MENU
klinika

“Marrëveshja politike u arrit tetorin e kaluar”

Dendias i rikthehet çështjes së detit me Shqipërinë: Dy vendet ende vijojnë konsultimet!

05.06.2021 - 14:22

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Denidas, i është rikthyer edhe njëherë çështjes detare me Shqipërinë.

I pyetur në një intervistë të dhënë gjatë kësaj të shtune për gazetën “Parapolitika”, nga gazetari Kostas Papahliminxhos, për ecurinë e bisedimeve me Shqipërinë, nënshkrimin e një peticioni të përbashkët, e për një apel në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe sa afër janë dy vendet me marrëveshjen, ministri i Jashtëm Dendias tha:

“Marrëveshja politike për referimin e çështjes së delimitimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike midis Greqisë dhe Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë është arritur nga Tetori i kaluar. Përsa i përket çështjeve teknike, duhet hartuar dhe kërkesa përkatëse. Organet kompetente të të dy vendeve vijojnë konsultimet për hartimin e këtij teksti”, tha Dendias.

Në lidhje me ratifikimin e pakteve me Maqedoninë Veriore, pas marrëveshjes së Prespës, Dendias ka deklaruar se ministria e Jashtme ka dorëzuar dosjen e plotë në parlamentin grek në shtator 2020, tashmë mbetet përcaktimi i datave për seancat parlamentare, duke shtuar se pandemia ka ndryshuar ndjeshëm programin e kuvendit.