MENU
klinika

Kur nis ora policore? Amnistohen dënimet për shoferët

Hyjnë në fuqi masat e reja anti-Covid! Hiqet maska në ambientet jashtë

01.06.2021 - 07:58

Prej sot hyjnë në fuqi masat e reja antiCovid. Maska nuk do të jetë më e detyrueshme për t’u mbajtur në ambientet jashtë, ndërsa ora policore do të nisë kur akrepat të shënojnë 23:00.

Përmes një deklarate për mediat, zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, teksa paraqiti planin e ri të masave paralajmëroi sanksione ndaj të gjithë atyre që do të konstatohen në shkelje të këtyre masave.

“Duke filluar nga data 1 qershor 2021, ora policore, sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, do të jetë nga ora 23:00 deri 06:00, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Detyrimet gjatë orës kufizuese tashmë janë të njohura, megjithatë theksoj se kërkohet që të gjithë shtetasit që për arsye punë do të lëvizin përtej orës 23:00, të jenë të pajisur me leje nga ‘eAlbania’ ose të kenë dokumentin që vërteton se është punonjës në një nga shërbimet kritike. Kujtojmë se për konstatimet që do të kenë strukturat policore në shkelje të këtyre akteve, ndaj kundërvajtësve do të aplikohen masat administrative”, tha Dervishaj. Por pavarësisht se ora policore është zhvendosur në 23:00, muzika në bare dhe restorante nuk do të lejohet pas orës 22:00. “Ftojmë të gjithë shtetasit që banojnë apo ushtrojnë aktivitet në territorin e Republikës së Shqipërisë që të zbatojnë orën policore, të mbajnë maskat në ambientet e brendshme dhe mjetet e transportit publik, dhe sidomos të zbatojnë orën 22:00 për ndalimin e muzikës në çdo mjedis shërbimi”, shtoi më tej zv.drejtori i Policisë së Shtetit.

AMNISTIA

Nga ana tjetër janë amnistuar të gjithë dënimet e mëparshme ndaj shoferëve që nuk kanë respektuar orën policore. Kjo do të thotë që të gjithë ata drejtues mjetesh që iu është hequr patenta për një periudhë 3-vjeçare do ta marrin mbrapsht atë. Kjo pasi me ndryshimet e bëra, pezullimi i lejes së drejtimit nga 3 vite që ishte, është bërë 30 ditë. “Të gjitha dënimet administrative të vendosura me pezullim të lejeve të drejtimit të pezulluara për një periudhë trevjeçare apo të shoqëruara dhe me bllokim të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij, në zbatim të Aktit Normativ zëvendësohen me dënimin me masë administrative me gjobë, me pezullimin e lejes së drejtimit për 30 ditë dhe me masën administrative plotësuese të bllokimit të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij për një periudhë prej 30 ditësh. Referuar nenit 2 të Aktit Normativ, masat administrative të vendosura nga autoritetet shtetërore, kryesisht Policia Rrugore, për heqjen e lejes së drejtimit apo masat e tjera të bllokimit të automjeteve apo lejes së qarkullimit, humbasin fuqi, nëse nga periudha e marrjes së masave është përmbushur afati prej 30 ditësh”, bëri me dije Dervishaj.

SITUATA

Lidhur me situatën pandemike në 24 orët e kaluara janë regjistruar vetëm 6 raste të reja nga më shumë se 2300 testime të kryera, ndërsa numri i të infektuarve aktivë në të gjithë vendin ka zbritur në 433 persona. “Janë kryer 2,325 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 6 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 2 raste në Tiranë, nga 1 rast në Fier, Lezhë, Kamzë, Përrenjas. Në 24 orët e fundit janë shëruar 123 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129,431 që nga fillimi i epidemisë”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Policia e Shtetit thirrje qytetarëve: Respektoni këto masa, ndryshe...

Nga nesër hiqen maskat jashtë dhe shtyhet ora policore