar, i qëllimeve të qarta dhe të mira për bashkëqytetarët, i planeve dhe i zotimeve në funskion të tyre.

Bashkimi dhe vlerat tona janë arsyet kryesore se përkundër masakrës në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë, Partia Demokratike nuk doli më e tkurrur, më e vogël apo kokë poshtë. Por doli më e madhe, më e vendosur dhe me kokën lart. Dhe me kokën lart ju gjej sot dhe kështu dua t’ju shohë në vazhdim e deri në fundin e pashmagshëm të kësaj beteje që nuk mund të jetë dorëzimi i Shkodrës, nuk mund të jetë rënia e Shkodrës, nuk mund të jetë rënia e Shqipërisë, nuk mund të jetë fundi i saj, nuk mund të jetë fundi i demokracisë, por do të jetë rënia e regjimit, kthimi i legjitimitetit dhe i demokracisë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Puka

Miqtë e mi, kudo në Shqipëri, në të gjithë periudhën pararendëse më 25 prill dhe madje dhe pas 25 prillit, procesi ligjor në KQZ dhe në Kolegj, zhvillohet një masakër zgjedhore. Termi masakër zgjedhore, nuk do të thotë thjesht vjedhje votash, as thjesht blerje votash, por është një katalog i plotë i shkeljes së çdo rregulli, të çdo ligji, të çdo neni, të kushtetutës, të kodit zgjedhor, të kodit penal, e të kodeve e ligjeve të tjera të republikës, është katalogu i plotë i qindra dhe i mijëra trukeve, hileve të përdorura nga çdo instrument i shtetit. Nga policia e bërë njësh me bandat që në vend që të bënte detyrën e të zbatonte ligjin, e të mbronte votat, e të mbronte qytetarët dhe të ndëshkonte blerësit e votave dhe kriminelët, në rastin më të mirë i përshëndesnin dhe në rastin më të keq i mbronte ata. Por nuk ishte vetëm policia, çdo institucion. Nga kadastra e legalizimet, tek drejtoritë rajonale të arsimit e të bujqësisë. Nga legalizimet për vota, tek ndërtimet pa leje për vota. Nga tolerimi i hashashit për vota, tek punësimet e shpunësimet për vota, jo vetëm në sektorin publik, por dhe në sektorin privat, tek kontraktorët privat të shtetit.

Siç e ka thënë vet fare qartë në raportin e vet paraprake misioni i OSBE-ODHIR, blerja masive e votës dhe shkrirja e shtetit me partinë në pushtet janë dy tiparet kryesore të procesit dhe të masakrës të 25 prillit. Por kurrkund nuk është dukur më qartë se si kanë funksionuar bashkërisht të gjithë këto element sesa këtu në Pukë.

Po ky është një tregues se me çfarë tmerri u fut në fushatë dhe padiskutim arsyeja kryesore e këtij ankthi ishte sepse ne ja dolëm në Pukë dhe në mbarë Shqipërinë të ndërtonim koalicionin më të gjerë dhe se kam fjalën vetëm për koalicionin politik, që siç e dini është më i madhi ndonjëherë në 30 vite pluralizëm, por e kam fjalën për atë koalicion që bëmë me shoqërinë, me grupet e interesit, pjesë e programit të vizionit tonë që u shndërrua në kontrata dhe që dhanë garanci qytetarëve shqiptarë se në betejën e 25 prillit nuk po futeshim për karrigen time, as për karriget tuaja, por po futeshim për të ndryshuar fatin e Shqipërisë, fatin e shqiptarëve, të dëshiruar për ndryshim pas 8 vitesh lëngate nën këtë regjim.

Sa më i madh bëhej bashkimi ynë, aq më e madhe ishte masakra zgjedhore. Dhe këtu, kombinimi i kësaj masakre zgjedhore ka tre emra, të paktën tre autorë, secili prej tyre përfaqësues i të paktën një prej instrumenteve që u përdor në Pukë e mbarë Shqipërinë: Tom Doshi, figurën e njohur të krimit dhe të korrupsionit, Benet Beci, bankomatin me të cilin vota shkoi deri në 300 euro dhe Mark Froku dhe rrjeti i tij kriminal që bëri shpërndarjen e këtyre parave për të blerë mjerimin e mbjellë në çdo sofër pukjane.

Në asnjë vend tjetër, ose në pak vende të tjera është shtruar mjerimi në sofrat e njerëzve si në Pukë dhe Fushë-Arrëz. I vetëdijshëm për këtë, i vetëdijshëm se ky mjerim do të ishte një nga arsyet kryesore që shqiptarët jo vetëm të hakmerreshin për 8 vite padrejtësi e mund në kurrizin e tyre, por dhe të ndiqnin programin tonë, vlerat tona, propozimet tona, masakra zgjedhore në Pukë mori dimensione dramatike të një tragjedie të vërtet. Po përball kësaj nuk mundoi për asnjë çast qëndresa juaj, nuk mungoi beteja e demokrateve dhe demokratëve pukjanë nga mëngjesi deri në darkë. Dhe për këtë fjalët e mirënjohjes nuk mjaftojnë.

