Aksioni i Inspektoriatit për Kontrollin dhe Mbrojtjen e Territorit (IKMT) për shembjen e ndërtimeve pa leje ka mbërritur dhe në plazhin e Shëngjinit.
Korrenspondenti i Panorama.al në Lezhë bën të ditur se puna ka nisur në zonën e Ranës së Hedhun për të vijuar më pas në të gjithë bregdetin.
Sipas të dhënave, janë rreth 10 objekte në plan për t’u shembur në kuadër të këtij aksioni. Në mbështetje të IKMT janë dhe policia dhe Inspektoriati Vendor i Bashkisë Lezhë.
Aksioni i IKMT-së ka nisur me fillimin e sezonit turistik veror dhe do të vijojë për gjatë gjithë vijës bregdetare për të konstatuar dhe prishur ndërtimet pa leje. Gjatë këtyre ditëve nuk kanë munguar as arrestimet ku rasti më i fundit është në plazhin e Pishë-Poros.
Në flagrancë është arrestuar administratori i një lokali, shtetasi Xhimi Hasanbega 45 vjeç, dhe tre persona që po kryenin punime pa leje në plazh publik. Të arrestuarit janë shtetasit Genci Toska, Edmond Silo, Aleksandër Kopili.
Më herët kryeministri Rama si dhe Ministri Çuçi kanë paralajmëruar nisjen e një operacioni të tillë me qëllim pastrimin e bregdetit nga zaptuesit dhe për një sezon turistik të qetë. Kryeministri madje ka paralajmëruar të gjithë qytetarët që kanë ndërtuar pa leje të fillojnë dhe t’I shembin vetë objektet e tyre pa ardhur kontroll nga institucionet.