MENU
klinika

Nga ofertat për opozitën, te të rrezikuarit në bazë të rezultatit

Çfarë vendosi dje Asambleja e PS?

03.06.2021 - 09:46

Partia Socialiste do të nisë një analizë të plotë të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit. Këtë vendosi dje mbledhja online e Asamblesë Kombëtare të PS-së e drejtuar nga kryetari i saj, Taulant Balla, ndërsa mungonte kreu i PS-së, i cili nisi dje një vizitë zyrtare në Turqi.

Asambleja vendosi zhvillimin e analizave për rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit në strukturat vendore të Partisë dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në strukturat e reja vendore të Partisë. Rezultati zgjedhor i 25 prillit do të analizohet për çdo qendër votimi, KZAZ dhe qark, duke nxjerrë dhe individët që nuk kanë dhënë maksimumin në këto zgjedhje. Madje, mësohet se do të shihen me kujdes dhe tendencat që u vunë re në këto zgjedhje të atyre kandidatëve që kërkuan më shumë votë individuale sesa votë për Partinë Socialiste, duke krijuar edhe konfuzion te votuesit, të cilët ngatërruan numrin e kandidatit me numrin e subjekteve të tjera.

Kjo strategji e kandidatëve të ndryshëm çoi në numrin rekord të votave të pavlefshme, në 83 mijë në të gjithë vendin, nga të cilat subjektet mund të merrni deri në 8 mandate. Por në skaner do të kalojnë dhe drejtorët në nivel bashkie apo dhe ata rajonalë në nivel qarku, për të parë se sa kontribut ata dhanë në zgjedhje dhe se sa ka ndikuar performanca e tyre përballë qytetarëve, e përkthyer në mbështetje apo pakënaqësi për maxhorancën qeverisëse. Analiza e rezultatit zgjedhor do të prekë direkt kryetarët e organizatave socialiste, por dhe drejtuesit socialistë në nivel bashkie.

“Ne do të bëjmë një analizë të plotë të rezultatit të zgjedhjeve në çdo qark në muajt në vijim, por dua të rinënvizoj faktin se Kryeministri Edi Rama deklaroi se ne do të kishim 78 mandate natyrshëm, pra edhe katër mandate më shumë, nëse nuk do të ishte numri i madh i votave të pavlefshme, të atyre që zgjodhën PS-12 në Dibër, në Shkodër, Tiranë dhe Elbasan, por që votën preferenciale për kandidatin e vendosën gabim. Ky është një rezultat shumë i pastër dhe domethënës. Jemi në kohën e duhur për të filluar një analizë të thellë të rezultatit në çdo qendër votimi, pranë çdo organizate socialiste, në çdo këshill socialist, në çdo bashki dhe në çdo qark”, u shpreh kryetari i Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla, dje gjatë takimit online me anëtarët e saj.

KONGRESI

Asambleja Kombëtare vendosi dje thirrjen e Kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së më 12 qershor, ditën kur kjo parti mbush 30 vjet nga themelimi i saj. Drejtuesi i Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla, tha se “Asambleja Kombëtare, me kërkesë të Kryetarit të Partisë, do të thërrasë Kongresin e jashtëzakonshëm, për fillimin e një fushatë hapjeje të re, më të madhe dhe reale të Partisë Socialiste, duke iu ofruar një mundësi të besueshme përfshirjeje të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e strukturave tona vendore. Kongresi do të autorizojë Kryetarin dhe Kryesinë e Partisë për ngritjen e menjëhershme të një komisioni të posaçëm riorganizimi.

Natyrshëm, përbërja e komisionit të posaçëm të riorganizimit do të synojë mbulimin e të gjithë territorit të vendit, me qëllim zhvillimin e një analize të njëtrajtshme dhe efektive në çdo cep të Shqipërisë. Pas mbledhjes së asamblesë, duke folur për mediat, Balla i bëri sërish thirrje Partisë Demokratike që të bashkëpunojë me PS-në në interes të vendit. “Për të miratuar kode apo ligje me shumicë të cilësuar, duhet një konsensus me opozitën dhe në këtë këndvështrim, unë mendoj se është koha e duhur për të lënë mënjanë pakënaqësitë apo për të lënë mënjanë alibitë e një rezultati elektoral, por të shohim se si secili prej nesh ta shndërrojë mandatin që ka marrë në 25 prill në një mandat që t’u shërbejë atyre që e kanë votuar’”, tha Balla. Ai theksoi se nuk duhet të harrojmë se në 25 prill ka një shumicë shqiptarësh që kanë votuar për PS-në, por ka edhe një pakicë që ka votuar për PD-në.

“Ata shqiptarë që kanë votuar për ta, presin që pikësëpari t’i shërbejë Shqipërisë sesa t’u shërbejë interesave të kryetarit aktual të PD-së. Kryeministri Rama ka qenë shumë i qartë dhe ne gjithmonë do të themi se kur flasim pa kushte përballë PD-së, është një letër e bardhë në të cilën mund të propozojnë çështjet që duan ata t’i diskutojnë”, tha Balla.

“Kemi çështje që lidhen me vijimin e reformës zgjedhore. Një komision i posaçëm i reformës zgjedhore duhet të fillojë punën aty ku është ndërprerë, me çështje që lidhen me adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, por edhe me çështje që nuk patëm mundësinë t’i adresojmë, sikurse janë ligji ‘Për financimin e partive politike’, për një transparencë më të thellë të financimit të fushatave zgjedhore të partive politike, dhe në këtë këndvështrim, unë mendoj se kemi përpara një shans që nuk duhet ta humbim asnjëri prej nesh”, tha ai./panorama