MENU
klinika

Analiza

Genc Pollo: Për herë të shtatë e të fundit mbi Minishengenin

11.06.2021 - 16:26

Nga Genc Pollo

Samiti i Ballkanit Perëndimor, që u mbajt të enjten në Tiranë, ishte një hap tjetër për konsolidimin e Tregut të Përbashkët Rajonal (Common Regional Market) i cili është një nga produktet kryesore të Procesit të Berlinit. Ky Treg tok me CEFTA-n, një kuadër për marrëveshje tregtare ku shtetet ballkanike kanë hyrë para më shumë se një dekade, janë instrumentat kryesore për integrimin e zhvillim ekonomik në Ballkanin Perëndimor si dhe për përgatitjen për t’u bërë ekonomikisht i pranueshëm në BE (Kriteri i Kopenhagenit  nr. 2). Komisioneri për Zgjerimin z. Várhelyi njoftoi se në dispozicion janë  fonde të mëdha europiane për konsolidimin e Tregut e për projekte infrastrukturore.

Ky në vetvete ishte lajmi i rëndësishëm i samitit që meriton analiza mbi mundësitë që ofrohen e rekomandime për përfitim maksimal prej tyre. Vlen të diskutohet nëse orientimi do të jetë tregtia pa tarifa që favorizon Serbinë, e cila ka më shumë se të tjerët njësi ekonomike prodhuese-eksportuese apo do të jenë  projektet infrastrukturore ndërkufitare nga të cilat përfitojnë të gjitha shtetet e rajonit.

Por vëmendjen e tërhoqi më shumë diçka tjetër: deklarata e Edi Ramës në prani të Komisionerit Várhelyi se sot ai po e dorëzonte nismën e Minishengenit në gjirin e sigurt të Komisionit Europian. Pa u marrë me aftësinë e magjistarit për të dorëzuar diçka që nuk ekziston as me heshtjen e Komisionerit mbi “marrjen në dorëzim” të nismës do të ndalesha shkurt në disa fakte kryesore të Minishengenit.

E shpallur në Serbi në tetor 2019 nga Presidenti serb Vućič, kryeministri shqiptar Rama e ai verimaqedonas Zaev nisma e Minishengenit do të synonte realizimin e katër lirive europiane (qarkullimi i lirë i personave, mallrave, shërbimeve e kapitalit). Në nëntor e dhjetor të po atij viti po ata pjesëmarrës u mblodhën përkatësisht në Ohër e në Tiranë për të përsëritur po ato deklarata qëllimesh si herën e parë. Më tutje nuk pati më mbledhje as fizike e as online dhe nga mesi i v. 2020 gjëja u harrua.
Fillimisht duhet të them se nëse deklaron në Ballkan se do të krijosh aty realitete të BE-së nuk ka të keqe; vetëm se është thënë si tepër shpesh e herë me vend e herë pa vend; nëse përpiqesh në Ballkan që të krijosh aty realitete të BE-së është e lavdërueshme; por të realizosh në Ballkan vërtet realitete të BE-së meriton falenderim e respekt.

Me kategorizimin e mësipërm nisma e Minishengenit mbetet në nivelin nr. 1 të deklarateve. Ajo nuk njohu dokument themelues që përmbante synimet e rregullat e aktivitetit, nuk pati sekretariat koordinues madje as grup pune mes tre shteteve, nuk pati takim trepalësh ministrash e funksionarësh për çështje konkrete si dhe mbi të gjitha nuk pati një raport të realizimeve të saj.

Shërbeu për propagandë të brendshme për secilin nga tre pjesëmarrësit dhe po të mbetej me kaq nuk do të kishte arsye të flitej më tej për të. Por problemi me nismën është tek dëmi që solli. Jo se vërtet do të rikrijonte Jugosllavinë e Re (minus Slloveninë e Kroacinë e plus Shqipërinë) edhe pse shumëkujt pikërisht këtë i kujtoi; kjo druajtje ishte e ekzagjeruar. Minishengeni solli përçarje në Ballkan pasi u shpall si fakt i kryer vetëm nga tre shtete ndërsa tre të tjerët, Kosova, Mali i Zi e Bosnje-Hercegovina refuzuan vazhdimisht, secili me arsyet e veta, t’i bashkoheshin atij. Në një rajon të dalë nga një luftë e përgjakshme e me plagë ende të pashëruara dasi të tilla nuk janë të këshillueshme. Kjo sjellje e faktit të kryer është në kontrast të madh me metodën europiane ku negociohet me durim e diplomaci e vetëm mbasi bien të tërë dakord vijohet me shpallje e ceremoni.

Minishengeni solli një përçarje midis Shqipërisë e Kosovës (ndryshe nga afera e copëtimit territorial në këtë rast organet shtetërore e klasa politike në Prishtinë e kundërshtuan në unison). Qeveria në Tiranë shkeli angazhimin standart të marrëveshjeve dypalëshe Shqipëri-Kosovë se për çështje rajonale do të kishte konsultim e koordinim para vendimeve e veprimeve. Qeveria e Tiranës e ekspozoi ndërkombëtarisht Kosovën si refuzuese të një nisme me emër europianist përballë Serbisë e Shqipërisë dhe e lëndoi në një pikë sensitive për të.

Para se të shkruaja këto rradhë kërkova në kompjuter për Minishengenin e më rezultuan se kisha shkruar gjashtë artikuj për të (4 shqip, një anglisht e një gjermanisht). Për një çast ata mu dukën si gjashtë burrat që futen në lumë për të nxjerrë gurin proverbial të hedhur nga marroku. Pastaj e qetësova veten duke thënë se sqarimi mbetet i dobishëm pasi njerëzimi mëson nga gabimet; në mos i gjithë njerëzimi, një pjesë e tij. Thënë kjo lipset të jemi të tërë të kënaqur që Minishengeni nga dita e enjte prehet zyrtarisht në varrezën e nismave të kota. Si dhe unë që herën e shtatë shkrujta epitafin e tij.

*Ish ministër e deputet