Aksioni për shembjen e ndërtesave pa leje në bregdet u ndal këtë fundjavë në Kepin e Rodonit, ku fadromat e IKMT-së rrëzuan katër objektet e para.
Teksa ka publikuar një pjesë të momenteve nga shembjet, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi thotë se ky operacion do të zhvendoset më tej pëgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit.
Çuçi kujton ashpërsimin e Kodit Penal kur është fjala te ndërtimet pa leje dhe dëmtimin e mjedisit, ndërsa paralajmëron se qeveria do ta ngrejë në “një tjetër nivel kontrollin e territorit duke përdorur teknologjinë më të fundit e jo vetëm”.
“Nuk do të tolerojnë askënd që guxon të zaptojë çdo metër katror tokë kudo qoftë, në bregdet jo e jo, por as në zonat e mbrojtura apo gjetkë”, shkruan ministri.
POSTIMI I PLOTE I MINISTRIT BLEDI ÇUÇI
#BregdetiYnë – IKMT ka nisur shembjen e ndërtimeve pa leje edhe në Durrës. 4 objektet e para u shembën në Kepin e Rodonit.
Ky operacion do të zhvendoset më tej pëgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit.
Në këto dy javë të para kemi shembur dhjetra objekte pa leje edhe në Ksamil, Shëngjin e Velipojë.
Krahas ashpërsimit të Kodit Penal kur është fjala te ndërtimet pa leje dhe dëmtimi i mjedisit, ne do ta ngremë një një tjetër nivel kontrollin e territorit duke përdorur teknologjinë më të fundit e jo vetëm, si dhe nuk do të tolerojnë askënd që guxon të zaptojë çdo metër katror tokë kudo qoftë, në bregdet jo e jo, por as në zonat e mbrojtura apo gjetkë.