Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë si papajtueshme më Kushtetutën nenin e Kodit Zgjedhor, që parashikon ndarjen e mandateve me thyerjen e herësit.
Kushtetuesja ka pranuar kërkesën e Bindjes Demokratike të Astrit Patozit dhe Lëvizjes Demokratike Shqiptare, e Myslim Murrizit, të cilët kanë kërkuar heqjen e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Elektoral.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 09.06.2021 çështjen me kërkuese partinë “Bindja Demokratike” dhe partinë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, me objekt shfuqizimin e nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese
VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, thekson Gjykata Kushtetuese.
Çfarë parashikon neni 163/3
“Pika 3/ Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës.
Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen brenda koalicionit në zonën zgjedhore përkatëse.
Neni 163
Ndarja e mandateve brenda koalicionit
1. Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve brenda koalicionit në çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që secila parti pjesëtare e koalicionit ka marrë në zonën zgjedhore përkatëse dhe numrit të mandateve që koalicioni ka fituar në zonën zgjedhore përkatëse.
2. Numri i votave të vlefshme të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë tek të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.
3. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen brenda koalicionit në zonën zgjedhore përkatëse.
4. Një parti politike përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni. Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka fituar numrin më të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre partive. Shorti hidhet publikisht në KQZ, në prani të subjekteve të interesuara.
5. Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, sipas këtij neni, KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike, në bazë të renditjes së kandidatëve në listë, të depozituar sipas pikës 4 të nenit 67 të këtij Kodi, në rend zbritës, duke filluar nga numri rendor një.
6. Kryetari i partisë, i regjistruar në më shumë sesa një listë, sipas pikës 3 të nenit 67 të këtij Kodi, i cili ka fituar mandat në më shumë se një zonë zgjedhore, mban vetëm mandatin e fituar në zonën zgjedhore ku lista fituese ka marrë numrin më të vogël të votave, sipas përllogaritjes së neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi. Mandatet e tjera të fituara nga kryetari i partisë u shpërndahen kandidatëve të tjerë, që renditen menjëherë pas tij në listën shumemërore përkatëse.
7. Shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Vendimi mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor, sipas procedurave të pjesës XI të këtij Kodi, nga subjektet e parashikuara në pikën 1 të nenit 124, përfshirë edhe kandidatët e listës shumemërore.