MENU
klinika

Dëshmitari i revoltës së Spaçit

“Cili ishte ideatori i ngritjes së flamurit, pa yllin komunist?”

03.06.2021 - 12:06

        Publikohen dëshmitë e panjohura të Bedri Çokut, me origjinë nga fshati Muçias i rrethit të Lushnjës, i cili që në moshën 19-vjeçare teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, u arrestua nga dy oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe pas një gjyqi publik “demaskues” me akuza të montuara në kinemanë e atij qyteti, u dënua për agjitacion e propagandë së bashku me vëllanë e tij, Çaushin, për të vetmin “faj” se babai i tyre, kishte vuajtur disa vjet si i burgosur politik në kampet e punës së detyruar. nga ku ishte liruar në vitin 1959. Dëshmitë e rralla të Bedri Çokut që bëri 24 vjet në burgjet e Spaçit, Burrelit e Qafë Barit dhe së bashku me dy vëllezërit, Esatin dhe Çaushin si dhe babanë e tyre, Azemin, vuajtën plot 64 vjet burg në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u liruar vetëm në shkurtin e vitit 1991. Kujtimet e Bedri Çokut të përshkruara me mjeshtëri në librin e tij “Kryengritja që tronditi diktaturën”, e cila i kushtohet kryesisht Revoltës së Spaçit në majin e vitit 1973, ku ai si një nga organizatorët kryesorë të saj, hedh dritë për herë të parë duke bërë publike disa ngjarje dhe fakte të panjohura nga ajo revoltë ku u ngrit flamuri pa yllin e kuq të komunizmit, e deri tek puna e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kampeve dhe Burgjeve pas viteve ’90-të, ku ai “arrestoi” shokun e tij të ngushtë, bashkëvuajtësin e kampeve dhe burgjeve të diktaturës dhe e dërgoi në qelitë e ‘Burgut 313’ të Tiranës, ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e ish-Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së me në krye Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën.

Kryengritja që tronditi diktaturën

(Bazuar mbi një histori të vërtetë)

“Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart dhe, me gjakun tonë, të lyenim copën e bardhë…! I pari që çau dorën me thikë, ishte vëllai im, Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Ulsi Pashollari, e të tjerë…”

Shpresonim shumë të Sigurimi dhe Bashkëpunimi Europian i cili po realizohej me një shpejtësi marramëndëse nën kujdesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë i gjithë njerzimi po priste me padurim çastin e madhe historik. Firmosjen për Mirkuptimin e Popujve të Europës, shteteve demokratike perëndimore dhe atyre komuniste të Lindjes, të cilat vuanin ende nga regjimet diktatoriale, për të vendosur së bashku një rend të ri paqeje dhe bashkëpunimi në botë. Shpresonim se edhe Shqipëria me këtë rast. Do të firmoste në Helsinki këtë Akt për fatet e njerzimit, si përfaqësuese e kësaj Organizate Politike Ndërkombëtare. Kishim bindjen se vendi ynë edhe pse i pa krahësueshëm me vendet e Lindjes, me hir, a me pahir, do t’i bashkohej Traktatit të Paqes dhe Bashkëpunimit me Europën (OSBE).

Autori

Vijon nga numri i kaluar…

Hetuesia në ‘Repartin 313’, Burgu i Tiranës

Madje, nuk u çudita fare pse ata ndodheshin aq rrëmujshëm aty. E kuptova që kisha fjetur menjëherë sapo ia kisha nxjerrë bukën nga goja Xhavitit, sepse, kur policët më ngritën për krahu, kafshata e tij më ra nga dora. Ndërsa Xhavitin ata e ngritën në krahë, aq i pamundur ishte. Po mallkonin ngaqë ai qelbej nga era e shurrës. Edhe unë isha bërë qullë, por ngaqë ecja me këmbët e mia, nuk ma vunë re.

Këtë herë në banjë, na i hoqën hekurat duke u tallur se: “Ç’burra ishim që kishim bërë shurrën në brekë…?! Por nuk donim t’ia dinim fare, përderisa, disa minuta do t’i kishim duart të lira të kryenim nevojat personale. Isha i bindur nga eksperienca e hetuesisë së parë në këtë burg të sigurisë së lartë në Tiranë, se ky lëshim nuk do të ndodhte pse u dhimbseshim, apo pasi kishin marrë urdhër që të laheshim e të pastroheshim, për të mos i shqetësuar hetuesit me erën e qelbur të djersës e të shurrës tonë.

Pra, do të fillonte hetuesia. Nuk kisha gabuar. Të parin, në birucën tonë, morën Xhavitin. U çudita se, edhe pse kishin kaluar disa orë, ai nuk ishte në gjendje të ecte me këmbët e veta. Pasi e kthyen nga hetuesia, më tha se nuk e kishin pyetur fare lidhur me revoltën, porse një nga hetuesit e ardhur nga rrethet, për të ndihmuar hetimet, kishte lexuar në listën e gjatë të të arrestuarve emrin e tij dhe, si mik i familjes, e kishte kërkuar në zyrë, me gjasë për të parë mundësinë se sa Xhaviti mund t’i ndihmonte lidhur me hetimin që do të kryente me të. Me këtë rast ai do të shihte mundësinë se ç’mund të bënte me Xhavitin, për t’i ulur dënimin ose liruar fare. Ama, kjo varej edhe nga kontributi i këtij, për ta liruar, si të penduar, apo si të pafajshëm. Por kjo gjë do të ndodhte nëse Xhaviti do të ishte në gjendje të bashkëpunonte me të…?!

Ndaj kishte thirrur mjekun e burgut për ta vizituar…! I kishin dhënë qetësues për dhembje koke dhe eshtrash.

– Ti e njohe hetuesin kush ishte?

– Posi. Eshtë i fisit tonë, por nuk jemi bërë me ta, na kanë konsideruar armiq klase. M’u duk pordhac nga mënyra si fliste: “Ja, më erdhe në dorë…! Tani, më ndihmo që të të ndihmoj”! Nuk fola fare, nuk i thashë as po, as jo! Nuk e vë në dyshim se do të përpiqet të më ndihmojë…! Të mburret në fis se do të më shpëtojë nga ridënimi. Më bëri përshtypje diçka: duke kaluar në korridorin e gjatë, nëpër zyrat e shumta të hetuesisë dëgjoja të bërtitura dhe klithma të njerëzve tanë që i torturonin…Fjalët më të shpeshta që përsëriteshin ishin: “Qen!”, “Maskara!”, “Flamuri!”, “Flamurin!”

– U paska djegur bythën flamuri ynë, pa yllin e tyre të

Qelbur…! Ai mbështeti kokën në parakrah, sepse asnjë batanije nuk na kishin sjellë ende, dhe belbëzoi: “Mua më fal, nuk flas dot më…! Ishallah, nuk na vijnë sambistët…Pashë…Jashtë po

errësohet…! Dhe mbylli sytë. Mua nuk më zinte gjumi. Duart e ënjtura nga hekurat, më digjnin e më kruheshin. Polici i shërbimit të brendshëm solli përsëri dy racione bukë, me marmelatë ngjyrë graso. Prisja nga çasti në çast, të vinin sambistët. I ndjeja kur kalonin pranë birucës tonë, por, çuditërisht, nuk po ktheheshin për të na dhënë “shpërblimin”, si ç’i thoshin me ironi, dajakut…

Të më falë Zoti, ngaqë në fillim dyshova te Xhaviti, për ndonjë palavi me hetuesin e fisit të vet, por jo. Nuk e di sa mund të ishte ora, ndoshta mesi i natës, kur erdhën dy policë dhe përgjumësh më mbërthyen krahësh e më dorëzuan në njërën nga zyrat e shumta të hetuesisë kriminale. Pesë vjet më parë, në ‘Burgun 313’, të sigurisë së lartë, në Tiranë, kisha kaluar mbi nëntë muaj hetuesi, së bashku me vëllain tim, Çaushin. Por atëherë ishte ndryshe. Nuk kishim kryer asgjë për të qenë të paraburgosur, veçse, ngaqë ishim bijë të një familjeje antikomuniste, me një baba të dënuar si i tillë dhe i shpallur kulak, me konfiskim të pasurisë së tundshme e të patundshme…Të dy ishim duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe, një ditë të bukur, na arrestojnë. Mua, me gjasë, më transferojnë nga reparti i NBU (Ndërmarrje Bujqësore Ushtarake), Hormovë, Gjirokastër, për në Librazhd.

Ushtarë nuk mund të quheshim, sepse punonim nga mëngjesi deri në darkë, në bujqësi, 18 – 19 vjeçarë, nga familjet e quajtura “klasë armiqësore me pushtetin e diktaturës së proletariatit”. Por ishim dhe kontigjenti i parë për në burg, nëse klikës në fuqi ia donte interesi, nga rrethanat politike të shkaktuara nga imperializmi amerikan, apo revizionistët sovjetikë. Si të tillë edhe na arrestuan. Ishte viti 1968, kur Traktati i Varshavës pushtoi Çekosllovakinë rebele, ndërsa klika e Tiranës mori masa, për çfarëdo që të ndodhte se, sipas saj, njerëzit që mund të bëheshin kontigjent i pushtuesve “çlirimtarë”, me siguri do të ishim ne, që vuanim nga gjenocidi i regjimit diktatorial.

Gjithsesi, na arrestuan pa asnjë provë dhe na dënuan vetëm sepse gjatë hetuesisë dhe zhvillimit të proçesit gjyqësor ushtarak, në qytetin e Gjirokastrës, shprehëm hapur pikpamjet tona të guximshme ndaj trajtimit “armiqësor”, që i bënin shtresës sonë antikomuniste dhe posaçërisht, ne, pinjollëve të asaj shtrese…Ndërsa këtë herë isha i përgjegjshëm çfarë kisha bërë dhe ndjehesha ballëlart në hetuesi, sikur kjo gjë të më kushtonte jetën…!

Më lanë të prisja gati njëzetë minuta, me duart të lidhur prapa, me hekurat qysh se na prangosën në Spaç. As nuk e ktheva kokën edhe kur dëgjova zëra dhe hapa në zyrë. E ngrita vetëm kur njëri nga të dy që u ballafaquan me mua, po thoshte se: “U habita që në listen e “Organizatë kundërrevolucionare të revoltës së të burgosurve në Spaç”, ndodhej dhe emri yt! Sipas tij, më kishin mbetur për të vuajtur, edhe dy vjet e pak muaj…!

– Gjynah!- I’a bëri! Ky që më fliste ishte Koço Josifi dhe tjetri, i cili lëvizte vetëm kokën, në dakordësi, ishte Irakli Kocani. I njihja e më njihnin shumë mirë, qysh në hetuesinë e parë.

– Hetuesinë do ta zhvillojmë bashkë – vazhdojë Koçoja, ngaqë unë dhe Irakliu të njohim dhe mundet, së bashku të gjejmë një zgjidhje, ku mishi të piqet dhe helli të mos na digjet, thotë populli, apo jo…? Më të mençëm nga populli nuk jemi ne…?

– Vërtet, ngaqë e njihni mençurinë e popullit, pa jeni me popullin, për popullin, por… pa popullin…?!

– Ama, fillove ti?!

– Keni mundësi të më jepni një aspirinë se më dolën trutë nga vendi, aq dhimbje koke kam. Na mbytët në dru dhe me hekurat hitleriane. Aq sa më duket sikur kam jetuar, qysh se linda me këta hekura…!

– Mos e ekzagjero se nuk ke lindur ashtu…! Të kemi vlerësuar si kundërshtar të vërtetë, të drejtpërdrejtë, që i thua gjërat pa frike…!

Ai urdhëroi policin që rrinte te dera, të gjente një aspirinë e të më çonte në çesmë për ta përcjellë me ujë.

– Meqë, sonte nuk je në gjendje të flasim, qetësohu, ditët përpara i kemi – vazhdoi Koçoja. I bëri me shenjë policit dhe ai më mori për krahu. Piva aspirinën dhe në birucë më shoqëruan të dy policët. Sipas urdhërit që kishin marrë, u përpoqën të më hiqnin hekurat…! Tërhiq e tërhiq, për t’i shkulur nga duart e enjtura, por e pamundur. Ndjeva dhëmbje nga forca e ushtruar, derisa më humbi edhe ajo pak ndjesi nervore që pata në duart e dërrmuar, prej tre ditësh. Vetëm kur njëri prej tyre vendosi shqelmin në kurrizin tim, me duart e shtërnguara në hekurat e mi dhe tjetri u lidh pas trupit të tij, për të tërhequr së bashku, vetëm atëherë arritën të m’i shkulnin nga duart. Ata u përplasën me kurriz në mur, së bashku me hekurat, ndërsa unë u përplasa në dysheme, pa ndjenja…!

Në mëngjes më zgjoi Xhaviti. Edhe atij ia kishin hequr hekurat dhe, meqë krahët më kishin mbetur të ngrira prapa kurrizit, ai u mundua të m’i nxirrte përpara. Çdo lëvizje e krahut për ta çuar në vendin e vetë, më jepte therje në shpatull. Domosdo që ulërija, deri sa ai, duke i lëvizur ngadalë, m’i çoi të dy krahët në vendin e tyre…! Natën e katërt, pa hekura në duar, hëngrëm bukën me marmelatë dhe, u çuditëm që nuk e kishim vënë re më pare zhurmën makinave që vinin e iknin aq të shpeshta brenda territorit të burgut…! Ç’ne lëvizja e tyre kaq e dendur brenda burgut?! Por këtë enigmë unë e zgjidha, fill pasi u ktheva herën e dytë nga hetuesia, me Koço Josifin…!

Erdhën përsëri dy policë që më morën në mesnatë. Më priste vetëm Koçoja. Unë nuk prita të fliste ai i pari. Fola vetë dhe ai nuk më ndërpreu.

– Korridorit, -i thashë. – Dëgjova rënkimet dhe kërcënimet e hetuesve që po i torturojnë bashkëvuajtësit e mi, lidhur me ngritjen e flamurit, pa yll mbi shqiponjën dykrerëshe…! Për këtë çështje, flas me përgjegjësinë time të plotë, që të mos i torturoni të tjerët. Flamurin e ideova, e përgatita dhe e ngrita unë, sigurisht me pëlqimin dhe ndihmën e shokëve të mi antikomunistë…! Rrugës, për këtu, klithmat e hetuesve nëpër zyra, dhe rënkimet e bashkëvuajtësve, më detyrojnë t’ua them këtë të vërtetë…! Ja, ku më keni, bëni ç’të doni me mua…

Ai u ngrit në këmbë, i vërejtur sikur e lajmëruan për ndonjë vdekje, nga njerëzit e shtëpisë së tij, pa m’i ndarë sytë. Ashtu ndenjëm, duke parë njëri-tjetrin, ngërtheshëm…!

– Ma përsërit edhe njëherë, çfarë the? – foli rëndë-rëndë, me fytyrën më të acaruar se më parë.

Ia thashë, fjalë për fjalë që flamurin e kisha ngritur unë…!

– Paske qenë gomar i madh! – bërtiti, duke ç’fryrë si dem i tërbuar. Çfarë, kujton se ke bërë trimëri të madhe, ë?

Injorant! Të mbanim edhe për të zgjuar ty, farë e keqe!

Thirri policët të më kthenin menjëherë në birucë. Doli me rrëmbim para nesh, nga zyra…!

Nuk po më zinte gjumi. E prisja ndryshe reagimin e tij, kur do të mësonte këtë të vërtetë, por isha i përgatitur shpirtërisht, për të duruar çdo lloj reagimi, sado i egër dhe me pasoja të ishte.

Kur isha i vogël, në verë, sa herë shtrihesha për të fjetur, dëgjoja këngën e bretkocave, nëpër kanalet me ujë, deri sa më zinte gjumi…! Këtë herë, në birucë fjeta vetëm kur pikasa që lëvizjet e makinave, brenda burgut, u fashitën si me magji…! Këtë ia thashë Xhavitit në mëngjes dhe ai u habit që nuk më kishte ndjerë fare, kur më morën e më sollën në birucë…!

Ndjehesha i lehtësuar, sikur kisha hequr një barrë të madhe. Më vinte të bërtisja fortë nga gëzimi i vetvetishëm i shpirtit tim. Më në fund u përballa me ata që më burgosën pse kisha lindur nga prindër antikomunistë, pa asnjë prove për veprimtari antiqeveritare. Ndërsa, tani që isha vërtetë i arrestuar për një veprimtari kundra diktaturës, e cila e tronditi shtetin e kriminelëve, do të shkoja me kënaqësi dhe i lumtur para pushkatarëve. Doja t’ia thoja këto edhe Xhavitit, por u hap sporteli dhe njëri nga policët thirri emrin tim që të bëhesha gati…!

Prapë dy policë më morën për krahu deri në hetuesi. Këtë herë i gjeta të dy, Koçon dhe Iraklinë…! Sapo u ula në karrige, Koçoja më pyeti :

-Pse e ngritet flamurin? Ç’qëllim patët? Dhe pse pa yll?

– Po! Do ta them, i thashë: E para, flamuri ngrihet sepse është simbol i bashkimit të kombit. Ne ishim në një veprimtari antiqeveritare, detyrimisht kërkonim që edhe shqiptarët të bashkoheshin me ne, të cilët, kërkojnë liri dhe demokraci, po si ne. Ndërsa pse e ngritëm pa yll, kjo është mëse e qartë. Ne vuajmë nëpër burgje ngaqë nuk jemi komunistë, internacionalist, si ju. Jemi patriotë. Njohim flamurin e Skëndërbeut, heroit kombëtar dhe të Ismail Qemalit, që, me flamurin pa yll shpalli Shqipërinë të pavarur, më 1912, pas pesqint vjetësh robëri…! Me këtë flamur kanë luftuar shqiptarët kundra pushtuesve, për liri dhe pavarësi.

– Po qëllimin nuk na i the? – ndërhyri Irakliu.

– Ua thashë, por juve nuk ju vjen mirë se flamuri është për bashkimin e shqiptarëve kundër shtetit tuaj të degraduar…!

– Dëgjo, Bedri Çoku! – I ra tavolinës me grusht dhe trashi zërin, Koçoja – Pa na treguar cili ka qenë qëllimi juaj i vërtetë për të bërë revoltë, me flamurin kombëtar, pa yllin me pesë cepa…! Mati mirë përgjigjet e pyetjeve tona se… Ja ku po ta them. Jeta jote është në fije të perit…Nuk ka ndodhur deri më sot të ketë guxuar kush të bëjë këtë që keni bërë ju kundra socializmit…! Enver Hoxha, për idealet tona, nuk ka kursyer as bashkëluftëtarët e tij, në çlirimin e vendit, jo për ju, armiqtë e betuar kundra vegjëlisë shqiptare…! Ai ua ka shtypur kokën bejlerëve, çifligarëve dhe kulakëve, dhe do t’ia presë kujtdo që cënon sado pak unitetin e popullit rreth partisë tonë. Mos na shit dëngla! Fol, përgjigju pyetjeve tona: për ç’qëllim u bë revolta me flamurin pa yll?

– Me duket se fola qartë për çka më pyetët. Tjetër përgjigje s’kam…!

Irakliu urdhëroi policët të më dërgonin në birucë.

– Me ty e kemi të lehtë – vazhdoi Koçoja, pa dalë ende unë nga zyra – E pranon vetë që je një nga kryesorët e revoltës dhe i ngritjes së flamurit pa yll. Plumbi të pret për t’u bashkuar me shokët e pushkatuar. Por, më parë, do të të rrjepim lëkurën në këto ganxhat që kemi këtu, në zyrën tone…!

Desha të flisja, por policët më tërhoqën me force. Nuk e gjeta Xhavitin në birucë. Me siguri që do të ishte edhe ai në hetuesi…! Fillova të çapisja në dyshemenë e birucës: Para-prapa, para-prapa…! Se ç’kisha një parandjenjë që më bënte të paduruar. Doja me domosdo të flisja me dikë. Prita e prita për Xhavitin, por ai s’erdhi më…! Aty nga darka më sollën Loçen, në vend të Xhavitit. U gëzova pa masë që u bashkova me Hysen Xhanin, alias, Loçen. U përqafuam fort. Ai po lotonte dhe nuk më shikonte dot në sy…!

– Ç’ janë këto lot, more Loçe… Pse qan burri?

– Na treguan fotot e katër të të pushkatuarve. Po ty, a t’i treguan?

– Jo, s’di gjë…! Katër paskan pushkatuar?

– Po…, Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashajn dhe Pal Zefin. Katër më të rinjtë. Ai, shkërdhata, hetuesi im, Irfan Shaqiri, më tha se do të heqim dhe koka të tjera. Përmendi emrin tënd që ke ngritur flamurin…!

-Hahaha…- Qesha. Dhe e përqafova Loçen. /Memorie.al

Vijon në numrin e ardhshëm

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!

Flet “ikona” e lajmeve në RTSH

Si u pushtua televizioni pas vrasjes së Azemit!