MENU
klinika

Turqia krah Shqipërisë

“BE të mos ketë mëdyshje për hapjen e negociatave”

18.06.2021 - 12:49

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu kanë adresuar disa kërkesa ndaj Brukselit në samitin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që po mbahet në Antalia. Çavusoglu tha se Turqia në çdo rast të mundshëm do të këmbëngulë në rëndësinë që i ka integrimi i rajonit në institucionet euroatlantike.

“Forcimi i perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian të shteteve anëtare të Europës Juglindore është objektivi ynë i përbashkët. BE-ja mund të bëhet një aktor global vetëm kur të anëtarësohen të gjitha vendet e Europës Juglindore. Ndaj unë bej thirrje që të mos ketë mëdyshje kur bëhet fjalë për hapjen e negociatave në Tiranën e Shkupin, në mënyrë që të mos përsëritet e njëjta situatë që vijon me vonesat që i janë shkaktuar vendit tonë në rrugën e integrimit në BE.

Presidenti Erdogan tha se nuk është e mundur për Bashkim Evropian që të ekzistojë si një qendër graviteti dhe fuqie pa Turqinë si një anëtare me të drejta të plota.

“Përkundër të gjitha padrejtësive me të cilat jemi përballur, ne duam që tani të finalizohet përpjekja jonë për anëtarësim të plotë, të cilën ne e kemi vazhduar me këmbëngulje dhe me durim për gjysmë shekulli. Shpresojmë që Bashkimi Europian të çlirohet nga verbërimi i tij strategjik sa më shpejt të jetë e mundur dhe të çojë përpara procesin e pranimit brenda kornizës së një axhende pozitive”.

Kreu i shtetit turk tha se vendet e Evropës Juglindore, nuk e kanë luksin qe të bëjmë sehir nga tribuna për atë se ç’ndodh me dyndjet e parregullta emigratore. Sipas Erdogan, racizmi, islamofobia dhe ndjenjat anti-emigrante, fenomene në rritje në shkallë globale, janë duke u bërë gjithnjë e më shumë një problem i sigurisë kombëtare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN