Kryetari në detyrë i PD-së Lulzim Basha zhvilloi sot takime me demokratët në qarkun e Elbasanit, para të cilëve u shpreh se “do të luftoj ditë e natë për zhbërjen e kësaj masakre dhe për të bindur aleatët tanë për një platformë për kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend”.
Basha theksoi se “nuk mund të pranoj dorën e autorit të kësaj masakre që shtrihet gjoja për bashkëpunim pa kushte ndërkohë që dora e tij e zgjatur godet në Elbasan dhe kudo në Shqipëri”.
“Ndaj edhe gënjeshtrës së tij të radhës dhe përpjekjes së tij për të na përçarë, për të na hutuar, për të na shpërqendruar nga misioni që kemi tani mbi supe. Ofertës së tij të helmët për demokracinë, për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për Partinë Demokratike në bindjen time i kam thënë dhe i përsëris dhe sot nga Elbasani një JO të prerë dhe finale”, tha kryedemokrati.
FJALIMI I PLOTË
Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, drejtuese dhe drejtues të demokratëve të Elbasani, anëtarë të Partisë Demokratike, përfaqësues dhe drejtues të Lidhjes Demokratike të Gruas, të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, zoti drejtues politik dhe sekretar i përgjithshëm, deputet, kandidat për deputet, së pari më lejoni t’ju falënderoj nga zemra për mikpritjen e ngrohtë që më rezervuat sot Elbasani është një qark më i madh sesa ç’ja merr mendja çdokujt madhësinë gjeografike, por qytetarinë dhe madhështinë e demokratëve të Elbasanit që ditën ta shpalosi si asnjëherë më 25 prill dhe gjatë gjithë kësaj beteje të paprecedent.
Miqtë e mi, ndonëse sot ndodhem para jush në kuadër të garës së brendshme, nuk mund ta nis këtu në Elbasan pa thënë, faktin që ndodhemi në zemrën gjeografike të Shqipërisë, ndodhemi në zemrën e qytetarisë këtu në qytetin e Elbasanit, po ndodhemi dhe në zemrën e sistemit dhe makinerisë kriminale që Edi Rama ka ndërtuar këtij 8 vite për të grabitur Shqipërinë, për të tjetërsuar institucionet e saj dhe për të vënë në jetë një nga planet më të zeza të shpopullimit, nënshtrimit dhe zhbërjes të çdo arritje të këtyre 30 viteve të shënuara me progres, me zik-zake, po në tërësi me përparim për qytetarët shqiptarë.
Këtu nga Elbasani, u shtri anembanë qarkut dhe rrezatoi dhe rrezaton akoma e vetmja ofertë e Edi Ramës për shqiptarët. Në formën e një barcaletë që do të ishte për të qeshur nëse nuk është kaq dramatike dhe nuk ndodh në rrethana kaq dramatike, siç është fakti që njeriu më i urryer i Elbasanit, njeriu më i urryer pas Edi Ramës në Shqipëri, Taulant Balla është njeriu më i votuar i 25 prillit. Kjo në vetvete tregon se çfarë ka qenë 25 prilli. Një masakër e pashembullt elektorale.
Nuk është hera e parë që Partia Demokratike futet në një betejë të pabarabartë, por ne u futëm në këtë betejë jo thjesht dhe vetëm me vetëdijen se ishim në kushte te pabarabarta. Madje me vetëdije se po futeshim njësoj si në vitin 1991, pa asnjë pushtet institucional, pa asnjë instrument pushteti fizik, por po kështu të përgatitur se po futeshim me pushtetin me të madh që mund të ketë dhe zotërojë një krijese njerëzorë që është morali, që janë qëllimet e pastra kundrejt qytetarëve, që është vizioni dhe programi që shpalosëm në një nga fushatat më të plota , më të vërteta, më të thella, më të bukura dhe më frymëzuese që ju kapitenët e kësaj beteje dhe demokratët anembanë Shqipërisë i falet shqiptarëve.
Kontrasti është kudo i dukshëm por në asnjë vend më shumë sesa në Elbasan, ku ne dolëm me një ekip përfaqësues me njerëz të vlerave, intelektualë, me njerëz të vlerave qytetare, me njerëz të përmasave kombëtare dhe përballë kishim një listë jo të hartuar nga Partia Socialiste, por të hartuar nga Suel Çela, të hartuar nga bandat e krimit të organizuar anembanë qarkut, të hartuar nga Aqif Rakipi e të vulosur nga kryebanditi i Elbasanit, Taulant Balla.
Dhe me këtë përballje të qartë e vazhduam ditë për ditë, duke shpalosur programin tonë, vizionin tonë, zgjidhjet tona ndaj qytetarëve ndërkohë që në anën tjetër përballeshim me një dhe vetëm një operacion agresiv, antiligjor, atë të shantazhimit dhe kërcënimit të qytetarëve, atë të blerjes së votave, atë të dhunimit të lirive dhe dinjitetin të tyre në mes të ditës e në orët e vona të natës, të një shteti të bërë njësh me partinë, të një policie që në rastin më të mirë i përshëndeste bandat e në rastin më të keq i mbronte ato nga dora e ligjit. Pikërisht këtu në zemër të Shqipërisë u ekzekutua me mizori operacioni i mbivendosjes së një pakice kriminale ndaj shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, të qytetarëve të Elbasanit që dolën të kërkonin ndryshim. Pikërisht për këtë arsye vlera e punës tuaj, e sakrificës e vetëmohimit tuaj merr përmasa të veçanta.
Edhe ju mund të kishit zgjedhur të qëndronit në shtëpi, edhe ju mund të kishit zgjedhur t’i iknit betejës e t’i bënit pastaj bisht me ndonjë justifikim, ndoshta dhe të largoheshit nga vendi apo siç zgjodhi ndokush që ka shitur shpirtin tek e keqja të shkelmonit mbi sakrificën e demokratëve për interesa të ngushta personale. Por gjithsecili prej jush këtu në këtë sallë dhe ata që përfaqësoni jashtë kësaj salle nuk e morët këtë vendim. Morët një vendim tjetër. Ju nuk u ndodhët rastësisht në ballë të kësaj beteje. Askush nuk ju detyroi, ishte vendimi juaj i qartë dhe i kthjellët, ishte thirrja e ndërgjegjes së pastër të demokratëve të kësaj familje politike që ka lindur për shqiptarët me një mision për Shqipërinë, me një detyrë që ju bashkoi në këtë betejë.
Me këto vlera u futëm në betejë, me këto vlera dhe më një program ndër më të mirët hartuar ndonjëherë e konkretizuar në kontrata të nënshkruara me mbi 12 grupe interesi së selinë qendrore të Partisë Demokratike, të diskutuara me këto grupe interesi anembanë vendit përfshirë edhe në Elbasan dhe mbi të gjitha me një bashkim krah më krah duke sheshuar mosmarrëveshje dhe pakënaqësi që janë normale në gjirin e një partie politike e aq më pak në gjirin e një dege sa më e madhe të jetë ajo duke vendosur interesin e elbasanasve, të qytetit, të qarkut dhe të Shqipërisë përpara interesave tuaja personale.
Kjo është arsyeja se pse përkundër kësaj masakre zgjedhore ne dolëm më të fortë dhe jo më të dobët, më të mëdhenj dhe jo më të vegjël se sa hymë dhe mbi të gjitha me moralin dhe kokat lartë. Askush prej jush nuk bleu vota, nuk kërcënoi dhe nuk intimidoi qytetarët, nuk i kërcënoi për heqjen nga puna. Ne shkuam tek ata me një program, ne shkuam atje me pastërtinë e shpirtit tonë dhe mbi të gjitha ne shkuam atje me prova të dokumentuara tashmë të betejave tona të mëparshme se çdo sakrificë, se çdo betejë deri më sot nuk e kemi bërë as për as për karrigen time, as për karriget tuaja, as për karriget e deputetëve, por e kemi bërë për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Miqtë e mi, këtu në këtë sallë të mbushur me themelues, me qëndrestar, me njerëz të betejave politike, me intelektualë, është vendi ta pohojmë që edhe në një kohë ku besimi tek politika anë e mbanë botës ka rënë edhe në vende me traditë demokratike e jo më në vende me demokraci hibride apo zik-zake si këto të Ballkanit e në veçanti Shqipëria. Se ishin sakrificat dhe betejat që ne i bëmë duke sakrifikuar gjithçka që kishim në funksion të qytetarëve, në funksion të Shqipërisë, në funksion të demokracisë, që ndezën dhe një herë shpresën që dukej se ishte venitur prej vitesh dhe që i bënë ata që përkundër dhunës, përkundër manipulimeve, përkundër blerjes së votës, përkundër terrorit, përkundër faktit që nuk dihej ku fillonte banda e Suel Çelës e ku mbaronte policia e shtetit, prapë se prapë të dilnin dhe t’ju ndiqnin këtë betejë, t’ju jepnin votën, t’ju jepnin besimin si asnjë herë tjetër, në shifra dhe në numra të ngjashëm me ato të vitit 2009.
Vetëdija për këtë sakrificë është virtyti elementar i çdo demokrati, në radhë të parë ndaj vetes tuaj, në radhë të dytë ndaj çdo kujt që keni në krah dhe gjithsecilit. Është detyrimi më madhor i çdo drejtuesi, duke filluar nga unë dhe çdo drejtues tjetër. Miqtë e mi ajo për të cilën sot luftojmë është diçka edhe më e madhe edhe më jetike, sepse 25 Prilli në tërësi dhe gjithë kolonat e saj, jo vetëm nuk i dha zgjidhje asnjë prej problemeve të shtruara për zgjidhje nga shqiptarët, por i rëndoi ato më shumë. Njësoj si 31 Marsi i 1991-it, 25 Prilli i 2021-it ishin zgjedhje pa zgjidhje, por ndryshe nga 1991 nuk ishte thjesht dhe vetëm një mbivendosje e një diktature që po jepte grahmat, por është asgjësim jo vetëm i vullnetit të shqiptarëve për ndryshim, por i demokracisë. Fjala demokraci duhet si një koncept imazh dhe mistik, nga greqishtja e lashtë do të thotë sundimi i popullit, në fjalorin e përditshëm do të thotë respektim i vullnetit të shumicës.
Çfarë lidhje ka 25 prilli me vullnetin e shumicës. Kush është shumica e Elbasanit, qytetarët që donin ndryshim, apo Balla, Çela e Rakipi me shokë. 25 prilli është dita ku në Shqipëri përkohësisht ka rënë demokracia ndaj dhe barra e përgjegjësisë me të cilën dalim sot para shqiptarëve është edhe më e madhe se para 25 prillit. Në qoftë se para 25 prillit detyra jonë ishte të ndiznim shpresën për ndryshim, sot mbi supet tona rëndon i njëjti mision me të cilin jemi krijuar para 31 vitesh. Misioni për të mbajtur gjallë flakën e lirisë dhe të demokracisë, e cila rrezikon të shuhet tashmë jo në një diktaturë ideologjike, por një diktaturë kriminalo-politiko-oligarkike, asgjë tjetër nuk kanë ndryshe përveç emërtesave. Njësoj na trajtojnë ne, kundërshtarëve politikë si armiq, njësoj e kanë derdhur helmin, poshtërsinë, hajdutërinë, arrogancën, dhunën mbi anëtarët e Partisë Demokratike, mbi pjesëtarët tanë në fushatë, mbi votuesit tanë, duke i konsideruar ata jo kundërshtarë politik siç e dikton pluralizmi, por armiq, të cilëve ju shkatërrohet normaliteti i jetës përditshme. Largohen nga puna, kërcënohen me gjoba në sektorin privat, madje largohen nga puna edhe në sektorin privatë kur janë kontraktor të qeverisë. Kjo është një hakmarrje e verbër e një armiku total të demokracisë, të shkeljes së rregullave demokratike, një armiku total të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kryetari i Partisë Demokratike e ka bërë të qartë prej orës parë, kështu është dhe kështu do të jetë për mua, nuk e njoh dhe nuk e pranoj masakrën zgjedhore të kryer mbi popullin tim, mbi qytetarët e mi, mbi Shqipërinë tonë dhe mbi demokracinë. Por do të luftoj ditë e natë për zhbërjen e kësaj masakre dhe për të bindur aleatët tanë për një platformë për kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend. Thënë kjo, nuk mund të pranoj dorën e autorit të kësaj masakre që shtrihet gjoja për bashkëpunim pa kushte ndërkohë që dora e tij e zgjatur godet në Elbasan dhe kudo në Shqipëri demokratet dhe demokratët duke i kërcënuar dhe duke i hequr nga puna, duke I transferuar, duke I mbyllur bizneset në këto momente që flasim, vetëm e vetëm sepse kanë bërë fushatë për kundërshtarin e tyre politik.
Ndaj edhe gënjeshtrës së tij të radhës dhe përpjekjes së tij për të na përçarë, për të na hutuar, për të na shpërqendruar nga misioni që kemi tani mbi supe. Ofertës së tij të helmët për demokracinë, për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për Partinë Demokratike në bindjen time i kam thënë dhe i përsëris dhe sot nga Elbasani një JO të prerë dhe finale.
Sepse t’i thuash po nuk do të thotë vetëm të shkelësh mbi sakrificën tuaj, mbi vuajtjet tuaja, të familjeve tuaja, demokratëve të Elbasanit, votuese tanë anembanë Shqipërisë, por do të thotë të bëhesh pjesëmarrës dhe pjesëtar në këtë masakër elektorale si rruga e vetme e shpëtimit që ai sheh përballë zemërimit popullor që po i lë vendit shokut, zhgënjimit dhe dëshpërimit të ditëve të para. Zemërim popullor i një shumice të dhunuar padrejtësisht në aspiratën për ndryshim sepse 25 Prilli para se të jetë vjedhje e fitores së një partie politike është mbivendosje me dhunë i vullnetit të shumicës nga një pakicë absolute harbutësh të korruptuar që e mendojnë Shqipërinë dhe Elbasanin çifligun e tyre dhe shqiptarët njerëz që vetëm mund të nënshtrohen nga frika, arroganca dhe anti-vlerat që shpalosin ditë për ditë.
E pra, t’i thuash jo është minimum, t’i japësh betejë ditë për ditë këtij regjimi, është tashmë jo thjesht misioni ynë, detyra jonë politike por është detyra patriotike e çdo shqiptari që e do këtë vend.