Vau Dejës

Prej vitesh e jo më javësh e muajsh jeta e gjithsecilit prej jush dhe familjeve tuaja, normaliteti juaj është shkatërruar nga dyshja Rama-Doshi e cila kurrë nuk ka ditur as nuk ka dashur ta pranojë realitetin e pluralizmit dhe të kundërshtarit politik por ju ka trajtuar gjithmonë si armiq. Qëllimi dhe kësaj radhe ishte t’ju gjunjëzonte, ishte t’ju poshtëronte, ishte t’ju nënshtronte por nuk ja doli.

Nuk ja doli sepse në Vaun e Dejës trimëria, fisnikëria, mençuria dhe bashkimi i demokratëve i dhanë përgjigjen e merituar. Nuk ja doli sepse banorët e Vaut të Dejës besuan se beteja nuk bëhej thjeshtë midis tyre dhe nesh, për karriget e tyre apo për karriget tona po sepse beteja në fakt bëhej për ta, për fëmijët e tyre, për të ardhmen e tyre, për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Vëllezër dhe motra, kjo masakër zgjedhore, nuk është thjesht dhe vetëm një krim i rëndë para Shqipërsë dhe shqiptarëve, ky është një moment historik për nga rëndësia, sepse me 25 prill në Shqipëri faktikishtë është asgjësuar demokracia pas 31 vitesh rruge, rrugëtimi, sfidash dhe zigzagesh, pasi kanë rënë të gjitha institucionet.

Është fjalë e madhe të thuash ka rënë demokracia, por po jua them sic jua kam thënë të gjithëve dhe sic do tia them cdokujt me fakte dhe argument deri sa të binden e të jenë në krahun tonë, në betejën tonë, sepse demokraci do të thotë dicka fare e thjeshtë, do të thotë vullnet i shumicës.

E pra me 25 prill vullnetit të shumicës për ndryshim i është mbivendosur dhunshëm Edi Rama, Tom Doshi, Ilir Beqja, Mark Babani me shokë. Kjo nuk është demokraci. Ndaj, beteja jonë prej 25 prillit është zhvendosur, barra që kishim mbi supe për të sjellë ndryshimin është dyfishuar, misioni që kishim po kështu është zmadhuar duke iu rikthyer edhe njëherë misionit me të cilin lindëm.

Beteja jonë e parë është për kthimin e legjitimitetit në vend, është për demokracinë dhe të sigurtë të jeni se kjo betejë dhe fitorja e kësaj beteje do të garantojë jo vetvetiu por pothuajse edhe vetevetiu edhe e fitoren e asaj të parës, do të konfirmojë shimicën dërrmuese të shqiptarëve që deshën me 25 prill ndryshimin dhe e duan sot akoma më shumë.

Por që të ndodhë kjo duhet që bashkimi dhe qëndresa që faktuam, vendosmeria që faktuam në të gjitha betejat deri në atë të 25 prillit, të jetë edhe më e madhe edhe më e fortë.

Malësia e Madhe

Nuk ka bashkëpunim më atë që ka konsumuar krimin final ndaj demokracisë pasi shkatërroi të gjithë institucionet e vendit, ekonominë dhe gjithë tabanin e bashkëjetesës demokratike por ka vetëm betejë, betejë të vendosur deri në fund me të gjitha format dhe mënyrat, me të gjitha forumet.

Shumica dërrmuese e shqiptarëve që e donin ndryshimin me 25 prill edhe ata që u penguan ta votonin me 25 prill. Organizimi i tyre, marrja e tyre me vete, nisja një orë e më parë e betejës për të mposhtur këtë regjim, për të rikthyer legjitimitetin, për të rikthyer demokracinë dhe përmes saj ndryshimin që mund ta sjellim vetëm ne, ky është objektivi im i vetëm, kjo është kërkesa që parashtroj sot para jush.

Ndaj, në përmbyllje të këtij parashtrimi, dua t’ju kërkoj që me të njëjtën kurajo dhe qartësi, me të njëjtën bashkim zemrash që keni bërë këtë betejë dhe keni arritur në këtë rezultat rekord në 20 vite, ta vazhdojmë krah për krah njëri tjetrit betejën.

I kemi të gjitha mekanizmat për ta mbajtur ndezur flakën e shpresës për ndryshim në shpirtrat e njerëzve, e kemi gjithë forcën e nevojshme për ta rëzuar këtë regjim plaçkitësish. Tani gjithçka varet nga ne. Të qëndrojmë të vendosur, të qëndrojmë të bashkuar, e t’i shkojmë betejës deri në fund. Kjo është oferta dhe kërkesa ime. Sikundër dua ta konsiderojmë 13 qershorin një datë të rëndësishme dhe jonjë ditë rutine. Pas 25 prillit, ky është testi i parë jo vetëm për anëtarësinë, por edhe shqiptarët, për mbështetësit tanë dhe për të gjithë të tjerët për të parë sjelljen tonë, gjendjen tonë, forcën tonë.

Për të shpalosur edhe një vlerë më shumë, edhe një arsye më shumë, edhe një kontrast më të thellë midis atij dhe atyre që kanë uzurpuar përkohësisht vullnetin e shumicës dhe ne që jemi të vetmit që mund ta çojmë deri në fund aspiratën dhe shpresën e tyre për ndryshim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN