Nëse De Rada dhe Naimi, përfaqësojnë romantizmin – në letërsinë shqipe, emri i Et’hem Haxhiademit është simboli i klasicizmit./Konica.al
Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, Haxhiademi botoi tragjeditë “Uliksi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”. Penës së tij i takojnë edhe një përmbledhje poezish me titullin “Lyra” (1939), dhe përkthimi i “Bukolikeve” të Virgjilit (1932). Haxhiademi, duke i marrë subjektet nga antikiteti grek, bibla ose nga historia jonë e hershme dhe mesjetare, trajtoi probleme aktuale shoqërore e morale të shoqërisë shqiptare, me karakter të theksuar edukativ dhe didaktik.
Në vitet ’30 të shek. të kaluar, kur u botuan dhe u shfaqen në skenë, tragjeditë e tij patën jehonë në mendimin kritik letrar, pozitiv e negativ, ndër gazetat e revistat e kohës si në gazetat “Arbënia” dhe “Drita”, në revistat “Minerva”, “Perpjekja shqiptare”, etj. U prit jashtëzakonisht mirë dhe u shoqërua me një entuziazëm të papërshkruar popullor drama “Skënderbeu”, që u shfaq në Tiranë, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Delvinë, Sarandë, etj. Një prej gazetarëve më brilantë të viteve ’30, Branko Merxhani, shkruan për këtë vepër: “Libri i fundit dhe ma i bukur i dramaturgut t’onë Etem Haxhiademit asht “Skënderbeu”, tragjedi me pesë akte, Tiranë, 1935. Fëtyra e çuditçme e fatozit t’onë legjendar, symbolizon typin e njeriut tragjik, të cilit nuk i mungon elementi demonik për të frymëzuar tragedinë ma të goditur, jo vetëm të jetës së tij private, por edhe të mjerimeve historike të së gjithë jetës së populit shqiptar. Vepra e Haxhiademit, që zë një vend të posaçëm nëpër botime letrare të vitit të kaluar, asht prova e parë guximtare për të krijuar një Typologi të shpirtit rreth epokës karakteristike të Skënderbeut. Fatozi i ynë kombëtar, ky burrë i math me origjinën e tij shqiptare, me edukatën bizantino-islamike dhe me shpirtin e shqiptarit të kulluar dhe ‘par excenllence’, produkt gjigand i mythit primitiv të Malsisë s’onë, është Titani që ngreh lart grushtin e vet kundrejt dënimit të fatit, që tyranizoi qysh prej shekujve Gjenin t’onë dhe që ka mbyllur, me zemrim dhe me keqdashje, udhën e madhështisë s’onë mun në pragun e historisë. Njerz që rrojnë jetën si nji tragjedi, kanë vdekjen e nji heroit…” Branko Merxhani (1894-1981)
***
Kumtesa e akademikut Shaban Sinani, mbajtur në konferencën shkencore: “Dramaturgu-poet Et’hem Haxhiademi në fokusin e trajtimeve letrare dhe gjuhësore”.
Historia e tragjedisë, në të gjitha epokat e lulëzimit të saj, prej lashtësisë antike deri në kohët moderne, është e mbushur me atvrasës, mëmëvrasës e vllavrasës. Por, “vëllavrasësi i parë në historinë e njerëzimit” sipas “Librit të Gjenezës” është Kaini.
Me karakterin e saj gjenotipik dhe arketipal, shembëlltyra biblike e Abelit dhe Kainit (“motivi i Abdulit dhe Kenanit” në “Kur’an”) ka qenë tërheqëse për dramaturgjinë botërore. Tragjedia “Abeli” e Etëhem Haxhiademit është nga më të vonat dhe autorit i duhej të provohej me një vështirësi të nënkuptueshme: paracaktimi i fatit të karakterit.
Fan Noli, njohës i shkëlqyer i Shkrimeve të Shenjta dhe mendimtar liberal, jo vetëm që nuk e shtron pyetjen e “fajësisë së të parilemit”, të të parëlindurit (lat. “primogenitus”, “primogenitura”), por e ndëshkon atë si fajtor të përjetshëm, kur, përmes figurës së Kainit identifikon të keqen fatale. Në poezinë “Marshi i Barabajt”, me vargjet: “O stërnip i Kainit, tepdil si bari / Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi”, ai rishpall “të keqen e trashëguar”.
A ka të bëjë krimi vllavrasës me statusin e të parilenit, siç e shkruan Buzuku (“u jam biri yjt hi pari lenë”; “sih muor tëh parëtë e lenë tem”)? A është parëlindja një privilegj apo një fatalitet? Pikërisht kjo është pyetja që projekton E. Haxhiademi në tragjedinë e tij Abeli
Shembëlltyrën e Kainit dhe Abelit e kanë konsideruar si rrëfimin e parë biblik për ndarjen e bujqësisë nga blegtoria, që shenjon fillimet e domestikimit të njerëzimit. E kanë krahasuar me “Punët dhe ditët” të Hesiodit dhe me “Bukoliket e Gjeorgjiket” të Virgjilit, tërthorazi edhe me “Bagëti e Bujqësinë” e Naimit. Kalimi prej jetës endacake në “habitat të përhershëm”, në statusin e banuesit “in situ”, ishte epokal, dhe si çdo kapërcim i tillë do të kërkonte flijimet e veta. I paracaktuari do të ishte sjellësi i së resë, Kaini, flijimet e të cilit as Hyji nuk i dëshiron.
Në leximet antropologjike, vllavrasja e parë në histori është e përligjur prej faktit se Kaini kishte statusin e parëlindjes, status që ka një rol përcaktues në gjithë Besëlidhjen e Vjetër. Në kanon, “i parëlinduri i çdo krijese është Hyji” (Kolosianëve: 1-15)
Në “Librin e Daljes” ata që dhunuan popullin e Zotit do të ndëshkohen me vdekjen e të parilemit. Dy linjat e trashëgimit të bijve të Abrahamit, me dy të parilemë nënash të ndryshme, implikojnë në mënyrë paracaktuese raportet midis besimeve abrahamike. Hyji i jep urdhër Moisiut … tue i thânë: “Shenjtëno për mue çdo dialë të parë, qi çel shtrat (barku) ndërmiet të bijvet Israelit”.
Jo më e paktë është fuqia e parëlindjes në letërsinë laike. Raportet midis Agamemnonit dhe Menelaut nga njëra anë dhe të Hektorit me Paridin nga ana tjetër janë të kushtëzuara deri në fatalitet prej këtij statusi. Parëlindja ka krijuar jo vetëm në letërsi, por edhe në trashëgiminë gojore, matricën e vet sovrane, që përmban raporte të mirëqena e të mirëpranuara. Muji dhe Halili në eposin e kreshnikëve ruajnë të njëjtin “status autoritatis” si në gjedhen biblike. Me të gjithë “agt e Jutbinës” Muji mund të jetë një “primus inter pares”, kurse me Halilin raportet janë të rregulluara ndryshe. “Vllau i vogël keqot” edhe martesën e bën për shkak të urdhrit të të parilemit, për ndryshe, jeta e tij do të vazhdonte në aventura për grabitje çikash në krajli.
Statusi i të parilemit është i paprekshëm edhe në traditën etnojuridike shqiptare. Shtëpia trashëgohet “prej më të madhit”, edhe në qoftë se “të lemit mbas tij janë ma të zot e ma me emën”. Në nenin 35 të “Kanunit të Lekë Dukagjinit” trashëgimi i kreut të familjes përcaktohet shprehimisht sipas “tagrit të parbinis” (“tagri i dialit t’parë”): “djalit të parë i përket sundimi i shpis mbas dekës së t’et”; “vllau i parë do të pvetet per gjithshka mbrenda e jashta shpijet” (neni 35, paragrafi 63/a dhe 63/b). Edith Durham shkruan se në viset veriore të Shqipërisë i zoti i shtëpisë (“mbas deket të kryezotit”) zakonisht është vëllai i madh: ky drejton dhe përfaqëson shtëpinë në katund, fis e kudo. Dom Simon Filipaj ka shenjuar formulën: Je vëllau i plaktë, prijna me e marrë Krygjen e Krishit – puthe e fale ti se edhe na të ndigiojmë, që përdorej për të nxitur më të madhin në moshë të printe pleqësinë për pajtime gjaqesh.
Interesante është që në trashëgiminë gojore të sllavëve të Jugut statusi i të parëlindurit nuk është ruajtur, dhe kjo vërehet që në emërtimin e vëllazërisë, pa emra që prijnë, thjesht “Hrnjici brati”, “vëllezërit Hrnjicë”, ndërsa shtëpia trashëgohet sipas formulës: “naimladši – nailučši”, “më i vogli më i miri”. Së fundmi, le të përmendim se statusi i të parëlindurit, në pikëpamjen etike, edhe sot është me fuqi rregulluese, së paku për aq sa përmbahet në atë që quhet “parim i senjoritetit në mirësjellje”.
E gjatë kjo parantezë për të mbërritur deri tek pyetja se çfarë ndryshoi Etëhem Haxhiademi në tragjedinë e tij Abeli, në kushtet kur thuajse e gjithë trashëgimia biblike-ungjillore dhe ajo laike e kishte pafajësuar Kainin duke e quajtur vllavrasjen “në të drejtën e tij, si i parilemë”; apo më keq, si fatalitet i pashmagshëm duke qenë “i parilemi i njerëzisë si fryt i mëkatit”. Por e nevojshme për të kuptuar rëndësinë e ndryshimit që ai solli për ta amninstuar Kainin jo me arsyen e gatshme kanonike, jo me klishenë e fajit të trashëguar, jo me dënimin prej mëkatit zanafillës, por me marrëdhëniet e padrejta në familjen e parë me të cilin nisi jeta njerëzore në këtë botë sipas këndvështrimit biblik.
Mes dhjetëra e dhjetëra tragjedive të shkruara përgjatë mijëvjeçarëve për Kainin dhe Abelin, vepra e Etëhem Haxhiademit bën dallim për zbritjen e fajit dhe të përgjegjësisë nga vullneti hyjnor tek padrejtësia në familje. Nuk është pakënaqësia e Hyjit për flijimet e padenja të Kainit, përkundër “flijimeve erëkandshme” të Abelit, burimi i së keqes së madhe. Duke perifrazuar sërish Nolin, “Kaini nuk është fajtor se është lindur fajtor, por është fajtor se ka një shkak”. Dhe shkaku është në rendin tokësor, në rendin brenda familjes së parë, e cila ndërton raporte të privilegjuara me më të voglin. E gjitha kjo të sjell ndërmend një porosi prej letrave apostolike apokrife, në të cilën thuhet: Hyji do të bëjë gjithçka të mirë për ju, në pjesën tjetër kërkoni përgjigje nga vetja.
Haxhiademi arrin të përcjellë të parën brerje ndërgjegjje në histori, kur Adami dhe Eva nisin të arsyetojnë anësinë e tyre krimndjellëse: Kët’ dashni që lindi me pahirë,
Kaini s’po e sheh me sy të mirë.
Ay me vehte t’vet ndoshta mendon
Se nga i vllai ma tepër na ndihmon,
Me gjith’këtë lakmojm’na mbi të rinë
E kjo po i krijon mbi t’vllan zilinë.
Fragmentarizimi i fajit: prej arsyes hyjnore (mëkati i parë i prindërve, fëmija i drejtpërdrejtë, statusi i të parëlindurit etj.) te “patrikët” që sundojnë në tokë dhe që identifikohen me familjen e padrejtë nga njëra anë; në anën tjetër “padia e të dytëlemit”, Abelit:
Dhe të ftohët zemrën po ta ketë,
Për mue, fajin e math e kemi vetë
Kainin me sy t’keq ju e shikoni,
Se fort mâ pak nga un atë e doni,
më pas dhe e vetë patrikut të familjes:
Dhe si armiq, o Ev’ ke për t’i kqyrë
Po nuk i pam’ të dy na me nj’fytyrë,
… e çlirojnë Kainin prej natyrës kriminale dhe prej mallkimit të lartmë. Gjithë ky rrotullim gati-gati në invers të gjedhes që ekzistonte më parë, duke përfshirë eposin, kanunet, madje dhe rendin patriarkal e sjelljet sociale të kohës kur u shkrua tragjedia “Abeli”, përbëjnë risinë e Etehem Haxhiademit si dramaturg e mendimtar.