MENU
klinika

Dosja Gërdeci

Gjykata e Lartë shpall moskompetencë, çështja e Fatmir Mediut në dorë…

01.06.2021 - 18:23

Gjykata e Lartë ka shpallur moskomeptencë për çështjen e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu duke ia kaluar Gjykatës së Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit, GJKKO.

Tri javë më parë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK i kërkoi Gjykatës së Lartë  të nisë procesin e gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes.

Bëhet fjalë për çështjen e shpërthimit të municioneve në fabrikën e demontimit në Gërdec, kur Fatmir Mediu ishte ministër i Mbrojtjes në kabinetin Berisha.

SPAK-u u vu në lëvizje, pikërisht pas kërkesës së prindërve të 7-vjeçarit Erison Durdaj, një prej viktimave të shpërthimit. Kujtojmë që në tragjedinë e ndodhur 13 vite më parë në një depo ushtarake në Gërdec humbën jetën 26 persona, mes të cilëve edhe fëmijë, ndërsa mbetën të plagosur 250 të tjerë.

Prokuroria akuzoi para Gjykatës 28 persona për shpërthimin tragjik

Gjykata e Tiranës mbylli procesin e Gërdecit katër vite pas shpërthimit që i mori jetën 26 personave dhe plagosi afër 300 të tjerë, duke dhënë dënime më të lehta nga pretenca e Prokurorisë. Organi i akuzës çoi në Gjykatë 28 të pandehurit e kësaj çështjeje.

Dënimin më të rëndë me 18 vjet burg e mori Ylli Pinari, ish-drejtori i “Meico”-s, ndërmarrjes shtetërore të import-eksportit të armëve dhe drejtori i Fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli, ndërsa pronari i fabrikës, Mihal Delijorgji u dënua me 10 vjet.

Për të tre këta ishte kërkuar burgim i përjetshëm. Për ish-shefin e Shtabit, Luan Hoxha, i cili thuhet se është larguar nga vendi, dënimi ishte 6 vjet burg, ndërsa disa ish-gjeneralë të tjerë u shpallën të pafajshëm. Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për ish-drejtorin i “Meico”- s, Ylli Pinari, pronarin e fabrikës ku kryhej demontimi i municioneve Mihal Delijorgji, si dhe drejtorin e asaj fabrike Dritan Minxolli.

Ata ishin akuzuar ndër të tjera edhe për vrasje, por Gjykata i dënoi për shkelje të rregullave në punë, shkatërrim të pronës pa dashje, apo shpërdorim të detyrës, Pinarin (18 vjet burg), Minxollin (18 vjet burg) dhe Delijorgjin (10 vjet burgim). Po ashtu, 10 vjet u dhanë dhe për Sokol Ngjecin, zyrtar i “Meico”-s. Për ish-kupolën e ushtrisë shqiptare, dënimi më i madh u dha për ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, me 6 vjet nga 8 të kërkuar nga Prokuroria, dy ishgjeneralë u shpallën të pafajshëm, ndërsa dy të tjerë u dënuan njëri, Dashnor Caushi me tre vjet, ndërsa tjetri Shpëtim Spahiu me katër vjet, por me kusht. Për të tjerët, funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes u dhanë dënime nga 1 deri tre vjet burgim. Në total, Gjykata dha mbi 90 vite burgim, gjoba dhe të paktën 7 të pandehur morën pafajësinë. Një vendim, i cili që në sallën e gjyqit provokoi acarimin e familjarëve të viktimave, të cilët e quajtën të turpshëm atë.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN